Ministri britanik i Punëve të Jashtme, Boris Johnson njoftoi sot se ditën e hënë do të mbërrijnë në Britaninë e Madhe ekspertë të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike për të kryer teste për substancën e përdorur në helmimin në Angli të ish-agjentit rus, Sergueï Skripal.

Ai premtoi gjithashtu ashpërsim të arsenalit ligjor për luftën kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave në vijim të kësaj çështje, gjë që çoi në një krizë midis Londrës dhe Moskës dhe sanksioneve të ndërsjellta diplomatike.

“Nesër, ekspertë të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike do të vijnë në Britaninë e Madhe”, u shpreh për BBC-në Boris Johnson. Ne do t’u vëmë atyre në dispozicion kampione të substancës, që do të testohen më pas në laboratoret ndërkombëtare nga më prestigjiozet.

Ministria e Punëve të Jashtme saktësoi se rezultatet e testeve do të bëhen të ditura pas dy javësh, shkruan atsh.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb