I ndodh çdokujt. Përplas këmbën me derën dhe menjëherë mavijoset, duke marrë një ngjyrë blu si të errët. Por, ndonjëherë vëreni që ju është mavijosur lëkura pa asnjë arsye. Zbuloni më poshtë cilat janë disa nga arsyet përse mavijoset lëkura dhe si t’i parandaloni ato.

Në disa raste mavijosja mund të parandalojë edhe për ndonjë sëmundje të rëndë, prandaj mos i injoroni këto shenja, shkruan “shëndeti”.

Moshimi
Ju mavijoset më lehtësisht lëkura tani se kur ishit të rinj. Është krejtësisht normale. Me kalimin e moshës lëkura fillon të hollohet dhe humbet shtresën mbrojtëse të dhjamit që vepron si jastëk mbrojtës kur përplaseni me diçka. Enët e gjakut gjithashtu bëhen më të brishta. Prandaj ju mavijoset lëkura më lehtësisht kur plakeni.

Disa ilaçe dhe suplemente
Nëse merrni aspirinë ose hollues gjaku, mos u çudisni nëse me raste vëreni mavijosje të lëkurës. Disa suplemente, si vaji i peshkut apo ginko, mund të shkaktojnë gjithashtu mavijosje të lëkurës. Steroidet si prednisone mund të shkaktojnë gjithashtu mavojisje të lehtë të lëkurës, duke qenë se e hollojnë këtë të fundit. Nëse e vëreni një simptomë të tillë, mos hiqni dorë nga ilaçet, por flisni me mjekun.

Mungesa vitaminës C
Kjo lëndë ushqyese është esenciale për shërimin e plagëve, prandaj nëse nuk e merrni mjaftueshëm, mund t’ju mavijoset lëkura lehtësisht. Mund të vëreni gjithashtu që plagët apo çarjet në lëkurë marrin shumë kohë për t’u shëruar. Ndodh rrallë që një njeri të ketë mungesë të vitaminës C, megjithatë më të predispozuar janë të moshuarit dhe duhanpirësit.

Trashëgohet në familje
Nëse ju, nëna dhe motra ju mavijoset shpejt lëkura pas edhe një goditje të lehtë, mund të jetë e trashëguar në familje. Disa njerëz (sidomos gratë) kanë enë gjaku më të brishta dhe i bën më të predispozuara që t’iu mavijoset lehtësisht lëkura, sidomos në krahë, gjunjë ose prapanicë. Mund të duket e frikshme, por nëse ndiheni mirë dhe nuk keni asnjë simptomë tjetër, nuk ka asgjë për t’u shqetësuar.

Dëmtim nga dielli
Nëse keni qenë një adhurues i diellit gjatë gjithë jetës, mund të vëreni që lëkura ju mavijoset më lehtësisht tani. Kjo ndodh sepse me kalimin e kohës dielli dobëson ngadalë lëkurën dhe enët e vogla të gjakut poshtë saj. Këto mavijosje janë paksa të ndryshme. Nuk shkaktohen nga goditja me ndonjë objekt, nuk janë të buta kur i prekni dhe marrin shumë kohë për t’u shëruar. Mund të shfaqen zakonisht në pjesën e pasme të duarve dhe krahëve.

Sëmundje të gjakut
Disa sëmundje e bëjnë të vështirë mpiksjen e gjakut. Një që me siguri e keni dëgjuar është hemofilia. Këto raste janë të rralla, megjithatë mund të rrezikojnë jetën nëse nuk trajtohen. Sëmundjet e gjakut shkaktojnë edhe simptoma të tjera përveç mavijosjes së lëkurës. Nëse keni gjakrrjedhje nga hunda apo mishrat e dhëmbëve pa asnjë arsye, ose nëse edhe gërvishtje apo prerje të vogla shkaktojnë shumë gjakderdhje, flisni me mjekun.

Abuzimi me alkoolin
Nuk po themi që u zgjuat me shenja blu në të zezë sepse u përplasët me një objekt pasi kishit pirë shumë alkool. Por, nëse abuzoni shpesh me alkoolin dhe ju mavijoset lehtësisht lëkura, do të thotë që mund të keni probleme me mëlçinë. Mëlçia prodhon proteina që nevojiten për mpiksjen e gjakut, prandaj nëse ajo nuk e bën punën e saj, mund të keni gjakrrjedhje dhe mavijosje të lëkurës. Mund të jetë shenjë e cirrozës së mëlçisë, një sëmundje e rëndë që duhet të kontrollohet patjetër nga mjeku.

Disa lloje kanceri
Nuk është e zakonshme, megjithatë ka mundësi që mavijosja e lëkurës të jetë shenjë e kancerit, si leucemia. Nëse ndiheni gjithashtu të lodhur, të plogësht dhe keni dhimbje gjatë gjithë kohës, ose keni rënë në peshë në mënyrë drastike, duhet patjetër të bëni një vizitë tek mjeku.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: