Spartak Ngjela këmbëngul se Enver Hoxha nuk ka pasur asnjë rol në mbledhjen e themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare më 8 nëntor 1941. Bazuar në një tregim të të burgosurit politik në burgun e Ballshit, Zef Mala, ish kreut të grupit komunist të të rinjve të Shkodrës, i cili ka parë procesverbalin e mbledhjes së themelimit, Ngjela shprehet se kryetar i PKSH-së në mbledhjen e themelimit ishte caktuar jugosllavi Miladin Popoviç.

I ftuar në emisionin “Opinion” me gazetarin Blendi Fevziu, Ngjela shprehet se ai procesverbal ndodhet në Itali në dosjen e Zef Malës i dënuar në burgun e Ventotenes. Duke folur për marrëdhëniet e Enver Hoxhës me anëtarët e Byrosë Politike, Ngjela shprehet se ai kishte frikë vetëm Mehmet Shehun, ndërsa eleminimin e Mehmet Shehut e cilë- son si vepër të KGB-së sovjetike. Por Ngjela i njeh dhe dy anë pozitive Enver Hoxhës, ngritjen e figurës së Skënderbeut dhe investimin e shtetit shqiptar tek gjeneza ilire e kombit shqiptar.

Zoti Ngjela, ju i keni dërguar një letër Ramiz Alisë, nga erdhi kjo nxitje?
Letrën e shkrova sepse Enver Hoxha kishte vdekur dhe kishte shumë arsye politike që Ramiz Alia do ta kthente sistemin, sepse ishte drejt falimentit. Në ato çaste ne kishim të dhëna të brendshme të ish-ministrave të ekonomisë etj., që deklaronin se në rast se këta nuk hapen, që ata e quanin regjimin e tyre, dhe qëndrojnë me këtë autarki të vjetruar, të dalë mode, duhet të dorëzojnë pushtetin.

Duke u nisur nga këto dhe nga të gjitha të dhënat ekonomike që ishin në rënie si dhe rritjen e terrorit në burg, atëherë unë mendova se kam një dokument me vlerë me të cilin do të bëj dy gjëra; do të konceptoj nëse Ramiz Alia do të bëjë kthesë apo jo, dhe e dyta, të ndalojë represionin në burg duke thënë që kam dokumentin. Motivi kryesor ishte që unë t’i bëja testin Ramizit. Çfarë ndodh me atë dokument? Dokumentin mua ma ka lënë Zef Mala.

Ka një arkiv të rënë në dorë të italianëve?
Po, dhe brenda atij arkivi është ai dokument për të cilin më ka folur Zef Mala. Zef Mala, ish-kryetar i grupit komunist të Shkodrës dhe de facto kryetar i Partisë Komuniste Shqiptare, sepse ishte formuar PKSH-ja prej tij, por këta nuk e njohën si të tillë sepse Zefi ishte në internim në Itali.

Në kohën që ju e keni njohur, Zef Mala ishte në burg?
Po, ishte në burgun e Ballshit. Ishte burgosur nga Enver Hoxha pasi kishte prishur një kontratë me udhëheqjen komuniste: “Ju s’më ngacmoni, unë s’ju ngacmoj”. Në momentin që ky ishte i internuar në Ventotene në Itali, dhe ka qenë një nga njerëzit më të afërt të klasës politike komuniste italiane, dhe në funksion të Zef Malës, që ishte njeriu më i ditur që kam njohur, është prishur marrëdhënia mes Enver Hoxhës dhe Palmiro Togliatit, kryetar i Partisë Komuniste Italiane. Sepse Togliati, Cosiga etj., drejtues komunistë italianë antifashistë, kishin qenë në burgun e Ventotenes bashkë me Zef Malën. Ata e afruan Zefin sepse e panë që ai kishte vlera. Ata i ishin shprehur Zefit se “ne i kemi bërë shumë të këqija Shqipërisë, por do t’ju bëjmë një të mirë, do të formojmë ty”.

Si ra në dorë ky dokument?
Në momentin që karabinieria italiane në Shqipëri zbulon bazën komuniste dhe merr në dorëzim dokumentacionin sekret të PKSH-së dhe e dërgojnë në Itali, rezulton që lideri kryesor i gjithë kësaj veprimtarie edhe antitaliane, ishte Zef Mala, i cili ishte në të njëjtën kohë i internuar në Ventotene. Zefin e marrin nga aty dhe e çojnë në një burg në Romë. I lexuan akuzën dhe i tregojnë të gjithë dosjen për të cilën akuzohej. Në dosjen e tij të akuzës, ai sheh të gjithë dokumentacionin e grupeve komuniste shqiptare dhe procesverbalin e themelimit të PKSH-së.

Ai më tha se i kishte interesuar më shumë procesverbali i themelimit të PKSH-së sepse ishte dhe emri i tij. Në procesverbal pa se Enver Hoxha nuk kishte asnjë rol në themelimin e PKSHsë, dhe si kryetar i asaj partie ishte zgjedhur Miladin Popoviçi.

Zef Mala kishte mbaruar për filozofi në Austri, ndërsa më tha se shkollën e vërtetë e kishte bërë në burgun e Ventotenes, sepse atje ishte njohur me emra shumë të mëdhenj të politikës italiane të burgosur. Kur merret në pyetje nga togeri italian, ai e pyet: Si ka mundësi me gjithë ketë kulturë që ke dhe nuk kupton që Italia fashiste sjell qytetërimin në Shqipëri?! A e dini kush është Shqipëria?!

Zef Mala i thotë: Po, do ta pranoja, por me një kusht. Duhet të më pranosh edhe ti këtë, që lëvizja Karbunare për çlirimin e zonave të Italisë, nga Austro-Hungaria, është regresive, se Austro-Hungaria është më e qytetëruar se Italia. Në këtë moment togeri nxori revolen dhe me qytën e saj i ra në sy dhe aty Zef Mala e humbi njërin sy.

Zef Mala kur u kthye në Shqipëri?
Pasi mbaroi burgun Zef Mala u kthye dhe gjeti PKSH-në të krijuar, ndërkohë kishte filluar lëvizja çlirimtare që drejtohej nga Miladin Popoviçi. Pas kthimit, Zef Malën e thërrasin në Pezë, ku e presin Miladin Popoviçi dhe Enver Hoxha, ku Miladini ishte kryetar i PKSH-së, pasi Enver Hoxha e mori drejtimin e partisë në konferencën e Labinotit. Enveri ishte kryetar i Tiranës. Zefi më tregoi se në këtë takim Enver Hoxha nuk fliste fare, fliste vetëm Miladini sepse dinte shqip.

Ai më tha se kemi formuar partinë dhe duam që të angazhohesh në kryesinë e saj, ndërkohë që Zef Mala ishte de facto kryetar i partisë së parë Komuniste Shqiptare, para krijimit të partisë më 8 nëntor 1941. Po i thotë Zefi, por me kusht që në platformën tonë politike, të vendoset bashkimi i Shqipërisë me Kosovën.

Ai ka lënë takimin dhe në rrugën Pezë-Tiranë, i bënë atentat për ta vrarë, e qëlluan dhe ai që e qëlloi i tha shokut, lëre se ka vdekur. Pastaj e kanë gjetur fshatarët, e kanë marrë, e kanë çuar në spital dhe nuk ka pranuar të dalë më. E ka konsideruar veten më të sigurt të arrestuar nga italianët, sesa të vritej nga komunistët. Këto më ka thënë për këtë episod.

Po pas Luftës?
Pas Luftës, ka skeduar të gjithë Bibliotekën Kombëtare, ka qenë drejtor i Bibliotekës Kombëtare. Më pas e futën në burg në kohën e Koçi Xoxes, ishte gjithmonë me antijugosllavët, ajo i mbetet si shpata e Demokleut. E arrestojnë dhe del nga burgu pasi rrëzohet Koçi dhe kthehet përsëri në Bibliotekën Kombëtare.

Kur e arrestojnë përsëri?
Në mesin e viteve ’50 Zef Mala arrestohet dhe e çojnë në Burrel ku ai ka qenë bashkë me krerët e nacionalizmit shqiptarë të burgosur. Më pas e internuan në Zvërnec. Përmes një letre i kërkonte Komitetit Qendror që të ikte jashtë shtetit në Zvicër. Nuk e pranuan. Atëherë ai u tha: që nga ky moment, ne do të bëjmë një marrëveshje, as ju godas as më godisni.

Këtë ia dërgoi Mehmet Shehut, i cili i dha pension patriotik. Kur fillon reprezalja e madhe e 1975 e internojnë përsëri dhe e çojnë në Tepelenë. Çon një tjetër letër ku i thotë: “Ju e prishët kontratën, dhe nuk më mbetet gjë tjetër veçse të tregoj kush jam unë dhe kush jeni ju”.

Çfarë ndodhi pas letrës?
E arrestojnë dhe e fusin në burg. Aty e njoha unë në Ballsh.

Çfarë ju tha për dokumentin?
Më tha se te dosja penale e Zef Malës në Itali, është gjithë arkivi dhe procesverbali i themelimit të PKSH-së. Më tha se kishte dhe një kusht, që ky arkiv të mos binte në dorën e jugosllavëve. Në procesverbal Enver Hoxha nuk ka ndonjë rol të veçantë në themelimin e PKSH-së. Del Miladini dhe Qemal Stafa. Qemal Stafa aq aktiv ishte saqë e bënë kryetar të rinisë, sepse partia ishte me bazë rinie.

Si u gjet Enver Hoxha në themelimin e PKSH-së?
Ka një fakt që në të gjitha letrat që i dërgonte Koço Tashko nga burgu Enver Hoxhës, në fund të letrës i shkruante: Koço Tashko, ai që ju ka angazhuar në PKSH. Zef Mala më ka thënë se nuk e njihte Enver Hoxhën, befas na i solli në një mbledhje të përbashkët mes grupit komunist të Shkodrës dhe të Korçës, Koço Tashko. Zefi e vlerësonte Koço Tashkon sepse ishte Harvardas.

Çfarë lidhje kishte Enver Hoxha me Koço Tashkon?
Ka mundësi të kenë pasur lidhje familjare, por në Korçë kanë qenë të gjithë. Por, Enver Hoxha ka qenë një destin, çdo lëvizje politike që të vinte, ai do ta merrte pushtetin. Ai ishte shumë i zhdërvjellët në karakterin oriental.

Çfarë personazhi ishte Enver Hoxha, e keni takuar ndonjëherë?
Jo, asnjëherë. Njëherë që m’u dha rasti, në 1972 që do të vinte për 55 vjetorin e tim eti, dhe nëna më tha se do të vijë Enveri, unë i thashë që nuk jam këtu dhe nuk e takova.

Çfarë qëndrimi kishte ndaj anëtarëve të Byrosë Politike?
Me të barabartët nuk sillej njëlloj si me ata që i kishte sjellë vetë. Vetëm Mehmet Shehun konsideronte të barabartë.

Kush ka qenë njeriu ndaj të cilit Enver Hoxha kishte ndrojtje?
Unë e kam thënë që ai Mehmet Shehun e kishte frikë, por Mehmeti vetë nuk e dinte që Enveri e kishte frikë. Nga konstatohet që ai e kishte frikë?! Konstatohet nga fakti që në 1948, Mehmet Shehu po të ishte aktiv në politikë e rrë- zonte Enver Hoxhën. Sepse ishte i goditur nga jugosllavët dhe PKSH-ja anoi jo nga Beogradi por nga Moska dhe Tirana, të gjithë beogradasit i futi në burg, Koçi Xoxe e kompani. Në këto momente, Mehmeti e fali dhe e mbajti kryetar. E mbajtën Hoxhën kryetar sovjetikët apo Mehmeti, këtë nuk e di ta them.

Kë kishte të rëndësishëm në Byronë Politike Enver Hoxha?
Asnjë nuk kishte, ai nuk komunikonte me asnjë.

Çfarë roli kishin jugosllavët në krijimin e PKSH-së?
Duhet të kemi parasysh një gjë. Fakti që komunistët shqiptarë iu dorëzuan Partisë Komuniste jugosllave për t’i ngritur si parti, do të detyroheshin t’i mbanin ata të dy. Ku u gjetën Popoviçi dhe Dushan Mugosha? Koço Tashko u nis për në Itali, nuk i donte jugosllavët.

Por Partia Komuniste italiane nuk i dha akses, sepse që të krijohej një parti në atë kohë duhej me çdo kusht që një parti e Kominternit të të kishte nën sqetull. Atëherë u nisën në Jugosllavi dhe atje i thanë që nuk keni nevojë për njeri nga ne, por keni dy njerëz shumë të aftë në burgun e Peqinit për luftën guerile. Enver Hoxha spikati në lirimin e tyre nga burgu i Peqinit.

Enver Hoxha menaxhonte tregtinë e duhanit të Ibrahim Biçakut të Elbasanit, ka pasur para dhe i vuri në lëvizje për të liruar dy jugosllavët. Pas lirimit, duke ditur se Popoviçi ishte njeri i afërt i Titos, Enveri u bë i afërt me të. Rolin e Popoviçit dhe Enver Hoxhës, na i tregon procesverbali i themelimit të PKSH-së.

Por në momentin kur ky procesverbal është kërkuar pas ‘90, disa burime më kanë thënë se nuk kanë dashur as italianët që ta japin. Ky procesverbal ishte shumë i rëndësishëm sepse rrëzonte Enver Hoxhën. Le të bëjmë një analizë të faktit. Enver Hoxha e di se ku ndodhet ai procesverbal dhe zhdukja e tij apo qëndrimi i tij në duart e italianëve e qetësonte atë sepse në të kundërt binte i gjithë roli i tij i ngritur si themelues i partisë.

Jeni përpjekur për ta kërkuar këtë procesverbal?
Unë nuk kam tagrin për ta kërkuar, duhet ta kërkojnë institucionet shtetërore dhe ky procesverbal është dhe shumë emancipues edhe për PS-në sot, e cila është e ndarë në dy grupime, që nuk e pranojnë Enver Hoxhën, njëra nuk e pranon me fjalë, dhe tjetra me mendim.

Çfarë raportesh ka pasur Enver Hoxha në vitet ‘70?
Pati deviacion psikik më të madh, d.m.th. dyshonte në gjithçka. Por në këto momente ka qenë një luftë në Shqipëri mes Lindjes dhe Perëndimit edhe brenda partisë. Nga këta të Lindjes, mes të cilëve mund të ketë qenë dhe Ramizi, Kadriu ka qenë 100%, në këtë luftë klanesh që ai donte të penetronte dhe të qëndronte ekuilibristi i tyre, i cili i mbante të dy grupet, erdhi një moment që ai filloi të dyshonte mbi gjithçka dhe në këtë mënyrë prishi ekuilibrat. Dhe kjo ishte fatkeqësia e tij. Në katërshen e udhëheqjes, Mehmet Shehun e mbante me Beqir Ballukun, me Hysni Kapon dhe veten. Pa këta të dy, nuk e mbante dot Mehmetin. Ai e prishi balancën sepse Beqirin ia mori Mehmeti.

Ka qenë i dhunshëm Enver Hoxha?
Kjo përgjigje do analizë psikike. Ai ingredientin kryesor të mbajtjes së pushtetit kishte vrasjen. Pa gjyq para lufte, dhe me gjyq false, formal pas lufte. Gjatë luftës atentatorët ishin terroristë, ndërsa pas luftës i ekzekutonte me trup gjykues.

Mehmet Shehu ka qenë kundërshtar i Hoxhës?
Mehmeti gjatë luftës ka qenë kundërshtar i Enver Hoxhës. Ata kanë pasur një armiqësi me njëri-tjetrin. Fakti që Koçi Xoxe ishte armik me Mehmet Shehun, kjo shpjegohej me faktin se ai induktohej nga Enver Hoxha. Por pasi u bashkuan, në 1948, Mehmeti nuk e shkeli kontratën. Megjithatë eliminimi i tij është enigmë. Unë them se Mehmetin ia mori KGB-ja Enverit, me intrigë apo nga frika që ai kishte nga Mehmeti këtë nuk e di. Enveri i dinte se kush ishin agjentët e Moskës dhe i mbante për një qëllim. Enver Hoxha bënte një politikë shumë të hollë, gjithmonë duhet të tregonte se jam ndarë nga Moska, por nuk kam lidhje me Uashingtonin. Brezhnjevin e kishte tmerr pas ndërhyrjes në Çekosllovaki. Gjithmonë Enver Hoxha i druhej Moskës.

Çfarë roli zë Enver Hoxha në historinë e Shqipërisë, si duhet vlerësuar?
Unë nuk mund të dal ta vlerësoj se do të më thonë subjektiv. Unë kam bërë një analizë negative për të në librin tim, por e kam parë me fakte. Kur unë thosha se nuk e ka dëbuar Enver Hoxha flotën ruse nga Pashalimani, por u largua pas bisedimeve Kenedi-Krushov në Vjenë, nuk ma pranonin. Tani doli që ka qenë ashtu. Unë, Enver Hoxhës nuk i shoh asgjë pozitive në funksion të Shqipërisë. Po të mos qe Enver Hoxha, ne mund të kishim marrë pjesë në Planin Marshall, sepse këtë kishte kërkuar Sejfulla Malëshova, që ta kemi mirë me të dy aleatët.

Asgjë e mirë nga Enver Hoxha përderisa u nis për në Europë dhe përfundoi në Azi, sepse këto ia diktonte pushteti i tij. Por në historinë e Shqipërisë dy gjëra do t’ia jepja Enver Hoxhës, që të tjerët nuk i kishin bërë. E para, ngritja e figurës së Gjergj Kastriotit, shteti komunist e bëri këtë. Mund të themi që bëri një shoë politik për 100 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit dhe investoi për gjenezën ilire për kombin shqiptar, e cila i kundërvihej tezave sllave. Këto të dyja mund t’i konsiderojmë si moment pozitiv historik. Ndërsa e gjithë veprimtaria tjetër shtetërore që funksionoi mbi bazën e terrorit shtetëror nuk do të pranohet asnjëherë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb