Julian Sulo, 37 vjeç është arrestuar sot nga Policia e Lushnjës dhe FNSH-të e Fierit pasi nuk i është bindur policisë ndërsa lëvizte me makinë të blinduar dhe i është gjetur një armë me 15 fishekë.

Por 37-vjeçari që ka një lokal dhe një lavazh në qytetin e Lushnjës nuk është person i panjohur për policinë. Ai njihet në Lushnjë edhe si “Juli i Pashakos”. Ai ka qenë një nga personat e shoqëruar si të dyshuar për masakrën në Lushnjë, ku u ekzekutuan Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi, miq të nipit të Aldo Bares, Laert Haxhiut. Sula u vetëdorëzua në polici pas vrasjes së dy të rinjve por u lirua më pas për mungesë provash.

Ndërsa sot 37-vjeçari është munduar të largohet me vrap në rrugicat e qytetit, në lagjen “Gafur Muço”, por u kap pas aksionit të policisë së Lushnjës dhe FNSH-ve të Fierit.

Një tjetër ngjarje është ajo e gati dy viteve më parë, më 11 qershor 2016 kur Julian Sulo u plagos pas ndeshjes Shqipëri-Zvicër në një pikë bastesh, në lagjen “Skënder Libohova”.

Lokali në fjalë ishte në pronësi të Arjan Aliços, i njohur ndryshe si “Arti i Braçes” një 53-vjeçar, i dënuar më parë për vrasje dhe që njihet si një nga ushtarët e Aldo Bares. Ai u qëllua me thikë rreth 20 herë dhe me leva aq sa u la si i vdekur buzë rruge dhe u shpëtua nga një kalimtar i rastit.

Sula nuk përmendi kurrë emrin e ushtarit të Aldo Bares si autor por Arjan Aliçko mori përsipër krimin dhe ndodhet në burg. Ndërkohë në 29 janar të këtij viti banesa e Arjan Aliços në lagjen “18 tetori” të Lushnjës u qëllua me armë zjarri por nuk pati persona të lënduar.

Burime konfidenciale pohuan për “BalkanWeb” se Sulo mbante armë dhe për këtë gjë ishte në dijeni edhe policia, pikërisht për shkak të ngjarjes së ndodhur 2 vite më parë ku mbeti i plagosur rëndë.
Mësohet se 37-vjeçari e mbante armën për vetëmbrojtje, nga frika e një sulmit tjetër të mundshëm.

Sot Policia iu vu në ndjekje dhe pas disa minutash, ai braktisi makinën si dhe hodhi armën që mbante, një pistoletë tip “Grand Power” Q 100, me 15 fishekë por u kap brenda pak minutash.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb