BRUKSEL-Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker kërcënoi sot kryeministrin hungarez, Viktor Orban për një betejë nëse ky i fundit ka ende vullnetin për të rifilluar debatin për dënimin me vdekje në vendin e tij.

“Karta fondamentale e të Drejtave e Bashkimit Evropian e ndalon dënimin me vdekje dhe Orbani duhet të shprehet qartë për këtë gjë dhe, nëse e rifillon debatin, do të ketë një betejë”, deklaroi Juncker në një konferencë shtypi.

Parlamentarët e Bashkimit Evropian kritikuan ashpër kryeministrin hungarez, Viktor Orban për lëvizjet e tij të fundit lidhur me migrimin dhe dënimin me vdekje duke i hapur rrugën kështu një përplasjeje të re mes Brukselit dhe Budapestit.

Orban reagoi një ditë më parë ndaj vrasjes së një 21-vjeçareje, e cila shiste cigare, duke thënë se dënimi me vdekje duhet të jetë në axhendë përderisa ligjet e ashpra penale nuk duket se janë të mjaftueshme.

”Kriminelët duhet ta dinë se Hungaria nuk do të tërhiqet para asgjëje kur bëhet fjalë për të mbrojtur qytetarët e saj”, deklaroi Orban, i cituar nga agjencia zyrtare hungareze e lajmeve, MTI.

Deklaratat e tij habitën mjaft zyrtarët e Bashkimit Evropian, që ndalon dënimin me vdekje dhe propagandon në të gjithë botën heqjen e tij.

(a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: