Gjatë kësaj jave, futbolli shqiptar u krenua me një talent që nuk është prodhim i yni. Pavarësisht fanellës dhe flamurit kuqezi që mban Kejdi Bare, ai është formuar në akademinë e Panathinaikos e më pas në atë të Atletikos së Madridit, ku edhe pati shansin që të debutojë me ekipin e parë.

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ish-trajneri i Kombëtares Shpresa, Redi Jupi, komenton ecurinë e talentit kuqezi, por jo vetëm. Ai analizon dhe nxjerr në pah çfarë nuk shkon me Kombëtaren A, me projektin e ekipeve kombëtare në përgjithësi dhe po ashtu tregon tendencën e trajnerëve të skuadrave zinxhir në punën me moshat. Jupi ka një përgjigje për marrëdhënien me Xhani De Biazin kur ishte në krye të U-21, por gjithashtu komenton edhe largimin e Paolo Tramexanit.

Një lojtar, të cilin ju e keni stërvitur në Kombëtaren U-21, është afruar tashmë tek ekipi i parë i Atletikos së Madridit. Si e shihni rastin e Kejdi Bares dhe sa larg mund të shkojë ai në karrierë?

Kejdi është një lojtar me potencial shumë të madh dhe, herët ose vonë, ai do të debutonte me ekipin A të Atletikos. Të jeni të sigurt që ky është vetëm fillimi, shpejt ai do të jetë pjesë e skuadrës A në çdo ndeshje. Për mua është kënaqësi e madhe kur shikoj progresin e lojtarëve tanë dhe rasti i Kejdit është një histori suksesi.

Nga fantazist, Bare duket se është transformuar tek Atletiko, duke marrë karakteristika të fizionomisë së lojës që bën kjo skuadër. A i ka ai tiparet e duhura për këtë?

Kejdi është një mesfushor që i bën shumë mirë të dy fazat e lojës, pra edhe aspektin defensiv edhe atë të ndërtimit të manovrës. Ka një kontroll topi si asnjë lojtar tjetër shqiptar, por është edhe i aftë të bëjë sasinë me intensitetin e kërkuar në ato nivele.

Çfarë duhet të bëjë ai për të arritur maksimumin?

Sigurisht, në këtë fazë të karrierës së tij do t’i duhet të zbatojë me përpikëri detyrat mbrojtëse që i cakton trajneri, por do të vijë edhe momenti që do shikoni kreativitetin dhe vizionin e tij të lojës në aspektin ofensiv.

Me çfarë merret aktualisht Redi Jupi?

Unë vazhdoj të merrem me atë që jam marrë gjithmonë, me futbollin.

A jeni i zhgënjyer nga mënyra si rrodhën ngjarjet në marrëdhënie me Federatën Shqiptare të Futbollit, e cila nuk jua rinovoi kontratën e bashkëpunimit?

Jam i zhgënjyer nga mënyra se si është trajtuar kjo çështje gjatë kohës që isha në detyrë si trajner i U-21. Për pjesën tjetër nuk kam asnjë zhgënjim, secili zgjedh të jetë ai që është.

Në gjykimin tuaj, a ekziston një linjë pune ku ekipet zinxhirë të Kombëtares trajtohen në mënyrë të njëjtë me Kombëtaren A?

Gjatë kohës që isha në pozicionin e drejtorit të ekipeve kombëtare, është bërë shumë në këtë aspekt, madje me rezultate shumë të mira.

Ku vihet re kjo gjë?

Në momentin që drejtoja ekipin U-21 kisha një listë me 24 lojtarë, 22 nga të cilët kishin kaluar nëpër ekipet kombëtare të moshave. Dhe kjo ishte fryt i një pune të dedikuar dhe cilësore në 5 vitet e fundit. U gjet një gjuhë e përbashkët me të gjithë bashkëpunëtorët dhe teknikët.

A ka një filozofi të njëjtë pune me futbollistët në çdo skuadër të Kombëtares?

Mund të them që tendenca e përgjithshme ka qenë që secili të krijonte ishullin e tij pa shumë lidhje organike me të tjerët. Me mënyrën si funksionojnë dhe si janë të organizuara gjërat, nuk e shoh shumë të ndritur të ardhmen.

Sa e dëmton Kombëtaren dhe kur do të ndihet më shumë mungesa e një filozofie të tillë pune?

Siç e thashë edhe më lart, kështu siç janë gjërat, nuk kemi çfarë të presim. Çfarë do vijë, do të jetë rastësi dhe prurje të zakonshme pa krijuar breza dhe vazhdimësi.

Në ambientet dhe rrethet sportive në Shqipëri është trajtuar shpesh marrëdhënia juaj me trajnerin e Kombëtares A, Xhani De Biazi. Është lakuar shpesh se marrëdhëniet mes jush kanë qenë disi “të ftohta”. Si qëndron e vërteta?

Mbase do jetë mërzitur kur i morëm barazimin U-21 të Italisë në gusht, si italian që është (qesh…). Nuk ka asnjë të vërtetë në këtë që po thoni. Kam pasur gjithmonë marrëdhënie normale dhe profesionale me të.

Si e shihni lëvizjen me Tramexanin? Duke qenë se ju keni qenë edhe në rolin e drejtorit të Zyrës së Talenteve në FSHF, si e gjykoni faktin që Tramexani u caktua si drejtor i ekipeve kombëtare në pak kohë dhe shumë shpejt u largua?

Tramexani u caktua drejtor teknik. Ai kishte kohë që donte të kishte një rol më parësor se ai që kishte si ndihmës i De Biazit dhe, në mundësinë e parë që ju dha, u largua.

KOMBËTARJA A

Si e shihni ecurinë e skuadrës pas Europianit, kaq është maksimumi i këtij grupi apo është gabuar diku dhe tashmë po vihen re pasojat?

Ecuria nuk është ajo që prisnim të gjithë, për shumë arsye dhe kjo është normale të ndodhë. Jo gjithmonë do të bësh një fazë eliminatore në maksimum të mundësive si ajo që ne bëmë në Europian. Problemi është që një lëvizje futbollistike nuk mund të varet vetëm dhe ekskluzivisht nga rezultatet e momentit. Dhe kjo është ajo që na ndodh ne. Nuk ka asnjë politike dhe strategji që të shohë përtej dhe pavarësisht të sotmes.

KATEGORIA SUPERIORE

Si e shihni kampionatin shqiptar, në të cilin gjatë këtij sezoni futbollistik bie në sy vështirësia ekonomike e klubeve dhe, mbi të gjitha, mungesa e punës së duhur me bazën e klubeve (me akademitë), por skuadrat nxitojnë të shohin zgjidhjen afatshkurtër te lojtarët e huaj…

Kategoria Superiore përpiqet midis vështirësive ekonomike dhe atyre menaxheriale. Është dhe do të jetë një kampionat i vështirë, por jo domosdoshmërisht cilësor. Asnjë klub në momentin që flasim, nuk ka as dëshirën, por as edhe vizionin e krijimit të bazës (akademinë). Kjo ka bërë që nevoja imediate t’i shtyjë drejt tregjeve të huaja. Duhet thënë se, në këtë aspekt, ka një përmirësim të cilësisë së lojtarëve të huaj që hyjnë në kampionatin tonë. Por kjo nuk është zgjidhje afatgjatë dhe rentabël dhe nuk është mënyra se si duhet të funksionojnë klubet tanë./Panoramasport.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: