Diktatura e errët komuniste që mbajti peng Ballkanin për gjysmë shekulli e ka origjinën e vet tek mediokriteti i Marksit, thotë shkrimtari Ismail Kadare në një intervistë ekskluzive me agjencinë e lajmeve News.ro, në shtëpinë e tij në Paris.

Shkrimtari më i madh shqiptar në botë ndihej i lirë më shumë se çdo njeri i lirë. Liria e brendshme i dha mundësinë të shkruante. Kjo e bëri një shkrimtar të madh.

Gjatë një bisede me gazetaren Magda Gradinaru, shkrimtari ka rrëfyer jetën nën diktaturën komuniste, paralelizmin mes diktaturës komuniste dhe Perandorisë Osmane, legjendat dhe mitet me origjinë europiane, zgjedhjet e një shkrimtari, diktatorin Enver Hoxha, Leninin, Karl Marksin, mërgimin, etj.

“Është një mister i njerëzimit për mua. Hitleri ishte mediokër, Musolini ishte deri diku i aftë, Stalini ishte po ashtu mediokër. Për Leninin është krijuar një legjendë që ka qenë një gjeni, por unë nuk e besoj. Ai ka shkruar një libër të vogël mbi letërsinë, plot me budallallëqe, duke shfaqur një injorancë totale dhe një naivitet kërcitës. Kam gjetur atje tri thënie interesante. Ai ka qenë një burrë mizor, që bashkoi mizorinë me pamjen e tij modeste. Madje, unë kam dyshime të mëdha edhe për Karl Marksin”- thotë Kadare, duke shtuar se “Këtu në Perëndim, shumë e konsiderojnë një gjeni. Po, ku është gjenialiteti i tij? Ku është gjenia, nëse nuk ka asgjë të re në mendimin e tij ekonomik, asgjë kreative?”.

I pyetur nëse Enver Hoxha ishte njeri i fuqishëm, ai përgjigjet: “Jo, ai ishte një imazh i krijuar për njerëz të zakonshëm dhe naivë. Për mua ishte një mediokër”.

“Komunizmi ashtu si sundimi osman, ishte një tjetër “politikë e keqe” për rajonin e Ballkanit, që tregonte armiqësi drejt Evropës, dhe kjo është drama e madhe e vendeve të Ballkanit”, vlerëson Kadare,- “me histori xhelozie që e bën çdo komb në gadishull të duan sa më parë të integrohen në Europë, dhe që fqinji të mos e fitojë të njëjtin status”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: