TIRANE– Prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Kostaq Beluri ka kaluar me sukses në ‘sitën’ e Vettingut. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pas seancës dëgjimore, ka konfirmuar në detyrë Prokurorin Beluri, i cili ka rezultuar pa probleme në elementin e pasurisë.

Prokurori Kostaq Beluri është kandidat për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, dhe me një karrierë të gjatë në Prokurori.

Beluri, dy ditë më parë ishte në seancë dëgjimore ku kaloi kriterin e pasurisë, por mbeti te aftësitë profesionale. Problem për prokurorin Beluri ishte pushimi i hetimeve për gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Admir Thanza, i cili ishte nën hetim për korrupsion pasi ishte filmuar duke shkëmbyer para me gruan e një personi në kërkim në vitin 2016.

Sipas gjetjeve të KPK-së, prokurori Kostaq Beluri nuk ka ndërmarrë hapa ligjorë që të thellonin hetimin, por ka vendosur ta pushojë atë.

KPK, në seancën dëgjimore vlerësoi se prokurori Beluri ka injoruar administrimin si provë të një videoje që mund t’i shërbente hetimit dhe nuk ka autorizuar përgjime të mëtejshme.

Sot, këtë çështje, KPK vendosi t’ja transferojë Prokurorisë për vlerësim.

(BalkanWeb)