Kamioni i parë i automatizuar filloi rrugëtimin e parë më 2 tetor në një autostradë evropiane. Kamioni i prodhuar nga Daimler, i quajtur “Actro” është i pari që mund të hidhet në prodhim në masë ku detyra e shoferit do të jetë vetëm monitorimi i situatës, i ngjashëm me kapitenin e aeroplanit kur avioni është në autopilot.

Kamioni prej 430 kuajsh fuqi dhe ngarkesë 40 tonësh, doli me ngadalë nga parkimi në Shtutgart. Shefi i kompanisë Daimler për sektorin e kamionëve, Wolfgang Bernhard, ishte në timon. Në vend të parë ishte Winfred Kretschmann, kryeministër i Baden–Wuerttembergut, landi i parë gjerman që jep targat për kamionët pa shoferë.

Pasi doli në autostradë, shoferi e la kamionin të marrë drejtimin e timonit.
Kamioni mori drejtimin në autostradën A8 pranë Shtutgartit me shpejtësinë 80 kilometra në orë dhe i shoqëruar nga një makinë me kamera dhe një makinë policie.

Kjo nuk do të thotë se shoferi mund të merret me diçka tjetër, pasi ka rregulla të rrepta për drejtuesin e kamionit.

“Nuk më lejohet të kthej kokën pas dhe jam i detyruar të ndjek trafikun. Siç e shikoni mund të heq duart nga timoni, por drejtimi i automjetit nuk ndryshon dhe kamioni qëndron në korsinë e tij”

Një radar, disa kamera dhe sensorë monitorojnë gjatë gjithë kohës kushtet e rrugës. Në një situatë kritike, kamioni i kërkon shoferit që të marrë drejtimin, në të kundërt ul shpejtësinë dhe ndalon.

Kompania Daimler thotë se këta kamionë do të ndihmojnë që shoferët të mos jenë gjithnjë në tension në udhëtimet monotone si dhe trafikun e rënduar. Kompania shpreson që ligje të nevojshme që lejojnë përdorimin e makinave të tilla edhe në vende të tjera mund të miratohen para vitit 2020 kur edhe pritet fillimi i prodhimit në masë.(voa)
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: