TIRANE- Media e huaja e sidomos ato gjermane po i mëshojmë gjithnjë e më shumë mundësisë për ngritjen e qendrave për pritjen e azilkërkuesve në Shqipëri. Kryeministri Edi Rama dhe ambasadorja e BE në vendin tonë, Romana Vlahutin, e kanë mohuar faktin se në Shqipëri mund të ngrihen qendra të tilla pritje.

Po ndërsa retorika në Shqipëri është ende e paqartë, politikanët në Gjermani janë më të hapur, pasi u intereson mbajtja e emigrantëve larg vendit të tyre.

Debati kulmoi pas një deklarate të zëvendësministrit të Brendshëm Julian Hodaj, në median gjermane ZDF, i cili tha se “Shqipëria ka kapacitete të mbajë 600 mijë refugjatë”.

Por Ministria e Brendshme nxitoi ta hidhte poshtë përmes një reagimi për mediat, sipas tyre përgjigjja e Hodajt lidhet me një situatë hipotetike, dhe jo me një rast konkret.

Lidhur me këtë çështje, i ftuar në emisionin ‘Studio e hapur” me Nisida Tufën ne “News4”, analisti Ilir Kulla tha se emigrantët e paligjshëm të ikur nga vendet e luftës që ndodhen në Turqi, dhe rreth 1 milionë të tjerë në Greqi, po tentojnë të kalojnë në Europë. Po kështu 2 mln të tjerë ndodhen në Libi, e në vende të tjera.

“Ky është një problem që është prezent prej shumë vitesh. Me të ashtuquajturën ‘pranverë arabe’ dhe ‘luftë në Siri’ ne jemi gjendur gjithmonë e më shumë në qendër të vëmendjes. Tre vite më parë Europa u përball me një valë të madhe migracioni. Kryeministri i Hungarisë mori masa për bllokimin e kësaj lëvizje. Miliona refugjatë qëndrojnë në kampe në Turqi. Edhe gjendja në Greqi nuk është më e mirë. Muri i që i ka vënë Italia të ardhurve nga deti, mund të bëjë që t’i drejtohen edhe kësaj pjese të Ballkanit. Por ne nuk kemi kapacitete jo për 600 mijë, por as për 60 mijë, dhe as 6 mijë. Duhet miliarda dollarë për ngritjen e strukturave, gjë që vendi ynë nuk e ka. Shqipëria nuk është e gatshme për këtë gjë. Së pari do dëmtonte turizmin, së dyti nuk jemi të gatshëm për klimën politike që është këtu, po kështu as shoqëria shqiptare nuk është e gatshme për një gjë të tillë. Unë i kam parë kampet e refugjatëve në Liban, dhe jetojnë shumë keq. Flasin arabisht, janë kushërinj me njëri-tjetrin, kanë mënyrën e tyre të jetesës. Janë në Libi, që janë pak a shumë të ngjashëm me ta, imagjinoni në Shqipëri. Bëhet fjalë për gra, fëmijë, të moshuar. Duhen ndërtuar shkolla, qendra humanitare, etj”, u shpreh Kulla.

Analisti tha se Shqipëria nuk i ka kushtet për të pritur emigrantë, ndërsa theksoi se nëse ngritja e kampeve të refugjatëve është një kusht për negociatat, atëherë kjo nuk duhet të ndodhë.

“Nëse negociatat me BE do të kishin një kusht të tillë, sot e 100 vjet nuk do të votoja pro një anëtarësimi të tillë. Nëse do të bëhej fjalë për fatkeqësi natyre të fqinjëve, apo situata të kësaj natyrë çështja është ndryshe, por nëse Shqipëria duhet të hapet për të bërë hotspote të njerëzve që nuk i merr më askush apo vende të G7 apo Turqia, që kanë një ekonomi të tillë sa renditen të 10 në botë. Shqipëria është një vend potencialisht i dobët për t’u përballur me kriza t tilla migratore, dhe do të kërkonte vullnetet dhe sforco shumë të mëdha. Çështja e emigrantëve të paligjshëm nuk ka të krahasuar me rastin e Kosovës. Kjo situatë kërkon një nivel tjetër të përgjigjes politike. Kush na garanton ne që këta 600 mijë që flasin sot, nuk i kalon 1 mln, 2 apo më shumë. Edhe ai që për shaka e thotë se kemi mundësi, kthehet në një aventurier”, theksoi analisti Kulla.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb