TIRANE- Analisti Fatos Lubonja ka komentuar mbrëmjen e sotme në ‘Studio e Hapur’ në ‘News24’ një nga dilemat që është bërë objekt debati, nëse do të ngrihet një kamp refugjatësh me ish-terroristë të ISIS në Shqipëri. Analisti e cilësoi si një turp këtë propozim të Europës. “Nëse flas për refugjatët, mendimi i parë që më vjen është se ky propozim është turp për Europën që në vendin më të varfër të Europës kërkojnë të dërgojnë refugjatë për të zgjidhur problemin e tyre”, tha ai. Ndërkohë, historiani Paskal Milo komentoi edhe deklaratën e kryeministrit Rama, ndërsa shtoi se ndihej i lehtësuar pasi e kishte dëgjuar teksa fliste prerë.

“Synimi i tyre është që këto kampe të pritjes së refugjatëve duhet të ndërtohen jashtë vendeve që janë brenda BE, pra në vendet që nuk janë pjesë e BE. Merkel nuk është dakord për këtë zgjidhje, pasi ajo është për një zgjidhje europiane dhe jo zgjidhej rajonale. E vlerësoj kryeministrin që tha se Shqipëria nuk ka mundësi dhe se Shqipëria nuk mund dhe nuk duhet të bëjë ato gjëra që të tjerët nuk i bëjnë. Mua më qetësoi deklarata e Ramës sepse ishte shumë i prerë për këtë çështje. Ky problem nuk zgjidhet kështu, duhet të zgjidhet në kuadër të BE. Duhet ta përballojë BE-ja këtë valë të dytë që kërcënon Europën”, pohoi ai.

Kujtojmë se Rama për këtë çështje deklaroi se: “Këto pretendime nuk reflektojnë të vërtetën. Pra është thjeshtë një fantazi. Ndërkohë sa i përket një kampi refugjatësh në funksion të Bashkimit Europian këtu në Shqipëri dhe kjo është një fantazi. Unë as nuk e kam dëgjuar ndonjëherë të artikuluar dhe as nuk e kam menduar ndonjëherë se mund të ndodhë, ndërkohë që Shqipëria ka qenë dhe mbetet gjithmonë e një bindjeje që vendet e Bashkimit Europian nuk mund t’ja hedhin topi njëri-tjetrit dhe ta lënë barrën e detyrimeve morale që ka Europa ndaj njerëzve që ikin nga vendet e tyre për shkak të kërcënimit të jetës. Secili duhet të marrë përgjegjësitë e veta dhe Shqipëria ka qenë e gatshme të marrë përgjegjësitë e veta, për aq sa i takon. Ne nuk kemi pasur asnjë propozim për të bërë diçka të tillë dhe as nuk e kemi konsideruar një mundësi të tillë. Jemi të gatshëm të bëjmë çdo gjë bashkë me tjerët dhe të marrim pjesën që na takon, por nuk jemi të gatshëm që të bëjmë atë që të tjerët nuk duan ta bëjnë, duke qenë shumë më të pasur, duke qenë shumë më të fuqishëm se ne”.
(ed.me/BalkanWeb)

Etiketa: