Kryeministrat britanik, Theresa May dhe kanadez, Justin Trudeau shprehën sot vullnetin e tyre për arritjen e një marrëveshjeje tregtare dypalëshe pas daljes zyrtarisht të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.

Para takimit kokë më kokë me Justin Trudeau, kryeministrja britanike theksoi se kishte shumë gjëra për të diskutuar në marrëdhëniet dypalëshe me Kanadanë.

Një prej pikave kryesore, sipas saj, do të jetë ”të shohim nëse mund të ndërtojmë marrëdhënie tregtare në bazë të traktatit të tregtisë së lirë mes Bashkimit Evropian dhe Kanadasë (CETA), menjëherë pas daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian në vitin 2019”.

Kjo marrëveshja e tregtisë së lirë merr efekt që prej të enjtes në mënyrë të përkohshme duke pritur ratifikimin nga të gjitha shtetet anëtare evropiane.

Parlamenti kanadez ratifikoi në muajin qershor CETA-n. Britania e Madhe është partnerja e parë tregtare e Kanadasë brenda BE-së.

Justin Trudeau theksoi se diskutimi me May do të përqendrohet veçanërisht në shqyrtimin e mundësive për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me Britaninë e Madhe gjatë dhe pas procesit të Brexit.

“Ne do të sigurohemi që marrëdhënia mes Britanisë së Madhe dhe Kanadasë do të jetë po aq solide sa ka qenë dhe do të vazhdojë edhe gjatë tranzicionit”, deklaroi Justin Trudeau para fillimit të takimit me homologen britanike.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb