Afro 500 kosovarë janë diagnostikuar me kancer vetëm gjatë katër muajve të parë të këtij viti. Të gjithë këta, janë duke marrë trajtim në Klinikën e Onkologjisë që funksionon në kuadër të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës. Lloji më i shpeshtë i kancerit është ai i gjirit, mushkërive dhe zorrës së trashë. Por, pacientët që vuajnë nga kanceri, po ballafaqohen me mungesë të terapive në Onkologji. Aty shpeshherë mungon edhe kimioterapia.

Ka më shumë se pesë vjet që po lufton me sëmundjen e kancerit. Por, ajo nuk po dorëzohet. Me vullnet, buzëqeshje e përkushtim, Fatmire Ismaili, 47 vjeçe nga Prishtina po arrin që ta mposht këtë sëmundje.

Por si rasti i 47-vjecares nga Prishtina, ka edhe qindra të tjerë. Vetëm gjatë katër muajve të parë të këtij viti, në Klinikën e Onkologjisë të QKUK-së, trajtim mjekësor për sëmundjen e kancerit kanë kërkuar 482 kosovarë.

Kështu i ka thënë Expressit, gjatë ditës së sotme, drejtori në Klinikën e Onkologjisë, Ekrem Hyseni. Ai ka shpjeguar rreth numrit të këtyre rasteve. Sipas Hysenit, kjo shifër me raste të reja të prekura me kancer është më e ulët e sa ajo e katër muajve të parë të vitit 2017.

“Gjatë muajve janar deri në muajin prill të këtij viti në klinikën tonë janë paraqitur 482 raste të reja me kancer. Ndërkohë, vitin e kaluar për periudhën e njëjtë i kemi pasur 511 raste”, ka thënë Hyseni. Ai ka shpjeguar edhe për llojin më të shpeshtë të kancerit nga i cili po preken kosovarët.

“Kanceri më i shpeshtë është ai i gjirit, mushkërive dhe zorrës së trashë”, thotë drejtori i klinikës së Onkologjisë.

Por kosovarët të cilët vuajnë nga kanceri në dy javët e para të muajit maj janë ballafaquar me mungesë të terapisë për kimioterapi në Klinikën e Onkologjisë.

“2 javët e para të muajit Maj ka pas mungesa në furnizim, por pas datës 10 maj ky furnizim është stabilizuar dhe tani kemi shumicën e produkteve. Edhe produktet që mungojnë jemi informuar nga MSH se brenda javës plotësohen”, ka sqaruar më tej Ekrem Hyseni, drejtor në klinikën e Onkologjisë në QKUK.

E për furnizimin me terapi dhe ilaçe, për pacientët që vuajnë nga kanceri është deklaruar edhe kryetarja e Komisionit për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës, Besa Baftiu. Ajo ka thënë se Ministria e Shëndetësisë duket të bëjë më shumë për furnizim me barna.

Baftiu ka shprehur shqetësimin për numrin e madh të të prekurve nga kjo sëmundje.
“Shifrat e qytetarëve të prekur me kancer janë shqetësuese. Numri për çdo vit është duke u rritur. I kemi rreth 1 mijë e 500 raste të raportuara, e janë edhe disa raste të tjera të cilat janë trajtuar jashtë QKUK-së. Ne këtë shqetësim e kemi shprehur edhe në komision. Sfidat e pacientëve për trajtimin e kësaj sëmundje në Kosovë janë të mëdha, mungesa e barnave dhe çmimet janë të mëdha në treg. Por ne si komision kemi besim që ministri i shëndetësisë do të merret më shumë me këtë punë”, i ka thënë Baftiu Express-it.

Megjithëkëtë, shifrat e kosovarëve që po preken nga kanceri nga viti në vit po shtohen. Vetëm gjatë vitit që shkoi rreth 1 mijë e 500 kosovarë janë diagnostikuar me kancer, 334 raste më shumë se në vitin 2016.

Sidoqoftë, hulumtimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë tashmë kanë tërhequr vërejtjen se me një kujdes më të madh të njerëzve, sëmundja e kancerit edhe mund të parandalohet në shumë mënyra.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: