Nga: AURORA GOLEMI*
TIRANE – Me pretimin se do të punojë për të çuar futbollin përpara dhe njëkohësisht do të mundohet të ndihmojë federatat e vogla, siç është Federata Shqiptare e Futbollit, Aleksander Ceferin, një nga 3 kandidatët për postin e presidentit të UEFA-s, ka zhvilluar këtë të premte një vizitë në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit në Tiranë, ku ka shpalosur shkurtimisht dhe pa detaje programin e tij.

“Në Shqipëri erdha jo vetëm si një kandidat, por edhe si një miku juaj. Jam i hapur të diskutoj me zyrtarët e federatës suaj idetë lidhur me të ardhmen e futbollit. Një nga pikat e programit është përfshirja në UEFA edhe ato vende të cilat ende nuk janë anëtarësuar në këtë organizëm, ndera federatat e vogla do kenë më tepër hapësira në vendimmarrje. Kam një projekt serioz për të ardhmen. Shikoj mundësi për të krijuar një Superlige Europiane, por nuk mund të jap shumë detaje. Kontaktin e fundit me Kombëtaren shqiptare e kam pasur në Lubjanë, por së fundi gjatë kampionatit Europian. Me Portugalinë luajtët shumë mirë. Futbolli shqiptar me atë slloven kanë shume gjëra të përbashkëta, të njëjtat probleme, buxhet të kufizuar. Megjithatë iu konfirmoj me aq sa jam në dijeni se zyrtarët e lartë të UEFA-s kanë përshtypje se keni lidership shumë të mirë.” –deklaroi Ceferin.

Sakaq kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka tha se do të dëgjojë edhe dy kandidatët e tjerë për postin e Presidentit të UEFA-s, para se të vendosë kujt do t’i shkojë vota.

Zgjedhjet për kreun e ri të UEFA-s do të mbahen më 14 shtator në Athinë, ku në garë do të jenë slloveni Ceferin, holandezi Van Prag dhe spanjolli Angel Maria Vijar.

Mediat spanjolle njoftojnë se Ceferin niset favorit në garën për kreun e UEFA-s. Por me herët favorit është parë edhe kreu i Federatës Spanjolle, Villar, i cili ka zëvendësuar Mishel Platinine, gjatë kohës që ishte pezulluar për marrje ryshfeti nga UEFA. Mesa duket Villar nuk arriti ta shfrytëzonte këtë fakt dhe mbeti prapa në garë.

Duke iu referuar mediave sllovene Ceferini deri tani ka përkrahjen e Suedisë, Italisë, Norvegjisë, Finlandës, ndërsa më datë 1 qershor kreu i Federatës Sllovene mori mbështetje edhe nga 30 vende të tjera anëtare të UEFA-s. Sipas sllovenëve, Ceferin ka në xhep edhe votën e Shqipërisë. Aleksander Ceferin pritet të kërkojë edhe votën e anëtares më të re të UEFA-s, Kosovës.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb