Hyrja e emigrantëve nga Maqedonia në Serbi nuk është zvogëluar as pas mbylljes së kufijve nga pala hungareze. “Në qendrën e pranimit në Preshevë, në ditë regjistrohen 2 mijë emigrantë, shumica prej tyre nga Lindja e Mesme”, – ka thënë Ahmet Halimi, sekretar i Kryqit të Kuq në këtë qytet. Sipas tij, vetëm dje në mëngjes kanë arritur 500 vetë, që presin të regjistrohen. Por, Ahmet Halimi thekson se mbyllja e kufirit në Hungari ka ndikim edhe në qendrën e pranimit në Preshevë.

“Njerëzit janë nisur në rrugë, pa e ditur se ku do të shkojnë. Tashmë pengesë është barriera me tela gjemborë, të gjithë janë nervozë, kështu që ne jemi të kujdesshëm me ta”, – tha Halimi, duke ka shtuar se “ka edhe të atillë që nuk kanë asgjë, as rroba, as mbathje, sepse kanë qenë në anije, e cila është përmbysur në det, kështu që kanë mbetur pa asgjë”.

Ai ka theksuar se asnjëri nga refugjatët nuk mbetet në Preshevë, dhe pasi e marrin vërtetimin për regjistrim, u lejohet qëndrimi treditësh në Serbi ose duhet të paraqesin kërkesë për azil. Nëse nuk e bëjnë, kwtw, ata pas tri ditësh duhet të largohen nga Serbia. Më tutje, Ahmet Halimi ka njoftuar se emigrantëve u jepet ushqim, ndërsa nga një donator privat marrin qumësht për fëmijë. “Ushqimin e siguron edhe UNHCR-ja, meqë rezervat tona janë pranë fundit”, – tha Halimi.

Emigrantët e ardhur nga vendet e Lindjes kryesisht, kanë si synim Kroacinë, e nëpërmjet saj të kalojnë në Gjermani. Në rast të një vale më të madhe të refugjatëve, Kroacia tashmë ka përgatitur 3 mijë vende për vendosje në objekte – 700 vende në strehimoret në Zagreb dhe Kutin, si dhe 2 mijë e 300 vende në objektet e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kroacisë, përfshirë edhe pushimoren për policinë në Valbandon, në Istër. Kryeministri i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka theksuar se vendi i tij është i gatshëm që t’i pranojë, por edhe t’i transferojë refugjatët.

“Ne jemi të gatshëm t’i pranojmë, por nëse doni edhe t’i orientojmë ata njerëz. Nuk ka rëndësi se çfarë besimi apo çfarë ngjyre kanë. Por, është e dukshme që ata dëshirojnë fuqishëm që të shkojnë në Gjermani, Skandinavi dhe disa vende të tjera”, – tha kryeministri kroat.

Ai ka shtuar se politika aktuale e Hungarisë ndaj refugjatëve është e dëmshme dhe e rrezikshme. Në anën tjetër, pas mbylljes nga ana e Hungarisë të vendkalimeve kufitare me Serbinë, në zonën kufitare ndërmjet këtyre dy vendeve, kanë mbetur të ngujuar disa qindra refugjatë, një pjesë e të cilëve po bëjnë grevë urie, duke porositur Evropën që “t’i vijë turp”. Të martën në orët e vona, në kufirin e Serbisë me Hungarinë, ka shkuar edhe ministri i Policisë së Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, i cili ka premtuar se Beogradi nuk do ta përdorë dhunën ndaj refugjatëve. Deri më tani, autoritetet hungareze kanë deklaruar se kanë arrestuar 174 refugjatë për tentim të hyrjes jolegale në Hungari.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb