Një tjetër operacion anti-drogë është zhvilluar nga policia gjatë natës në Kavajë. Gazetarja Kloadjana Haxhiaj bëri me dije për “BalkanWeb” se rreth orës 01:00 të mëngjesit të sotëm, policia ka sekuestruar 700 kg kanabis sativa në fshatin Bago të Kavajës.

Mësohet se policia është vënë në ndjekje në rrugën që të çon drejt “Plazhit të gjeneralit”, një furgon dhe në një makinë tip fuoristradë plot me drogë.

Me të pikasur policinë, drejtuesit e mjeteve dhe shoqëruesit janë larguar. Policia që kishte ngritur prita në të gjithë zonën, në një vend tjetër ka ndaluar 4 persona. Dyshimet e para janë që droga ka ardhur nga një rreth tjetër, me qëllim që të shkonte drejt “Plazhit të Gjeneralit” dhe më pas të transportohej me mjete lundruese drejt Italisë. Operacioni është në zhvillim e sipër për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë trafik të drogës.

Burime konfidenciale thanë se droga e kapur është peshuar gjatë gjithë natës në Komisariatin e Policisë së Kavajës dhe ka rezultuar 700 kg..

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: