Policia greke jep detaje të reja në lidhje me operacionin e policisë që çoi në pranga dy shqiptarë në zonën e Artës, të cilët udhëtonin në dy makina të mbushura plot e përplot me kanabis, 392 kg në total.

Hetimet e policisë greke, siç bëjnë me dije burime të “BalkanWeb” kanë çuar në konkluzionin se ishte pikërisht një 42-vjeçare nga Athina, ajo që siguronte rrugën e kalimit për shqiptarët.

Shoferët shqiptarë, njëri 32-vjeç dhe tjetri 44 u kapën në qytetin e Artës, ndërsa droga, sipas hetimeve të policisë helene, kishte si destinacion Athinën, aty ku edhe jetonte, mikesha greke e njërit prej shoferëve.

AKSIONI I POLICISË
Policia greke pikasi në Sikoula, Aitiloakarnania dy automjete, drejtuesit e të cilave nuk iu binden thirrjes për të ndaluar duke shtuar shpejtësinë. Mjetet u ndoqën nga policia me rezultat kapjen e një prej tyre në Triantafiloula, Aitiloakarnania, ku edhe u arrestua drejtuesi shqiptar 32-vjeç, ndërrkohë që mjeti tjetër u gjet i braktisur në po të njëjtën zonë. Pas kontrollit, në mjetin e parë u gjetën 115 pako me 178 kg 133 gram marijuanë, ndërkohë që në mjetin e dytë u gjetën 37 pako të tjera me 213 kg e 800 gram marijuanë. Pas kontrolleve, në të njejtën zone, u kap edhe një makinë e tretë ku u arrestuan një shqiptar 44 vjeç dhe shtetësja greke 42-vjeç, e cila ishte pronare e mjetit.

44-vjeçari u identifikua si drejtues i mjetit të dytë që u gjet i braktisur, ndërkohë që 42-vjeçarja nga hetimet rezultoi se me mjetin e saj kishte shërbyer si kontrolluese e rrugës.

Dy mjetet e kapura me drogë rezultuan të vjedhura në Athinë në 10 shtator 2016 dhe 7 dhjetor 2016. Në total u sekuestruan 391 kg 933 gram marijuanë, 3 makina, 340 euro, 2200 lekë të reja, 6 Leva bullgare, dhe 6 celularë.

Policia greke është duke hetuar nëse ky grup ka trafikuar drogë edhe herë të tjera nga Shqipëria në Greqi apo nëse kjo ishte rruga e parë që po kryente. Shqiptarët e arrestuar akuzohen për krijim dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb