Nga: Dr. Isidor Koti

Gabrielin (Kujtimin), e shoh ditët e javës te “Rruga e Kavajës” në Tiranë, duke rrugëtuar nga “Kombinati” për kilometra të tërë vajtje-ardhje, me forcën e tij rinore, ndërsa çdo të diel e takoj në Kishë. Madje ai është më i rregullt se unë, vjen më shpejt në shërbesë, edhe pse ka vështirësinë e kuptueshme për të ardhur me karriken e tij me rrota, e cila e mban “peng” me fatin prej shumë vitesh. Ai e ndjek Liturgjinë Hyjnore me vëmendje, është i përqëndruar, shpreh dashuri të krishtere me të gjithë, duke i takuar bashkëbesimtarët me respekt e mirënjohje. Të gjithë e duan. Le ta them hapur: Gabrielin e shoh me “zili” dhe mësoj prej tij (pa e ditur ai) se çdo të thotë këmbëngulje dhe shpresë. Po njoh shembullin e një të krishteri te privuar nga të mirat tokësore, por i bekuar me begatinë qiellore, për të cilën lufton me zell prej titani në jetën e tij shpirtërore. Çfarë shembulli mahnitës! Kur e takova herën e fundit, si për ta kurajuar, i thashë: “Te gjithe kemi sfidat tona”. Ai mu përgjigj: “Lum ai që nuk humbet toruan”. Si Gabrieli ka shumë të tjerë që jetojnë mes nesh dhe janë të veç (uar) antë!
Prej syve të vuajtur, prej zemrash me brenga, me shumë halle deri në vitet e fundit të jetës, ravijëzohen në sytë e tyre një mijë e një probleme dhe shpresa të pasosura. Gjithësesi ata nuk janë vetëm. Gjithmonë pranë tyre ndodhen njerëz zemërdhembshur, jo thjesht për t’i ngushëlluar në një ditë jo aq të zakonshme siç është 3 dhjetori, duke mposhtur disi vetminë e tyre, por për t’iu treguar dashurinë e vërtetë të krishterë që nis këtu në tokë e përfundon në përjetësi. Luftojnë çdo ditë për të drejtat e tyre, për t’u arsimuar e punësuar dhe për të pasur mundësi të barabarta. Lufta e tyre nuk është një kohë e shkuar dëm, përkundrazi. Nëse kthehemi në histori, në vitin 1992, në një nga rezolutat e Kombeve të Bashkuara, u përcaktua se data 3 dhjetor do të jetë Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara (sot ndërkombëtarisht ata emërtohen: persona me nevoja të veçanta). Kjo ditë shërben për të fokusuar vëmendjen ndaj eliminimit të barrierave e pengesave të shumta që shpesh bëhen pengesë në pjesëmarrjen e plotë të këtyre personave në jetën shoqërore.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka treguar një vëmendje të veçantë ndaj personave me nevoja të veçanta mendore por edhe atyre me nevoja fizike, duke treguar dashurinë dhe kujdesin e Saj. Përmes aktiviteteve në vite është shprehur gatishmëria për të qëndruar pranë në lutje dhe ndihma shpirtërore e materiale ndaj kësaj pjese të shoqërisë, që më shumë se çdo gjë tjetër ka nevojë për dashuri. Klerikët, të rinjtë dhe gratë, si dhe shumë besimtarë të thjesht organizojnë veprimtari të vazhdueshme prej shumë kohësh si për të treguar një miqësi që ka nisur dhe vijon me entuziazëm, duke u bërë edhe më e bukur nga njëri vit në tjetrin. E gjithë kjo përpjekje sociale, e frymëzuar nga dashuria e Krishtit për krijesën, mbetet një kontribut i dorës së parë nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë dhe Kryepiskopi Anastas, duke ofruar ndihmë të pakursyer ndaj kësaj kategorie, sepse Kisha dhe ndjekësit e saj beson se të gjitha provat e jetës janë nën kujdesin e Zotit dhe se gjithçka punon për të mirën e atyre që e duan Perëndinë.
Vazhdimisht shumë prej personave me nevoja të veçanta, me shpirt të pasur falenderojnë organizatorët e veprimtarive të ndryshme, por në veçanti Perëndinë, duke u lutur së bashku për mbarështimin e të mirave dhe për një jetë të pasosur më Krishtin. Lidhja e Grave Orthodhokse bashkë me Rininë Orthodhokse kanë një bashkëpunim humanitar mjaft të mirë me këtë kategori, duke i ndihmuar ata kudo ku ndodhen në çdo formë që të jetë e mundur: me ushqime, veshmbathje, kurime shëndetësore, ndihmë shpirtërore etj. Nuk është e çuditëshme të shikosh se sa të aftë janë të përshtaten me gjithësecilin që ndodhet në kushte normale fizike. Madje aftësitë e tyre krijuese i kapërcejnë hamendjet. Në fytyrat e tyre lexohet gëzimi dhe energjia e jetës. Ata kanë potenciale në vetvete dhe një botë shpirtërore që të mahnit.
Prandaj çdo 3 dhjetor nuk mjafton që thjesht të kujtohemi. Ja pra edhe një zakon i mirë për ne që të kujdesemi gjithmonë për personat me nevoja të veçanta, në çdo rrethanë. Mund të ndezim një shkëndijë, që të jenë edhe ata të etur për urtësinë hyjnore. Është gjëja më e rëndësishme që dikush mund të bëjë për dikë tjetër, pa dallim. Nuk ka vend që të mos arrijë lutja ndërmjetësuese dhe asnjë derë që ta pengojë e të futet dashurinë e njeriut për njeriun. Aq më tepër për njerëzit që kanë nevojë jo vetëm për një qese me ushqime, rroba apo ilaçe, por mbi të gjitha për prezencën dhe dashurinë tonë.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb