TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka shënjestruar sot opozitën për çmimin e karburantit, pasi, sipas tij, në tetë vite qeverisje çmimi i naftës u rrit 200%, ndërsa qeveria 16 muaj e uli atë në 20%.

“Ju thanë që çmimi do rritet si askund në botë. Që veturat, kamionët, anijet, madje edhe furrat e bukës, do ndalen. Tani ju thonë pse nuk ulet më shumë se kudo në botë… Sepse kanë vetëm një dëshirë; T’ju mërzisin sa të munden! Vetëm një punë: T’ju gënjejnë sa të munden! Vetëm një qëllim: T’ju përdorin si të munden! Për një arsye të vetme: Pushtetin e tyre të humbur! Ngrenë gishtin dhe akuzojnë përditë për plagët e panumërta që hapen vetë. Për borxhet e mëdha. Për gropën e energjisë. Për kancerin e korrupsionit në arsim e shëndetësi. Madje, kanë kurajon të na akuzojnë deri edhe për drogën e për krimin që i mbollën dhe rritën në prehrin e pushtetit të tyre”, shkruan Rama Facebook.

“Janë i mbyturi që mbyt kë i vete pas”, shprehet Rama në mbyllje të komentit të tij në statusin social Facebook, ku sjell si argument shifrat krahasuese në tabelën grafike.
Në 2013 çmimi i naftës ishte 195 lekë për litër, ndërsa në vitin 2015 është165 lekë për litër dhe ulja do të vazhdojë, pohon kryeministri Rama.
ramanafta

REAGON BASHA: NUK MASHTROHET MË ASKUSH NGA KY NASTRADIN

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha iu kundërpërgjigj kryeministrit Rama për çmimin e karburanteve, duke e konsideruar si mashtrim deklaratën e tij se qeveria aktuale e ka ulur çmimin e karburantit me 20%.

“Vajmedeti nuk del dot nga bunkeri i mashtrimit dhe propagandës. E ka kuptuar që bojatisja e gënjeshtrave nuk pi më ujë, ndaj është rikthyer te sporti i tij i vjetër: Ia hedh fajin kujt të mundet por vetë nuk pranon asnjë përgjegjësi. E ka kot! Nuk mashtrohet më askush nga ky nastradin. Shqiptarët po i provojnë në kurriz bëmat e tij. Premtoi ulje të çmimit të energjisë por e rriti; premtoi ulje dhe subvencionim për naftën por e rriti në nivelin më të lartë në Ballkan dhe Europë; premtoi shëndetësi falas por i ktheu spitalet në kuplara; premtoi reformë në arsim por i ktheu drejtoritë arsimore në motele për pushtetarët; premtoi 300 mijë vende pune por shpunësoi mijëra kryefamiljarë, të rinj e të reja. Punësoi vetëm riformatot, kolumbianët dhe bandat e lidhura kokë e këmbë me të, që e kthyen Shqipërinë në Kolumbi të Europës. Kjo nuk është Shqipëria që duam. Durimit të njerëzve i ka ardhur fundi.”- shkruan Basha në “Facebook”

Lideri i opozitës ftoi qytetarët në protestën e paralajmëruar për ditën e hënë, duke u bërë thirrje të fikin makinat për minuta në orën 11:00.

“Të hënën, në ora 11:00 startojmë protestën e madhe qytetare. Ndalim 5 minuta qarkullimin në të gjithë vendin dhe nisim aksionin e madh qytetar kundër çmimit të naftës, kundër çmimit të energjisë, kundër çmimeve dhe taksave të larta, kundër papunësisë, varfërisë dhe padrejtësisë”, – shkruan Basha.

(d.b/er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: