Mediat britanike kanë zbuluar detaje të tjera interesante të finales së “Champions League” të luajtur të shtunën mes Liverpool dhe Real Madrid.

Padiskutim te ekipi anglez protagonist ishte portieri Loris Karius, por jo për mirë pasi bëri dy gabime trashanike që kushtëzuan ndjeshëm fituesin. Në fund, Karius i ndjerë fajtor me lot në sy shkoi te tifozët për të kërkuar falje.

Sigurisht që shumica prej tyre u prekën teksa shihnin portierin e tyre në atë gjendje dhe nuk nguruan t’i jepnin mbështetjen. Por nëse kjo skenë bëri shumë përshtypje edhe tek ata që e shihnin nga televizori, imagjinoni si janë ndjerë nëna dhe e dashura e futbollistit, te cilat kishin udhëtuar në Kiev për ta ndjekur nga afër.

Gazetari i “The Independent”, Simon Hughes, ka përshkruar ngjarjen, e cila duket mjaft prekëse.

Pas vërshëllimës së arbitrit, Karius u shtri në tokë dhe filloi të qante. Në këto momente e dashura e portierit është emocionuar shumë. Ajo është ngritur në këmbë dhe po dridhej, por aty pranë ishte nëna e Karius e cila ka arritur ta qetësojë disi.

E gjithë situata është parë nga gruaja e trajnerit Kloop, Ulla, e cila ka zbritur dy shkallë më poshtë nga tribuna për të ngushëlluar të afërmit e Karius. Gazetari shton se kjo situatë vazhdoi edhe për disa çaste kur portieri shkoi t’i kërkonte falje tifozëve.

Në këto momente të tre gratë janë dëshpëruar shumë, por disa përqafime dhe nën krahët e njëra-tjetrës kanë arritur të kalojnë situatën e vështirë.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb