Nga Dr. Jorgji Kote

Ajo që ndodhi pardje, më 26 tetor në Barcelonë, kryeqyteti i rajonit autonom të Katalonjës në Spanjë i ngjante shumë shpalljes së pavarësisë së Flandrës nga parlamenti i këtij rajoni në veri të Belgjikës më 13 dhjetor 2006. Ashtu si në Katalonjë, këto ditë edhe në Flandër forcat dhe mbështetësit e pavarësisë së kësaj pjese të federatës belge, me gjithë acarin e dhjetorit festonin me eufori, parada, muzikë dhe fishekzjarrë. Kushdo që kalonte në Bruksel dhe qytete të tjera ato javë e më vonë, mund të shihte të valëviteshin flamujt e Flandrës në shumë dritare dhe ballkone shtëpish.

Ndërkohë, ngritja e flamurit të pavarësisë së Flandrës ishte një traumë e vërtetë për popullsinë e rajonit të Valonisë në jug të vendit dhe në Bruksel, por edhe për një shumicë të madhe në Flandër; tregojnë se tramvaji i linjës pasi mbërriti në stacionin Tervuren në Bruksel, ndaloi dhe pasagjerëve iu kërkua të zbrisnin, sepse aty demek ishte kufiri me shtetin e ri të pavarur. Dhe më i madh ishte tensioni në politikën belge dhe atë evropiane.

E megjithatë, ato ditë dhjetori 2006, në Barcelonë dhe gjetkë katalanasit shijonin të pashqetësuar kafen dhe diellin mëngjesor, duke e përcjellë me indiferencë këtë lajm dhe ngjarje tronditëse; ata po tregoheshin të urtë dhe të mençur, duke mos dhënë asnjë shenjë se do të ndiqnin shembullin flamand.

Tani e njëjta pamje vërehet në Belgjikë dhe në rajonin e Flandrës, që po i përcjellin ngjarjet dhe zhvillimet në Spanjë/Katalonjë me të njëjtën qetësi, heshtje dhe indiferencë. Natyrisht, jo si “hakmarrje”, por për shkak të dinamikës antiseparatiste të ngjarjeve në Flandër, në Belgjikë dhe në botë gjatë 11 viteve të fundit.

E përmendëm këtë “invers” indipendentist, sepse nëse ka një rajon të ngjashëm pothuajse në të gjitha aspektet, historike, gjeografike, demografike, politike, ekonomike dhe me prirje të ngjashme separatiste me Katalonjën, ai është Flandra në veri të Belgjikës. Të dyja kanë parlamentin dhe qeverinë e tyre, edhe pse Flandra është pjesë e një shteti federal si Belgjika. Vërtet Katalonja me 32.000 km katrore është 2,5 herë me e madhe në sipërfaqe, por gjithsesi ajo përfaqëson vetëm 10 për qind të territorit të Spanjës, ndërsa Flandra me 13.5 mijë km katrore përfaqëson 45 për qind të territorit belg dhe me 6,5 milionë banorë përfaqëson mbi gjysmën e popullsisë belge, kurse Katalonja me 7,5 milionë banorë është vetëm sa 15 për qind të popullsisë së Spanjës.

Ashtu si Katalonja, Flandra është rajoni më i pasur dhe më i zhvilluar industrial, bujqësor, tregtar dhe kulturor i Belgjikës. Edhe GDP-ja e tyre në përgjithësi dhe për frymë është pothuajse e barabartë. Ndërkohë, Flandra ka avantazhe kundrejt Katalonjës si nyje e madhe e trafikut të shumëllojshëm ndërkombëtar të transportit dhe shërbimeve. Porti i Anversës është i dyti më i madh në Evropë, pas atij të Roterdamit, ndërsa tregu i Diamantit aty është më i madhi në botë, me 10 për qind të eksporteve belge. Flandra ka qenë dhe mbetet qendër e njohur e merkantilizmit ndërkombëtar, që lulëzoi në shekullin e XVII e kështu me radhë. Aty ndodhet veç të tjerash, Universiteti Katolik i Leuvenit, më i lashti në Evropë, i themeluar qysh në vitin 1425.

Kësisoj, Flandra dhe Belgjika bashkë me mënyrat dhe alternativat si e kanë trajtuar dhe po e zgjidhin në mënyrë demokratike, kushtetuese dhe në pajtim me frymën evropiane çështjen delikate të pavarësisë së saj, përfshirë dhe tensionet jo të pakta mund të shërbejë si model për trajtimin e krizës së tanishme në Spanjë, pavarësisht krizës së tanishme.

Siç u përmend qysh në fillim, shpallja e pavarësisë së Flandrës më 2006 e futi Belgjikën në një spirale krizash qeveritare dhe institucionale, që u zgjidhën përfundimisht me negociata të gjata në tetor 2011. Gjendja u stabilizua edhe më shumë pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2014, pas hyrjes për herë të parë Parlamentin Federal të partisë nacionaliste me prirje separatiste N-VA. Madje, falë një kompromisi vërtet historik përmes shumë debateve dhe kundërshtive të opozitës, N-VA hyri për herë të parë edhe në kabinetin e ri qeveritar federal me shumë poste kyçe si të ato të brendshëm, drejtësisë, financave, etj. Kjo u bë mbi bazën e premtimit politik të lidershipit të saj se të paktën deri në zgjedhjet e vitit 2019, ajo nuk do t’i referohej aspiratës së saj për pavarësi, që në fakt ajo i është përmbajtur. Ishte ky një mesazh i fuqishëm se nacionalistët flamandë po hiqnin dorë gradualisht “dhe me lezet” nga synimi i saj strategjik për krijimin e Flandrës së pavarur.

Gjatë këtyre viteve në pushtet, lideri i saj karizmatik, Bart De Wever mbi bazën e zhvillimeve të reja politike, ekonomike e sociale në vend, kriza e azilit dhe ajo e terrorizmit si dhe analizave/studimeve të kryera nga ekspertë dhe politikanë të njohur mbi kostot dhe përfitimet përkatëse kuptuan më së miri se projekti flamand i ndarjes nuk do të ishte i realizueshëm e ca më pak të ishte i suksesshëm si brenda vendit e aq më tepër të njihej në arenën ndërkombëtare. Sepse në radhë të parë, ende dhe sot mungon fryma separatiste, mungon mbështetja masive nga shumica e vetë Flandrës, sidomos rinia, biznesi, etj. Sipas të dhënave më të fundit, 75 për qind e banorëve të Flandrës pohojnë se edhe pse flamandë, ata ndihen krenarë edhe si belgë dhe evropianë. Së dyti, pengesa madhore është statusi i trefishtë i Brukselit, si kryeqyteti i Valonisë, Belgjikës dhe BE-së dhe së treti, trashëgimia e borxheve kolosale në nivelin 105 për qind që do të kompromentonin rëndë idenë e pavarësisë me një kosto të tillë të papërballueshme.

Tashmë është pohuar se pavarësia e Flandrës nuk do të hidhet për diskutim as gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2019. Në vend të saj, debatet dhe alternativat do të përqendrohen në zbatimin e mëtejshëm dhe vijimin e reformave institucionale, ripërtëritjen ekonomike dhe sociale të vendit, integrimin e të huajve, etj.

Ja pse Katalonja dhe Spanja mund të mësojnë nga Flandra dhe Belgjika në shumë drejtime. Edhe Belgjika është ndër shtetet tipike federale me 6 parlamente dhe qeveri rajonale, mijëra bashki dhe komuna, si dhe qeverinë e parlamentin federal dhe senatin. Një labirint i ngatërruar dhe gjigant organizmash, por që me gjithë problemet e pamohueshme, në përgjithësi funksionon kënaqshëm dhe sipas parametrave demokratikë evropianë.

Vlerë tjetër e madhe e këtij vendi federal është bashkëjetesa mjaft e mirë në kushtet e një diversiteti të pashembullt dhe kontrasteve jo pa probleme, që vështirë se gjenden në vende të tjera dhe në Spanjë; janë kontraste të shumëllojshme – kështu, veriu banohet nga flamandë, ndërsa jugu nga valonë; veriu nga protestantë, jugu nga katolikë; në veri është në pushtet e djathta, në jug e majta; industria dhe tregtia janë në veri, bujqësia në jug, në veri flitet gjuha flamande, në jug ajo valone. Katalonja mund të mësojë gjithashtu nga Flandra se nuk është më koha e fragmentizimit dhe rajonalizimit, por e bashkimit, globalizmit dhe e evropianizimit. Praktikisht, nëse edhe rajonet të tjera në Evropë do të ndiqnin shembullin katalanas, atëherë siç pohoi para disa ditësh presidenti i Komisionit Evropian Jean Claude Juncker, BE-ja do të detyrohej të kishte 98 vende anëtare! Kjo do ta bënte krejt të pamundur funksionimin e saj.

Në këto kushte, alternativa më efikase dhe e pranueshme për të gjithë është shtimi në maksimum i kompetencave të pushtetit lokal deri në nivel komune në të gjitha fushat, përfshi edhe atë të diplomacisë dhe politikës së jashtme, taksat dhe tatimet, etj. Tashmë në Belgjikë qeveritë rajonale kanë të drejta të plota të nënshkruajnë edhe marrëveshje ndërkombëtare, pa marrë pëlqimin e qendrës, me përjashtim të ndonjë marrëveshjeje me karakter federal dhe politik.

Mësimi tjetër i dobishëm është se probleme të kësaj natyre nuk zgjidhen me referendume/ultimatume, as me gjuhën apo përdorimin e forcës, edhe kur kjo justifikohet me kushtetutshmërinë. Këto të fundit në fakt më shumë u japin “municion” forcave nacionaliste se sa zgjidhin problemin në fjalë, sepse atje votohet jo “me mendje, por me zemër”. Referendumi për Brexit është rasti më i freskët dhe bindës në këtë drejtim.

Përfundimi i fundit dhe më i rëndësishëm që jep përvoja flamande/belge është se kriza dhe probleme të kësaj natyre zgjidhen në mënyrë të qëndrueshme vetëm ose kryesisht me dialog, bisedime, lëshime, tolerancë dhe kompromis ndërmjet të gjitha forcave politike dhe qeveritare, organizmave shtetërore dhe OJQ-ve, biznesit, organizatave ndërkombëtare dhe padyshim legjislacionit përkatës.

Mirëpo kjo kërkon përgjegjshmëri të lartë dhe nga lidershipi spanjoll në nivel kombëtar dhe atë rajonal. Pa përjashtuar mungesën e impenjimit të duhur politik më të hershëm dhe tërësor për trajtimin e kësaj krize të rëndë politike dhe institucionale nga qeveria spanjolle, shumica dërmuese e analistëve dhe ekspertëve politikë nënvizojnë miopinë politike të liderit të Katalonjës, Puigdemont, që i ka hyrë një rruge pa krye. Siç shprehet shkrimtari i njohur belg, Grigoire Polet, ky muaj dhe java e fundit ishte irracionale për Katalonjën. Aty nuk pati “politikë, por mistikë”. Kjo dëshmoi edhe njëherë se forcat nacionaliste/separatiste mund të kenë vërtet politikanë, por jo politika, ca më pak të qëndrueshme dhe të pranueshme nga komuniteti ndërkombëtar.

Ndaj, “Republika e Katalonjës” mund të thuhet se “ka lindur e vdekur”. Në vend të saj, Spanja dhe Katalonja me siguri janë “të dënuara” t’i hyjnë një rruge të gjatë përpjekjesh dhe demashesh; vetëm me një “smart power” (fuqi të mençur) efektiv mund të gjenden zgjidhjet e duhura evropiane si “në frymë”, ashtu edhe në “gërmë”. /Gsh.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: