Roi Kin ka kritikuar Mançester Junajtid pas kualifikimit në Kupën FA me Koventrin të dielën, duke e krahasuar me një skuadër Championship-i. Ish-kapiteni i “djajve” nuk e kafshoi gjuhën për skuadrën e Erik ten Hagut, pasi i pa ata të shpërdoronin epërsinë 3-0 në një përballje dramatike në “Uembli” përballë skuadrës së Championship-it, Koventrit.

Megjithatë, Junajtid arriti të kualifikohej në fund pas goditjes së penalltive. Por irlandezi beson se skuadrës i mungojnë liderët dhe akuzoi se ata përdorin të njëjtat justifikime për dështimet e skuadrës dhe shtoi se janë në finalen e 25 majit përballë Sitit vetëm se kishin fat. “Disa nga lojtarët dhe tifozët e Junajtid ishin të vakët me festimet”, tha ai gjatë komentit për “ITV”.

“Ata ishin pothuajse të turpëruar që fituan në fund. Sa herë që shoh këtë ekip të Junajtid nuk më pëlqen ajo që shoh. Flisni për lidershipin dhe karakteret, por nuk e shoh këtë në këtë ekip të Junajtid. Ata u kualifikuan me fat. Ne po bëjmë të njëjtën bisedë çdo javë me Mançester Junajtid, ju nuk e dini se çfarë i pret”. Ai veçoi lojtarët për shfaqjen e mungesës së karakterit dhe tha se portieri Andre Onana duhet të tregojë më shumë guxim. “Ju gjithmonë thoni se keni nevojë për pak fat. Meguajër tha se ata treguan karakter, nuk shoh karakter në këtë grup lojtarësh. Po shikoj portierin, duke shpenzuar kohë. Thjesht vazhdo dhe luaj. Tregoni pak guxim”.

Dhe në fund, Kin shtoi se ishte Koventri skuadra që dukej si pjesë e Premier Ligës dhe Mançester Junajtid një ekip Championship-i. “Unë shoh një grup me zakone të këqija, ata ishin pothuajse të frikësuar për ta fituar ndeshjen. Ka probleme të mëdha për Mançester Junajtid në të ardhmen, por ata e mbaruan punën. Në kohën shtesë, Koventri dukej si një skuadër e Premier Ligës dhe Mançester Junajtid dukej si një skuadër Championship-it”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: