TIRANE

Ministri i Brendshëm Taulant Balla mori pjesë e ceremonisë përkujtimit të 80-vjetorit të betejës së Margëlliçit në Patos.

Në fjalën e tij Balla deklaroi se çdo nderim që bëhet për familjet e veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, është një vlerë, që shoqëria jonë duhet ta përçojë në brezat e ardhshëm.

“Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare e vendosi Shqipërinë tonë të vogël si një aleate të madhe të koalicionit global antifashist. E madhe për nga çmimi i jashtëzakonshëm i gjakut që pagoi populli shqiptar dhe sakrificat e panumërta njerëzore. Në këto 30 vite e më shumë, nuk kanë munguar përpjekjet për të mohuar, për të errësuar, apo edhe për ta relativizuar vlerën e luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Historia mund të komentohet, por nuk mund të ndryshohet. Faktet mund të interpretohen, por përmbajtja e tyre është e shkruar me gjakun, sakrificat e luftëtarëve dhe dëshmorëve të lirisë. Nga Margëlliçi, dua t’iu ridrejtohem, kalemxhinjve, por edhe atyre të ashtuquajturve historianë modernë, të mos guxojnë të përdhosin historinë dhe të mos na i rivrasin të rënët tanë”, tha Balla.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Ai tha se qeveria do të bëjë gjithçka që përgjatë vitit të 80-Vjetorit të Çlirimit, të ketë aktivitete të shumta që kulmojnë në 29 Nëntor.

“Nëse në këto të vërteta nuk iu bindim ne socialistët shqiptarë, që e kemi nder të kemi mes nesh pasardhësit e partizanëve dhe çlirimtarëve dhe veteranëve të luftës, bëni durim, lexoni, rilexoni sa herë të mundeni, çfarë kanë thënë aleatët e mëdhenj të partizanëve shqiptarë. Ata janë të shumtë por unë do të doja sot të përmendja vetëm njërin prej tyre, ish-kryeministrin britanik Winston Churchill, i cili, sa i përket kontributit të partizanëve shqiptarë në Luftën II Botërore, në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, thotë: “Partizanët shqiptarë po luftojnë në malet e tyre për pavarësinë e vendit të vet. Oficerët britanikë të ndërlidhjes janë pranë këtyre partizanëve dhe i kanë çmuar lart cilësitë e tyre luftarake në zhvillimin e ardhshëm në teatrin e luftës për Mesdheun”, theksoi Balla, drejtues politik i qarkut Fier.

Fjala e plotë e Ministrit të Brendshëm Taulant Balla në ceremoninë për nder të 80-vjetorit të betejës së Margëlliçit:

Mirëdita dhe shumë faleminderit të gjithëve ju që keni ardhur sot në këtë 80-vjetor të një prej betejave më legjendare të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Gjej rastin të falënderoj drejtuesit e dy organizatave tona të çmuara, e organizatës të veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, dhe të organizatës të familjeve të dëshmorëve të cilat kanë një meritë të veçantë të paçmueshme sa i përket promovimit të vlerave të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, moment i cili në këtë 80 vjetor merr gjithmonë e më shumë rëndësi, dhe dua t’ju garantoj që qeveria dhe Kryeministri Rama do të bëjnë gjithçka që gjatë këtij 80 vjetori, siç po bëjmë sot në këtë 29 mars për të përkujtuar heronjtë e popullit, për të përkujtuar dëshmorët dhe popullin heroik, të kësaj zone, të cilët mbështetën Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, do të bëjmë çdo ditë të këtij viti për të kulmuar në 29 nëntor për të përkujtuar 80-vjetorin e çlirimit.

Gjej rastin të shpreh se Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare e vendosi Shqipërinë tonë të vogël si një aleate të madhe të koalicionit global antifashist. E madhe për nga çmimi i jashtëzakonshëm i gjakut që pagoi populli shqiptar dhe sakrificat e panumërta njerëzore. Nderimi sot dhe përgjatë gjithë këtij 80-vjetori të çlirimit, i sakrificave është në dinjitetin e çdo gjenerate shqiptarësh. Prandaj edhe nderimi i Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, i heronjve, i dëshmorëve të lavdishëm të kësaj lufte, nderimi i çdo faqeje, sikurse është kjo betejë që përkujtojmë sot, i ditës së çlirimit të çdo qyteti dhe i vetë datës të çlirimit të vendit tonë në 29 nëntor 1944, është nderi i çdo shqiptari.

Në këto 30 vite e më shumë, nuk kanë munguar përpjekjet për të mohuar, për të errësuar, apo edhe për ta relativizuar vlerën e luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Historia mund të komentohet, por nuk mund të ndryshohet. Faktet mund të interpretohen, por përmbajtja e tyre është e shkruar me gjakun, sakrificat e luftëtarëve dhe dëshmorëve të lirisë. Prandaj, këtu nga Margëlliçi, dua t’iu ridrejtohem, kalemxhinjve, por edhe atyre të ashtuquajturve historianë modernë, të mos guxojnë të përdhosin historinë dhe të mos na i rivrasin të rënët tanë.

Shqiptarët gjithmonë kanë luftuar për liri dhe kurrë në asnjë rrethanë, në asnjë betejë, në asnjë luftë, shqiptarët nuk kanë qenë pushtues. Faktet flasin se Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare nuk ishte sikurse mundohen të thonë, një konflikt idesh, por një betejë ushtrish të pabarabarta. Nuk ishte një përballje e zakonshme, por një luftë e përgjakshme, në malet, luginat, qytetet, në fshatrat e Shqipërisë, ku partizanët, luftuan, u plagosën, u ringritën, u vranë dhe mbetën të skalitur në historinë, këngët dhe kujtesën e shqiptarëve.

Në Luftën e Dytë Botërore ne shqiptarët, ashtu sikurse edhe shumë popuj të tjerë evropianë, me luftën heroike partizane, u angazhuam në një përpjekje të madhe luftarake dhe të përgjakshme, si aleatë në krah të koalicionit të madh antifashist. Nëse sot jemi krenarë se Shqipëria jonë, gjatë Luftës së Dytë Botërore u vendos në anën e antifashistëve në anën e fitimtarëve dhe frontit të madh të lirisë, kjo është meritë e pakundërshtueshme e partizanëve shqiptarë, këtyre kalorësve të çlirimit dhe lirisë.

Ka pasur gjithmonë përpjekje në këto 30 e kusur vite, për të hedhur baltë ndaj luftës antifashiste dhe dëshmorëve. Sakrifica e mijëra djemve dhe vajzave të Shqipërisë që ranë me një idealizëm të pashoq në luftën për çlirim, e cila nuk mund dhe nuk duhet të mohohet. Padyshim, meriton nga ne më shumë respekt dhe përkujtim. Meriton më shumë sesa fjalët, e përveç fjalëve është mundur të tregohet gjithë këto vite dhe nuk duhet lejuar të ngatërrohet epopeja e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, me atë që pasoi pas vitit 1945. Prandaj nderimi që iu bëjmë sot këtyre 4 heronjve dhe dëshmorëve, që dhanë jetën në betejën e Margëlliçit, por të gjithë atyre që dhanë jetën për çlirimin e atdheut, çdo nderim që bëhet për familjet e dëshmorëve, çdo nderim që bëhet për familjet e veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, është një vlerë, që shoqëria jonë duhet ta përçojë në brezat e ardhshëm.

Nëse në këto të vërteta nuk iu bindim ne socialistët shqiptarë, që e kemi nder të kemi mes nesh pasardhësit e partizanëve dhe çlirimtarëve dhe veteranëve të luftës, bëni durim, lexoni, rilexoni sa herë të mundeni, çfarë kanë thënë aleatët e mëdhenj të partizanëve shqiptarë. Ata janë të shumtë por unë do të doja sot të përmendja vetëm njërin prej tyre; ish-kryeministrin britanik Winston Churchill, i cili, sa i përket kontributit të partizanëve shqiptarë në Luftën II Botërore, në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, thotë: “Partizanët shqiptarë po luftojnë në malet e tyre për pavarësinë e vendit të vet. Oficerët britanikë të ndërlidhjes janë pranë këtyre partizanëve dhe i kanë çmuar lart cilësitë e tyre luftarake në zhvillimin e ardhshëm në teatrin e luftës për Mesdheun”.

Partizanët shqiptarë pra, luftuan kundër okupatorëve të egër, të cilët nuk erdhën në Shqipëri si kalimtarë, si mundohen ta relativizojnë sot, por me një qëllim të qartë e të deklaruar, pushtimin e Shqipërisë. Këtë nuk e themi vetëm ne, këtë nuk e thonë vetëm historianët seriozë e patriotë shqiptarë, por dhe studiues, madje edhe drejtues të koalicionit antifashist, sikurse ishte Winston Churchill. Të dashur miq e të ftuar, shumë faleminderit që jeni sot, në këtë moment historik! Rroftë Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare! I paharruar qoftë kujtimi i dëshmorëve dhe heronjve të atdheut tonë!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb