TIRANE- Deputetja e LSI, Kejdi Mehmetaj ka folur pas seancës gjyqësore nga Gjykata e Apelit Shkodër ndaj 11 kuksianëve të arrestuar për protestën në Rrugën e Kombit kundër taksës në këta aks rrugor. Gjykata vendosi të lërë 4 nga 11 të arrestuarit në burg, ndërsa Kejdi Mehmetaj thotë se gjyqi ishte politik dhe politika i ka futur kthetrat edhe në drejtësi.

“Gjyqi politik vazhdon dhe politika i ka futur kthetrat e saj edhe në drejtësi sepse edhe sot pati një vendim të pjesshëm që qëllim në vetvete ka së pari të justifikoj qëndrimet e prokurorisë dhe gjykatës por nga ana tjetër dhe të krijojë një përçarje ndërmjet qytetarëve të Kukësit. Megjithatë e drejta e qytetarëve do të vihet në vend, ata protestuan me të drejtën që ua jep ligji, Kushtetuta. Protesta ishte mese e ligjshme, kushdo që të ishte në vend të tyre do të kishte protestuar me të njëjtat forma ndoshta edhe më shumë se aq dhe të jeni të sigurt se nuk do të ndalemi deri sa edhe 4 të burgosurit e tjerë që vazhdojnë të kryejnë dënimin e tyre të jenë të lirë. Në të gjitha format që ka përdorur opozita deri tani, qoftë nëpërmjet protestës, ndërhyrjes politike po themi në qeveri duhet ta kuptojmë që ky është një vendim politik dhe jo i drejtësisë. Drejtësia në këtë vend ka marrë fund edhe është e gjitha e kapur në kthetra e Edi Ramës”- tha deputetja e LSI.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb