Komisioni Evropian sot e sqaroi qëndrimin e tij për zgjidhjen e krizës politike në Republikën e Maqedonisë dhe posaçërisht lidhur me atë nëse dhe kur duhet të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare, që sipas marrëveshjes nga Përzhino janë caktuar për më 24 prill.

Siç njofton korrenspondenti i MIA-s nga Brukseli, pas deklaratës së sotme të eurokomisarit Johanes Han se nevojitet  që partitë politike të dakordohen për datën e zgjedhjeve, zëdhënësja e tij Maja Kocijançiç në një deklaratë për MIA-n thekson se është e mundëshme që zgjedhjet  në Maqedoni të mbahen  sipas marrëveshjes më 24 prill, por se për këtë nevojitet marrëveshje ndërpartiake, ndërsa Brukseli dëshiron vetëm ato të jenë korrekte.

“Së pari dhe themelore, është që të gjithë liderët duhet të mbeten të përkushtuar në marrëveshjen nga qershor/korriku në të gjitha pjesët e saj. Progresi në zbatim është i rëndësisë vitale në kontekst të shumë sfidave të brendshme dhe të jashtme me të cilat ballafaqohet vendi, si dhe me migrimin. Ne na vjen keq që nuk u arrit konsensus për datën e zgjedhjeve të premten e javës së kaluar edhe përkundër këshillave të ODIHR dhe OSBE-së se data e dakorduar në parim ende është e mundshme”, thekson Kocijançiç.

Lidhur me atë se kur duhet të mbahen zgjedhjet e parakohshme, zëdhënësja e eurokomisarit për negociata për zgjerim e përsëriti qëndrimin e shefit të saj.

“Sa i përket datës së zgjedhjeve, tani është përgjegjësi e liderëve politikë të realizojnë kontakte, me mbështetjen tonë në terren. Ne duam zgjedhje korrekte të cilat do të sjellin progres në vend. Pikërisht për këtë, ne nga ana jonë, do të bëjmë gjithçka për mbështetjen e përgatitjeve, përfshirë edhe pastrimin e listës zgjedhore dhe sigurimin e situatës mediale e cila do të garantojë sjellje korrekte në prezantimin e të gjitha partive politike. Përfundimisht, OSBE-ja do të ketë vëzhgim shumë stabil para dhe gjatë zgjedhjeve”, shton Kocijançiç.

Komisioni Evropian, përmes zëdhënëses së saj, bëri thirrje edhe në miratimin dhe respektimin e prioriteteve urgjente reformuese që KE-ja ia rekomandoi Maqedonisë përmes raportit të ekspertit Rajnhard Pribe.

“Marrëveshja politike mbetet në vend dhe ajo duhet të ndiqet. Po aq e rëndësishme është të arrihet progres lidhur me prioritete për reformë urgjente. Qytetarët me të drejtë e presin këtë progres politik dhe politikanët duhet të tregojnë përgjegjësi me atë që do t’u përmbahet obligimeve të tyre”, përfundon Kocijançiç.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: