Nga: ZONJA VJOLLCA
700 gr lulelakër
1 kokërr qepë
1 thelpi hudhër
1 spec i kuq, 1 spec jeshil
1 lç fara finoku
3 lgj vaj ulliri
½ tufë majdanoz
150 gr djath kaçkavall i butë
6 kokrra vezë
100 gr miell
Kripë, piper i zi

Pastrojmë lulelakrën, ndajmë lulet e vogla të saj nga kërcelli, i shpëlajmë mirë dhe e vendosim në një tenxhere me ujë të vluar për 5 minuta, më pas e kullojmë dhe e lemë të ftohet. Ndërkohë hudhrën e qërojmë dhe e grijmë imët, ndërsa qepën dhe specat i presim në shirita të shkurtër. Vendosim tiganin me vaj sa të ngrohet pak dhe kaurdisim fillimisht qepën për 2-3 minuta, më pas shtojmë specat dhe i kaurdisim për 3 minuta dhe në fund shtojmë hudhrat, farat e finokut, kripën dhe piperin e zi. I lemë të gjithë përbërësit për rreth 1 minutë në zjarr. Ndërkohë ngrohim furrën në temperaturën 200 gradë Celsius dhe shtrojmë një letër pjekje në një tavë me diametër 26 cm. Shkëpusim gjethet e majdanozit nga kërcelli dhe i grijmë imët. Më pas grijmë në rende trashë djathin kaçkavall.
Në një tas të madh rrahim 6 kokrra vezë, më pas shtojmë 100 gr miell, majdanozin, 2/3 e djathit, kripë dhe piper të zi. I përziejmë së bashku duke shtuar në të qepën dhe specat e kaurdisur. I përziejmë përseri dhe në fund shtojmë lulelakrën e zier aldente. Masën e përgatitur e vendosim në tavën me letër pjekje të lyer me pak gjalpë, e nivelojmë me kujdes duke e pudrosur me pjesën e djathit që lamë mënjëanë. E vendosim tavën në furrën e parangrohur në temperaturën 200 gradë Celsius për 25-30 minuta.
(er.cu/vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb