Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për dy persona të arrestuar pak ditë më parë gjatë operacionit policor të koduar “Diamantet”. Sipas Prokurorisë, R. Toska dhe E. Duraj kanë futur në grackë një biznesmen argjendarie në zonën e Yrshekut në kryeqytet, duke iu “shitur” si tregtarë gurësh të çmuar. Pas takimit ata kanë vjedhur me dhunë biznesmenin dhe më pas i kanë kërkuar atij një shumë prej 10 mijë eurosh, në formën e gjobës.

Seancat gjyqësore për vlerësimin e masës së sigurimit personal për të arrestuarit Toska e Duraj u zhvilluan në orët e paradites së djeshme. Burime pranë Gjykatës pohuan se ata nuk dhanë deklarime të hollësishme para gjyqtares së gatshme, Teuta Hoxha. Për shkak të veprave penale që dyshohet të jenë konsumuar nga ana e të akuzuarve, pritet që në ditët në vijim ky procedim penal të përcillet në Prokurorinë për Krimet e Rënda.

SKEMA
Gjatë leximit të aktakuzës, përfaqësuesi i Prokurorisë në seancë ka pohuar se të dyshuarit, si edhe një i tretë i shpallur në kërkim, e kanë joshur përmes një telefonate biznesmenin e argjendarisë. “Kemi diamante të ardhura nga Afrika. Do të vish t’i shikosh”, citoi prokurori ftesën e bërë ndaj biznesmenit. Pa ditur se do të binte në një grackë, biznesmeni ka pranuar takimin me ta. Por, sipas dyshimeve, pasi ka refuzuar gurët e pretenduar si të çmuar, biznesmeni është grabitur me dhunë nga dy të dyshuarit, të cilët i kanë marrë një shumë prej gati 200 mijë lekësh që ai e kishte me vete.
Po sipas Prokurorisë, historia nuk është mbyllur këtu. Gati 24 orë më vonë, të dyshuarit kanë pretenduar një shumë parash nga i dëmtuari. Përmes veprimeve që, sipas Prokurorisë, përmbushin elementë të veprës penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë”, ata i kanë kërkuar biznesmenit dorëzimin e një shume prej 10 mijë eurosh.

ARRESTIMI
Operacioni policor për arrestimin e 26-vjeçarit E. Duraj dhe 28-vjeçarit R. Toska u zhvillua mbrëmjen e së dielës nga shërbimet e Komisariatit nr.6 në bashkëpunim me oficerët e Krimeve të Rënda dhe ata të Forcës së Posaçme Operacionale të Policisë së Tiranës. Autoritetet policore u aktivizuan pas kallëzimit të bërë nga ana e biznesmenit për vendosjen e një “gjobe” 10 mijë euro. Burime policore pohuan se në bashkëpunim me kallëzuesin, policia ka përdorur metodën e dorëzimit të kontrolluar. Ndërhyrja, që ka çuar në pranga dy të dyshuarit, është bërë në momentin kur ata prisnin të merrnin shumën e parave nga ana e biznesmenit./panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb