TIRANË- Këngëtari i njohur Dashnor Diko, tre ditë më parë ka humbur vëllain e tij. Por përveç humbjes së parakohshme të vëllait, i është dashur të përballet edhe me disa informacione të pavërteta për këtë ngjarje.

Ai ka reaguar në Facebook ku pasi falënderon miqtë që i kanë qëndruar pranë sqaron edhe të vërtetën për vdekjen e vëllait.

Diko shkruan se i vëllai nuk ka ndërruar jetë në dyert e gjykatës pasi ka bërë një çështje gjyqësore, por se gjithçka ka ndodhur pas një operacioni të zemrës në SHBA. Po kështu këngëtari sqaron se vëllai i tij ka qenë shofer në gjykatë.

STATUSI I KËNGËTARIT
“Mos të lëntë zoti pa shok dhe pa miq…kjo shprehje e urtë popullore ju përket të gjithë juve që më ndenjët pranë fizikisht dhe virtualisht në momentet e humbjes nga jeta të vëllait tim të shtrenjtë, respekte maksimale për të gjithë ju, paçi vetëm gëzime në familjet tuaja dhe zoti ju bekoftë…sa për sqarim për disa portale që nuk dinë të vërtetën e humbjes së vëllait tim dhe për tjetërsimin e të vërtetës nga ana e tyre ku sipas tyre thuhet se (vëllai im ka ndërruar jetë në dyert e gjykatës pasi ka bërë një çështje gjyqësore). Ju bëj me dije se vëllai im ishte punonjës në atë gjykatë si shofer i kryetares së Gjykatës së Rrethit Tiranë. Mbas një ndërhyrje kirurgjikale kardiake në USA para pak kohësh, nuk mundi që jeta e tij të kishte vazhdim normal, unë nuk mbaj mëri askënd nga ju sepse dhe vetë vëllai më thoshte shpesh. “Mundohu ta bindësh tjetrin me paqe dhe mirësinë tënde”, ju përqafoj të gjithëve.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: