Menu Krye Të Fundit | Shqipëria |

“Keni hetuar brenda PS për çështjen e Gramoz Ruçit?”, Rama “përplaset” me gazetaren austriake

rama ruci

Kryeministri Edi Rama në një intervistë dhënë për gazetën e njohur austriake “Der Standard”, e cilëson qëndrimin e Bashkimit Europian si “padrejtësi ndaj Shqipërisë dhe Kosovës”.

Sipas Ramës, vendet si Serbia apo Mali i Zi, nuk janë pjesë e NATO-s dhe janë në proces tratativash për t’u anëtarësuar në BE.

Sakaq, kryeministri u është përgjigjur pyetjeve të gazetares Adelheid Wölfl, i cili ka kërkuar të dijë nëse PS ka bërë hetime për Gramoz Ruçin, pasi sipas tij, ai konsiderohet si simbol i komunizmit.

Duke folur për procesin e vettingut, Rama tha se verifikimet për gjyqtarët dhe prokurorët do të krijojnë një arkitekturë të re të sistemit.

Kryeministri Rama ka folur edhe situatën me kanabisin në vend, duke u shprehur i vendosur në luftën ndaj kultivimit dhe trafikut të lëndëve narkotike.

Në Shqipëri, këto ditë, komisionet e verifikimit fillojnë të gjejnë ata gjykatës dhe prokurorë, që janë të korruptuar ose që kanë shpërdoruar detyrën e tyre. Çfarë prisni ju nga ky proces?
Këto verifikime janë vendimtare për një arkitekturë të re të sistemit, të cilin e kemi ndryshuar me anë të reformave të thella. Ne kemi një pallat të ri drejtësie. Dhe këto verifikime do të sigurojnë që banorët e këtij pallati të skanohen, disa nuk do të mund të futen brenda. Do të varet edhe nga akuzat, që do të bëjnë (paraqesin) një formë të re drejtësie. Së shpejti, do të shohim rezultate konkrete.

Por edhe rezistencë kundërshtuese apo?
Rezistenca kundërshtuese ishte e pranishme që në ditën e parë. Por tani, procesi e ka kaluar pikën kritike dhe reformat nuk u ndrydhën.

Sa thellë ka zënë vend korrupsioni në sistemin e Drejtësisë shqiptare?
Një pjesë e konsiderueshme e njerëzve, me siguri, do të pushohet. Procesi i tanishëm nuk lejon hapësirë që ata t’i shpëtojnë apo të depërtojnë në sistem. Reforma e Drejtësisë është e lidhur edhe me fillimin e tratativave për anëtarësim në BE-në.

Kur do të mund të fillojnë ato?
Kjo nuk dihet kurrë me BE-në, sepse tek ajo ndryshojnë vazhdimisht pozicionet dhe kushtet. Ne na u tha që tratativat fillojnë kur të bëhet Reforma Kushtetuese në kapitullin e drejtësisë. Kështu, ne e ndryshuam Kushtetutën, por bisedimet për anëtarësim nuk filluan. Pastaj na u tha, që për të filluar tratativat, është i rëndësishëm ligji për komisionet e verifikimit. Pastaj na u tha që janë të rëndësishme zgjedhjet, që të mund të fillojmë. Tani, ne i kemi kryer të gjitha dhe do të shohim. Mund të bëhet vitin e ardhshëm, në qoftë se Këshilli i BE shpreh një mendim pozitiv për këtë, por edhe mund të jetë, që mos të bëhet vitin e ardhshëm. Nuk është fjala për Shqipërinë. Procesi i zgjerimit është bërë gjithnjë e më shumë jo-”fair”, dhe për shtetet, më pak i parashikueshëm. Kjo ka të bëjë me vetë Europën.

Presidenti i Komisionit të BE-së, Jean-Claude Juncker, në fjalën e tij ,”State of the Union”, ka folur për perspektivën e zgjerimit, por në letrën e tij drejtuar Presidentit të Këshillit, ai ka përmendur veçmas vetëm Serbinë dhe Malin e Zi në vitin 2025, dhe Shqipërinë nuk e ka përmendur …
Unë nuk mendoj se kjo duhet lexuar kështu. Ai nuk i ka përjashtuar të tjerët, ai ka përmendur vetëm Serbinë dhe Malin e Zi veçmas, sepse ato janë tashmë në tratativa.

Ka një shqetësim të dytë, që shtetet e Ballkanit të përafrohen në BE, jo më në bazë të arritjeve të tyre, pra, parimi i regatave, por si një rajon.
Unë nuk dëshiroj që të hiqet dorë nga parimi i varë- sisë nga arritjet dhe unë nuk besoj se BE-ja do ta bëjë këtë. Sepse kjo ka rëndësi, që shtetet të përmirësohen faktikisht. Nëpërmjet integrimit në BE, ne mund të modernizojmë vendet tona dhe të ngremë institucione. Por BE-ja duhet të reformohet. Unë kam besim se aksi i rivendosur midis Berlinit dhe Parisit do ta çojë përpara këtë. Unë jam dakord edhe me Presidentin francez, Emanuel Macron, se duhet të ketë shpejtësi të ndryshme. Sepse, nëse dëshirohet që në fund të kihet një BE fleksibël dhe funksionuese, atëherë duhet shkuar përpara dhe jo çdo gjë të ndërtohet me vendime me konsensus.

A prisni ju një ndryshim kursi në strategjinë e zgjerimit?
Këtë nuk e pres. Dhe problemi nuk është se çfarë thotë Europa, por çfarë bën ajo. Ata kanë thënë që nuk bëjnë zgjerim, por çështja në të vërtetë, është se sa zgjerim bëjnë. Në rastin tonë është tërësisht jo- ”fair”, sepse ne jemi një shtet i NATO-s, Mali i Zi ka aderuar në NATO shumë më vonë. Përveç kësaj, te kapitujt vendimtarë të drejtësisë, ne jemi shumë më përpara se Mali i Zi. Edhe Serbia duhet t’i bëjë akoma këto reforma. Ne këtë e kemi bërë tashmë. Është fantastike që ata janë në tratativa! Është thjesht jo-”fair” që ne nuk jemi në tratativa! Unë nuk e kuptoj edhe këtë frikë të pabesueshme të udhëheqësve europianë, kur ata vazhdimisht lidhin fillimin e tratativave për anëtarësim, me zgjedhjet (në vendet) e tyre, ose me mosdashjen e opinionit publik. Kjo është çmenduri! Do të ishte e kuptueshme po të ishte puna për vetë anëtarësimin, por këtu bëhet fjalë për tratativa. Pra, për këta politikanë do të ishte shumë e thjeshtë të thonë: Ne nuk do të pranojmë kurrë shtete të reja në BE, në qoftë se ato nuk plotësojnë kriteret. Por tratativat, sidoqoftë, janë vetëm diç- ka, që neve na ndihmon të ecim më shpejt përpara dhe atyre asnjëherë nuk mund t’i shkaktojë dëm.

Mendoni se shtetet e BE-së duan ta ngadalësojnë procesin e zgjerimit?
Nuk është fjala se çfarë mendoj unë, kjo është e ndjeshme, e dukshme dhe e qartë. Ndonjëherë pyes veten, nëse udhëheqësit europianë kanë menduar apo jo për këtë. Ose ndoshta është puna se kjo çështje është shumë poshtë në axhendën e tyre dhe prandaj ata dëgjojnë vetëm administratat apo këshilltarët e tyre. Këtu çështja politikisht është plotësisht e qartë. Ata mund të thoshin: Ne bëjmë tratativa me të gjashtë shtetet në Ballkan dhe ne do të jemi plotësisht të rreptë dhe nuk do të ketë asnjë aderim (anëtarësim) për sa kohë që ju nuk do të jeni të gatshëm. Por është absurde të thuhet: Ju jeni një kandidat për anëtarësimin, por ne nuk bëjmë bisedime me ju. Kjo është njësoj si të thuash: Ne duam të martohemi, por nuk flasim për dasmën.

A do të merrni të njëjtat masa për lehtësimin e kufirit me Malin e Zi dhe Greqinë?
Ne jemi të gatshëm ta bëjmë këtë me çdokënd. Por në rastin e Kosovës duhet ta bëjmë këtë, sepse shumica e njerëzve kalojnë në këtë kufi.

D.m.th është për trafikun e pasagjerëve?
Jo, është e lidhur me transportin e mallrave në të gjithë rajonin, çka është pjesë e një plani veprimi që kemi adoptuar me komisionerin Hahn.

Shqipëria ka qenë prodhuesi më i madh i kanabisit në Europë, vitet e fundit. Tani shumë plantacione janë shkatërruar, por policët janë përfshirë shu-më në tregtinë e kanabisit. Çfarë do të bëni rreth kësaj?
Kjo është një çështje e mbyllur, nuk ka një problem real me këtë. Rezultatet e monitorimit do të tregojnë në fund të muajit se kanabisi është zhdukur nga toka e Shqipërisë. Ka vetëm disa pika të vogla, shumë më pak sesa kultivohet në vende të tjera të Europës. Është bërë e zakonshme të flitet për “krimin shqiptar”, por kjo është raciste.

Policë të përfshirë në trafikun e drogës nuk janë ndjekur penalisht. Autoritetet e hetimit ndërkombëtar kanë konfirmuar se ka një problem.
Unë kurrë nuk kam thënë se s’ka pasur problem. Ka të bëjë se mbi çfarë imagjinate krijohen opinionet. Kam lexuar një raport të BE mbi korrupsionin dhe kishte shuma që janë më të larta se Prodhimi Kombëtar Bruto. Prandaj le të flasim seriozisht. Kishte një problem para se ne të hynim në qeveri dhe ne kemi deklaruar luftë kundër drogës.

Pas shkatërrimit të plantacioneve në Lazarat, u përhapën më shumë plantacione kanabisi.
Kjo nuk është e vërtetë. Ju duhet të kuptoni diçka shumë të thjeshtë, deri në vitin 2015, të gjitha deklaratat e policisë ishin sekrete, pra, jo publike. Ne i kemi publikuar ato, më pas prandaj njerëzit kanë folur më shumë rreth kanabisit. Por në qoftë se shkon në arkivat e para vitit 2013, do të shikoni se ka pasur kanabis kudo. Në qoftë se do të vërtetën, unë të them të vërtetën. Në qoftë se doni të qëndroni me imagjinatën tuaj, qëndroni me imagjinatën tuaj.

Ka edhe një ligj, i cili është i diskutueshëm, është për importimin e plehrave. Kryetari i ri i Parlamentit, Gramoz Ruçi, ishte ministër i Brendshëm në vitin 1991, kur 4 veta u vranë në demonstratë në Shkodër. A po bëhen hetime brenda partisë suaj socialiste për atë kohë?
Kjo është hetuar dhe gjykuar në gjykatë dhe është liruar nga të gjitha akuzat e çmendura. Pse duhet që partia të hetojë tani për këtë? Unë jam për një kohë të gjatë lider i kësaj partie. Unë kam qenë edhe lider i lëvizjes antikomuniste. Kjo Parti Socialiste që unë drejtoj nuk ka asnjë lidhje me të kaluarën…

Megjithëse ai ka qenë ish-ministër i Brendshëm…
I cili ishte ministër i Brendshëm në periudhën e tranzicionit, saktësisht pas revoltës. Ai ka vepruar në mënyrë të shkëlqyer, sepse ai organizoi zgjedhjet e para të lira dhe të drejta si ministër i Brendshëm dhe në këto zgjedhje, presidenti komunist humbi zgjedhjet. Pjesa tjetër janë thjesht broçkulla dhe nuk e kuptoj sesi mund të diskutohet në 2017, kur ne kemi miratuar ligjin që lejon publikimin e të gjitha dosjeve nga koha e komunizmit, kemi punuar për rreth 1 vit me Gjermaninë për këtë propozim. Ne kemi hapur “Shtëpinë e gjetheve” dhe muzeun e bunkerit të komunizmit, në mënyrë që njerëzit të trajtojnë të kaluarën dhe ne u kemi paguar kompensim të gjithë ish-të përndjekurve politikë që janë gjallë. Dhe tani ju më thoni mua ish-ministër i Brendshëm?

Po, sepse ai është simboli i asaj kohe. A ka diskutime në partinë tuaj për këtë?
Jo, sepse partia është shkëputur prej tyre kohë më parë dhe ai nuk është simbol i asnjë gjëje. Ai është vetëm objektivi i një opozite barbare, e cila kërkon vetëm të demonizojë njerëzit. Një numër i madh shqiptarësh e respektojnë atë shumë, sepse ai ka treguar integritet dhe ka reformuar partinë dhe unë jam i kënaqur që parlamenti tani punon si një parlament dhe jo si një klub të dehurish- pak muaj më parë.

(BalkanWeb)


Komente ( 7 )



Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.