TIRANE- Ministri i ri i Punëve të Brendshme, Fatmir Xhafaj nga Akademia e Policisë pohoi se vetting do të ketë edhe në radhët e policisë. Teksa ishte i pranishëm në nisjen e kursit për Patrullën e Përgjithshme, Xhafaj theksoi se qeveria është e vendosur që të bëjë shtet. Ndër të tjera ai nënvizoi edhe njëherë faktin se Policia e Shtetit i ka shpallur ‘luftë’ fenomenit të kanabisit, ndërsa tha se do merren masa ekstreme për këdo polic që kapet në shkelje.

[fbvideo link=”https://www.facebook.com/balkanwebCOM/videos/1304333722948915/” width=”500″ height=”400″ onlyvideo=”1″]

“Akademia ka për qëllim që të ofrojë një sistem të pasur trajnimi. Ne të gjithë kemi nevojë për punonjës policie me profesionalizëm dhe të aftë për të pasur një shërbim që ofron shpresë dhe besim. Ndaj së bashku me gjithë bashkëpunëtorët dhe drejtuesit, jam angazhuar për ndryshime. Do ndëshkohet kushdo që nuk vepron, nuk raporton dhe nuk kryen detyrën e tij kundër korrupsionit. Ne i kemi shpallur ‘luftë’ të hapur fenomenit të kanabisit dhe jemi zotuar që ta luftojmë. Në këtë ‘luftë’ siç e kam bërë të qartë që në fillim, s’do bëjmë asnjë tolerim, për çdo rrënjë kanabisi. Ndëshkime do ketë dhe për ata që nuk njoftojnë.”, pohoi ai.

Ndër të tjera Xhafaj solli në vëmendje edhe njëherë rastin në policinë e Kurbinit, ku u pezulluan nga detyra disa punonjës policie, të cilët akuzohen se favorizuan mbjelljen e kanabisit. Ministri u ndal dhe tek zgjedhjet e 18 qershorit, duke shtuar se Policia e Shtetit do garantojë proces të ndershëm.

“Qëndrimi që u bë si në rastin e Kurbinit do jetë i njëjtë. Kjo sjell krim të rëndë. Lufta ndaj këtij fenomeni do jetë pa kompromis. Zgjedhjet e 18 qershorit po afrojnë, ndaj duhet të sigurojmë një proces shembullor. Tashmë Policia e Shtetit prej kohësh ka dhënë kontributin e saj. Ne e kuptojmë rëndësinë etike që ka sjellja e Policisë së Shtetit, që duhet të ketë në procesin zgjedhor. Vullneti im dhe i qeverisë për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme edhe sa i përket veprimit të policisë së shtetit, është i plotë dhe i qartë. Të dashur studente dhe studentë duhet të trajnoheni për të qenë pjesë e Policisë së Shtetit. Duke ju uruar suksese në drejtim tuaj të ri, shprehem besimplotë se vendi ynë do jetë në dorë të sigurt për gjeneratën e re. Bëheni realitet të bukur ëndrrën tuaj. Suksese!”, tha Xhafaj, ndërsa studentët iu përgjigjën njëzëri “Faleminderit Zoti Ministër” .
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: