TIRANË- Ndonëse Gjykata e Krimeve të Rënda e shtyu për më 21 Qershor vendimin për të hapur apo jo dosjen “Hajdari”, të konsideruar si dosja e shekullit, nuk kanë munguar deklaratat e forta të ish-truprojës së Sali Berishës, Izet Haxhisë, i akuzuar si pjesëmarrës në vrasjen e Azem Hajdarit.

Ai nuk e ka pranuar kurrë dhe nuk e pranon krimin e për këtë ka vendosur të kthehet nga Turqia atje ku qëndronte në arrati prej vitesh. Edhe sot nga salla e gjyqit Haxhia ka kërkuar ballafaqim me ish-kryeministrin Sali Berisha, njeriun për të cilin thotë se di shumë gjëra.

“Unë jam dëshmitar, kam ardhur të dëgjohem këtu. Nga viti 90 deri në 98 jam dëshmitar i shumë ngjarjeve të rëndësishme kriminale që mund t’i djegin Sali Berishës”,- ka thënë ai në gjyq, siç mëson “BalkanWeb”.

Deklarata e tij, siç raporton gazetarja Klodjana Lala u bë menjëherë pasi prokurori i çështjes ka deklaruar se Haxhia ka pasur dijeni për procesin dhe vendimet e marra referuar të dhënave në dosje. Avokati i tij ndër të tjera ka shtuar se nuk janë njoftuar sipas ligjit.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb