Menu Krye Të Fundit | Shqipëria |

Kërkesa e PS për shkarkim, reagon kreu i KQZ-së, Klement Zguri: Po sulmohem politikisht

Klement-Zguri (1)

TIRANE- Partia Socialiste ka kërkuar sot shkarkimin e kreut të KQZ-së, Klement Zguri pas debatit të krijuar për kreun e Bashkisë Mallakastër, Agron Kapllanaj, të cilin KQZ-ja nuk e shkarkoi ndonëse PS-ja pretendonte se ishte dënuar në Itali.

Në një reagim për “BalkanWeb” kryetari i KQZ-së tha se e vërteta është e kundërta e asaj që pretendohet nga deputetët e PS-së në lidhje me çështjen e sipërpërmendur. Ai pretendon se po sulmohet dhe se nuk do të përfshihet në lojëra politike.

“Puna e KQZ-së për fat të mirë është në dritën e diellit. Nuk ka vetëm kronika lajmesh, por ka mbledhje, procesverbale, akte dhe vendime. Të gjitha publike. Të gjitha mund të konsultohen në çdo kohë nga çdo njeri. KQZ-ja nuk fsheh. KQZ-ja vetëm zbardh. Kështu që edhe në rastin konkret, e vërteta është krejt tjetër, është e kundërta e asaj që pretendohet. Por, në respekt të funksionit zyrtar që mbuloj, unë e kam të ndaluar të përfshihem në beteja, apo lojra politike, ndaj nuk bëhem dot pjesë e debatit. Përgjigjia ime mund të jetë vetëm zyrtare dhe vetëm drejtuar organit të emërtesës, sapo ai ta kërkojë këtë”,- tha Zguri për “BalkanWeb”.

Ndër të tjera Zguri shtoi se: “Më duhet të tërheq vëmendjen publikisht: Sulmet ndaj KQZ-së, sidomos kur janë haptazi abuzive, në kundërshtim të plotë me ligjin dhe të motivuara nga interesa politike të palidhura me KQZ-në dhe zgjedhjet, dëmtojnë rëndë autoritetin dhe pavarësinë e KQZ-së, mbjellin frikë dhe pasiguri tek institucionet, cënojnë shtetin ligjor. Këto janë ankorat që mbajnë KQZ-në përballë tallazeve. Nuk ka parti politike që njeh dhe pranon rregullat e lojës, zgjedhjet e ndershme dhe shtetin ligjor, që mund të ketë vulletin t’i këpusë këto ankora. Ndaj unë u bëj thirrje të gjitha palëve që lojën politike ta zhvendosin diku gjetkë, në ndonjë fushë ku interesit publik i bëjnë më pak dëm”.

(m.a/BalkanWeb)


Komente ( 1 )



Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.