* Kerry: Të gjitha partitë duhet të largohen nga përdorimi i dhunës
* Kerry: Kosovës i takon të themelojë Gjykatën Speciale
* Terrorizmi, Kerry: Kosova ka bërë arrestime të profilit të lartë
* Mustafa: Vijojmë dialogun me Serbinë, mesazh Vetvendosjes “Nuk pranojmë dhunën si instrument politik”

KOSOVE- “Nuk mbështesim asnjë marrëveshje që do cënonte pavarësinë e Kosovës, kemi investuar shumë për të ardhmen e Kosovës, nuk do ta vendosim atë në rrezik”. Kështu ka deklaruar Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry në konferencën e përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, gjatë vizitës së tij të shkurtër në Prishtinë.

Me këtë mesazh të qartë ai i përcjell qeverisë së Kosovës mbështetjen e SHBA-ve edhe në procesin e dialogut me Serbinë.

Në këtë konferencë Kerry tha se do të jetë edhe në Beograd, aty ku do të diskutojë për dialogun me Kosovën. Sekretari i Shtetit bëri me dije se procesi i dialogur kërkon durim dhe reflektim, ndërsa shtoi se nënshkrimi i MSA-së është frut i këtij dialogu, për të cilin duhet përshëndetur lidershipi kosovar.

“Faleminderit për këtë mikpritje të mrekullueshme. Jam i lumtur që jam në Prishtinë, ju kërkoj ndjesë të gjithve për këtë vizitë të shkurtër se Kosova meriton një vizitë më të gjatë por është e rëndësishme se do shkoj në Beograd dhe do takohemi me kryeministrin e Serbisë për dialogun, Erdha këtu për të kuptuar se Kosova e ka bërë pjesën e saj. Në këtë proces duhet durim dhe reflektim. Kosova ka bërë progres të ndjeshëm, nënshkrimi i MSA parqet një hap të madh, janë rezultat direkt i vullnetit të Kosovës për të bërë progres në dialogun me Serbinë. Kanë qenë vendime të vështira politike, por mundësia për t’i bërë ato e bën lidershipin e Kosovës të vlerësuar. Ju sjell përshëndetjen e Obamës për vendimet e këtij lidershipi”, tha Kerry.

Ndërsa kryeministri Isa Mustafa u shpreh se “Ne jemi të përkushtuar për miqësi të përhershme për shtetin amerikan dhe ndjejmë përgjegjësi për ato të mira”.

Kryeministri Mustafa tha se pas MSA-së, kosovarët presin liberalizimin e vizave. “Përkundër veprimeve të opozitës kundër marrëveshjeve me Serbinë dhe Malin e Zi, ne do të vazhdojmë dialogun. Jemi të gatshëm të dialogojmë me opozitën por nuk pranojmë dhunën si instrument politik”, tha Mustafa në konferencën për media në aeroportin “Adem Jashari”.

Ndërsa Kerry ka theksuar se “dhuna është e papranueshme”, duke këshilluar palët për debat brenda parlamentit. Sekretari Amerikan i shtetit bëri gjithashtu thirrje për themelimin e Gjykatës Speciale. “Në parlamentin e Kosovës duhet të ketë një vend ku të ketë debat, ku njerëzit duhet të dëgjojnë njeri-tjetrin, pavarësisht se janë kundërshtarë. Liria e shprehjes garanton që secili të thotë atë që mendon, pavarësisht se nuk i pëlqen tjetrit. Unë kam gjetur gjuhën e përbashkët me Mc Cain. Debati duhet të ndodhë në demokraci dhe në Kuvend. Kuvendi nuk është vend për gaz lotsjellës, nuk është vend për frikësim. Të gjitha partitë duhet të largohen nga përdorimi i dhunës dhe të gjejnë rrugën e përbashkët. Secili qytetar duhet të trajtohet njëjtë, pavarësisht nga pozita, nga etniciteti, gjinia apo orientimi seksual. Kosovës i takon të themelojë Gjykatën Speciale”, tha Kerry.

Ai konfirmoi se SHBA-të do të qëndrojnë pranë Kosovës në të gjitha përpjekjet.

“Shteti i gatshëm të ofrojë miliona dollarë për të ndihmuar zhvillimin e Kosovës. Kemi bashkëpunuar me Kosovën edhe për adresuar çështje të terrorizmit. Kosova shembull të rëndësishëm në rajon duke arrestuar persona. Kosova ka bërë arrestime të profilit të lartë, ka edhe legjislacionin e duhur për këtë çështje por më shumë duhet të bëhet. Të angazhohemi më shumë që të shkatërrojmë ISIS. Ne kemi riformuar edhe njëherë idenë se kemi hapur dyert duke ftuar në NATO fqinjin tuaj, Malin e Zi”, tha Kerry.

Duke nënvizuar nevojën e themelimit të Gjykatës Speciale, sekretari amerikan i shtetit tha se “Njerëzit që japin para duhet të dinë ku shkojnë ato, duhet të kenë drejtësi në institucionet e drejtësisë”.

Sekretari John Kerry mbërrin në Kosovë,
Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry ka mbërritur në aeroportin e Prishtinës, ku u prit me nderime të mëdha në një ceremoni nga Garda ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Për ta pritur sekretarin amerikan në Aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” i pranishëm ishte kryeministri, Isa Mustafa dhe zyrtarë tjerë shtetëror, si dhe ambasadori amerikan, Greg Dellawie.

(el.sp/ed.me/ma.ar/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb