TIRANE- Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry vjen në Tiranë me datën 14 shkurt dhe burime për News24 e Gazeta Shqiptare pohojnë se në aeroportin e Rinasit ai do të pritet nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, me të cilin do të realizojë dhe një takim në ambientet e këtij aeroporti.

Njoftimi u zyrtarizua në mesditë nga zyra e shtypit të Presidencës, ku theksohet se: “Ju njoftojme se ditën e diel, me dt. 14 shkurt 2016, ora 9:00 Presidenti i Republikës, Bujar Nishani do të presë në Aeroportin Nderkombëtar “Nënë Tereza” Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry”.

Pas Rinasit, sekretari John Kerry do të shkojë në kryeministri, në orën 10:10 ku do të takojë ministrin e Jashtën, Ditmir Bushati dhe më pas kryeministrin Edi Rama. Pas takimit në kryeministri Kerry e Rama në orën 11:00 do të japin një deklaratë për mediat. Vizita e sekretarit amerikan do të vijojë me një takim me kreun e PD-së, Lulzim Basha me të cilin do të takohet në orën 11:45 në hotel Rogner.

Mediat shkruajnë se në Tiranë ai do të ketë edhe një takim me Hashim Thaçin, numrin 2 të qeverisë së Kosovës.

Zyrtarisht, shefi i diplomacisë amerikane vjen në Tiranë për të shënuar 25-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Dhe si në çdo festë, një falënderim nuk ka për të munguar nga aleati më i madh strategjik i Shqipërisë, i cili, si në rastin e ujgurëve, i është gjendur amerikanëve për të zgjidhur edhe një tjetër problem delikat të saj, strehimin e anëtarëve të opozitës iraniane, që gjenden nën mbrojtjen amerikane në kampin “Liria”, në Irak.

Çështja e muxhahedinëve iranianë është pika e parë e axhendës së Sekretarit Amerikan të Shtetit. Kerry gjithashtu ka në axhendë të diskutojë edhe rëndësinë e reformës në drejtësi, temë të cilën do ta konsumojë me kryeministrin Edi Rama dhe me kreun e opozitës Lulzim Basha.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: