*Veliaj: Do rrisim gjobat për ndotjen, kundërshton e djathta
*Miratohet kalimi i digës së liqenit në varësi të UKT
*Veliaj: UKT e paaftë, bashkia sot pa ujë. 70% humbet në Kamëz

TIRANE- Këshilli Bashkiak i Tiranës vijoi punimet prej 4 orësh, ndërsa pika më e nxehtë ishte ajo e katërfishimit të gjobave, e cila u miratua vetëm me kartonat e maxhorancës. Këshilli miratoi vendimin për rritjen e masave ndëshkuese për të gjithë ata individë që ndotin, vandalizojnë apo zaptojnë hapësirat publike të qytetit. Vendimi vjen në kuadër të masave që Bashkia e Tiranës ka marrë për të rikthyer ligjshmërinë dhe pastërtinë në qytet. Në fjalën e tij kreu i Bashkisë, Erion Veliaj, ftoi përfaqësuesit e opozitës që ta mbështesin këtë akt, si tregues për t’u distancuar nga zhuli dhe se janë për një qytet të pastër.

“Zgjedhja është e juaja. Ose votoni për 99% të Tiranës që do pastërti ose bëhuni avokatët e 1% të zhulsave që nuk mund ta tërheqin zvarrë qytetin tonë, në këtë mënyrë që e kanë tërhequr në katër vitet e fundit. Keni një shans historik, të bëheni me pjesën higjienike të qytetit, me pjesën e pastër, me pjesën e qytetit që del nesër në aksion dhe nuk pyet për dallime politike, por pyet për mënyrën se si ky qytet do të ketë të ardhmen”, tha në fjalën e tij kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj.

Ai ka shtuar se masat e para të marra nga bashkia kanë dhënë rezultate konkrete, duke reduktuar ndotjen dhe abuzimin me publiken, ndaj dhe Bashkia ka vendosur që të forcojë edhe më tej këto masa, deri në ndërgjegjësimin e plotë të qytetarëve për të mos vandalizuar apo ndotur ambientin e përbashkët. “Sot keni një vendim të rëndësishëm, o me partinë, o me qytetin, o me Lulin e me zhulin, o me qytetin dhe shtetin! Jemi këtu të bëjmë qytet dhe të bëjmë shtet. Me një votë mund të tregoni që ndaheni nga një pjesë e zhulit dhe papastërtisë. Nëse ju trembin këto gjoba, shikoni rezultatin që kanë dhënë masat e para. Kemi sot një qytet shumë më të pastër falë masave që aplikuam dy javë më pare”.

Më tej, ai ka sqaruar se gjobat e reja që miratoi sot Këshilli, janë në fakt unifikim i masës së gjobës së shkeljes konkrete me vlerën që duhet për të kompensuar dëmin e shkaktuar nga ajo shkelje. “Propozimi ynë ka qenë ky që të gjitha gjobat e Tiranës të unifikohen në gjoba të maksimumit që lejon ligji, ligji që u votua në mazhorancën tuaj në 2010-ën. Dhe ajo që kemi bërë është që të gjitha gjobat i kemi çuar në nivelin maksimal. Pse i bëjmë ne këto? Për 1% të qytetarëve që i dëmton, edhe t’i paguajë. Deri më sot kjo bashki ka funksionuar me të tjera rregulla, 1% bën pis, 99% paguan. Dikush ndërton pa leje, 99% të tjerët paguajnë. Dikush dëmton, vidhte dhe abuzonte, dhe 99% e të tjerëve paguanin. Kjo ndryshon sot! 1% që e dëmton, e kompenson dëmin me vlerën e tregut”, theksoi Veliaj.

Gjatë mbledhjes së sotme, Këshilli Bashkiak miratoi edhe disa vendime të tjera të rëndësishme. Më konkretisht, u miratua vendimi për shpërndarjen e pagesës për personat me aftësi të kufizuara, për muajin gusht për secilën njësi administrative të Tiranës. Gjithashtu, Këshilli miratoi edhe vendimin për caktimin Kryetarit të Bashkisë së Tiranës për të përfaqësuar Bashkinë e Tiranës në mbledhjet e Asamblesë së Përgjithshme të shoqërisë sh.a “Ujësjellës Kanalizime” Tiranë.

Një tjetër vendim i marrë sot nga Këshilli Bashkiak ishte edhe ai për kalimin e Digës së Liqenit Artificial të Tiranës dhe veprave të tjera përbërëse të saj në administrim të “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a. “Duke qenë se Këshilli i Ministrave e ka caktuar decentralizimin dhe të këtyre objekteve në Bashkinë e Tiranës, duke qenë se gjykata ka 8 vite që po vonon vendimet, duke qenë se sot vendimi tjetër është ndërtimi i administratorëve në UKT, besoj se arsyeja pse merremi me politikë, është për të marrë përgjegjësi. Unë besoj se merremi me këtë punë që të mos gjejmë justifikime. Edhe kjo e digë, patjetër që e dimë që është një gjë me zarar, por kemi dy mundësi: O të mos marrim asnjë risk e tregohemi komplet të papërgjegjshëm e ta lëmë në një lloj vakumi ose të bëhemi njerëz seriozë”, tha Veliaj.

Gjobat

Kategoria e parë :
-Për dëmtim, çarje dhe ndotje rruge 100 mijë lek, plus dëmin 40.400 lekë për çdo metër katror

-Për dëmtim, çarje, ndotje trotuari 100 mijë lek, plus 31.500 lekë për çdo metër katror trotuar të dëmtuar

-Për dëmtim bordure 100 mijë lek plus 20.500 lekë për çdo metër linear të dëmtuar

-Për dëmtim, bllokim pusete 100 mijë lek plus 110 mijë lek për çdo copë pusete të dëmtuar

-Për vjedhje të zgarës 110 mijë lek për çdo copë zgare të vjedhur

-Për vjedhje kapak pusete 100 mijë lek plus 188 mijë lek për çdo kapak pusete të vjedhur

Kategoria e dytë:

-Lidhjet e pamiratuara në rrjetin ajror 200 mijë lek plus 130 mijë lek për lidhje

-Dëmtimi i shtyllave 200 mijë lek plus 520 mijë lek për çdo shtyllë të dëmtur

-Dëmtimi i ndriçuesve të qytetit 200 mijë lek plus 420 mijë lek për çdo ndriçues të dëmtuar

-Përdorimi i shtyllave si suport reklamë 200 mijë lek plus 340 mijë lek copë për çdo reklamë të ngjitur në shtyllë në mënyrë të paligjshme

-Dëmtimi i rrjetit ajror nga punimet pa leje 200 mijë lek plus 520 mijë lek

-Ndërhyrje në kuadrot e komandimit për ndriçimin publik 200 mijë lek plus 420 mijë lek copa për çdo shtyllë ku ke dëmtuar kuadrin e komandimit

Kategoria e tretë e gjobave për ujin:

-Lidhjet e pamiratuara në tubacionet e ujit 200 mijë lek plus 230 mijë lek për çdo metër linear ndërhyrje

-Dëmtimi i pusetave të kanalizimit 200 mijë lek plus 110 mijë lek për çdo copë pusete që ke dëmtuar

Dëmtimi i hapësirave të gjelbra :

Gjoba për të gjitha kategoritë e dëmeve 200 mijë lek, por për çdo metër katror që ke dëmtuar aplikohen këto tarifa:

-Rehabilitimi i 1 metër katror sipërfaqe bari tapet e dëmtuar 10 mijë lek për çdo metër katror që i ke dëmtuar barit të qytetit

-Rehabilitimi për 1 metër katror sipërfaqe lule sezonale 63 mijë lek për çdo metër katror që i ke vandalizuar

-Përveç gjobës 200 mijë lek rehabilitimi për një copë shkurre dekorative është në moshën 5-vjeç e poshtë 39 mijë lek për çdo shkurre dekorative që qytetarët kanë paguar me taksat e tyre dhe që dikush nga ata që ju mbroni e ka vandalizuar

-Rehabilitimin e një copë shkurre dekorative nga 5-10 vjeç, pra kur investimi ka qenë më i madh 58 mijë lek copa mbi 200 mijë lekëshin e gjobës.

-Rehabilitimi i një cope shkurre dekorative mbi moshën 10 vjeç 78 mijë lek dëmi, mbi 200 mijë lekëshin e gjobës

-Rehabilitimi i çdo peme që këputet apo drurit që dëmtohet 200 mijë lek dhe për çdo dru dhe pemë deri në moshën 5 vjeçare, 189 mijë lek copa

-Rehabilitimi i çdo druri dekorativ nga 5-10 vjeçare 283 mijë lek dëmi, mbi 200 mijë lekë gjobën

-Për vendosjen e posterave pa leje 200 mijë lek

– Për çdo copë posteri në pemë 5000 lek

-Për çdo dëmtim të fasadës 200 mijë lekë gjoba, paguhet edhe 32 mijë lekë për metër katror që i ke dëmtuar fasadës së qytetit.

– Për vendosje tabelash, pankarta pa leje 200 mijë lekë gjoba dhe 43 mijë lekë për metër katror që ke dëmtuar e meqë e përmendët.

– Për të gjithë ata që urinojnë, pështyjnë, hedhin mbeturina mbi tokën e shenjtë të qytetit të Tiranës 200 mijë lekë gjoba e unifikuar

VELIAJ: UKT E PAAFTË, BASHKIA SOT PA UJË. 70% HUMBET NË KAMËZ
Ora 20:00- Kryebashkiaku Veliaj ka thënë sot se UKT-ja është e paaftë ë furnizojë Tiranën me ujë, duke shtuar se edhe institucioni i Bashkisë ka vuajtur sot mungesën e tij. Sipas tij shkak është humbja e ujit dhe keqmenaxhimi.

“Deri tani UKT ka qenë e paaftë të dërgojë ujë në Tiranë. Edhe bashkia e Tiranës për turp ka qenë sot pa ujë. Duhet menaxhim, 70% e ujit humbet në Kamëz, e cila nuk paguan ujë të pijshëm, ndërkohë që Tirana paguan . Menaxhimi i mirë do të sillte ujë në Tiranë. Veliaj theksoi se borxhi ndaj UKT është rreth 820 mln lekë, ndërsa shtoi se “Pas çdo faturisti fshihet një deputet i PD”.

KËSHILLI BASHKIAK, MIRATOHET KALIMI I DIGËS SË LIQENIT NË VARËSI TË UKT
Ora 19:28- Pas rikthimit të energjisë Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar unanimisht kalimin e Digës së Liqenit në varësi të Shoqërisë Ujësjellës-Kanalizime Tiranë. Për këtë PD-ja ka kërkuar faturën financiare. Në përgjigje kryebashkiaku Veliaj ka thënë se është i gatshëm të marrë përgjegjësi për Digën e Liqenit duke i akuzuar se “mbroni ndërtimet nën digë”.

KTHEHEN DRITAT, RINIS MBLEDHJA E KËSHILLIT BASHKIAK
Ora 19:00- Këshilli Bashkiak është mbledhur pasditen e sotme rreth orës 17:30 për disa vendime të rëndësishme, por ndërprerja e energjisë elektrike e ka pezulluar atë për rreth 45 minuta.

Gazetari Mariglen Mërtiri raporton se shkak për ndërprerjen e energjisë ka qënë një defekt që la bashkinë dhe zonën përreth për 45 minuta pa energji elektrike. Mërtiri shton se punonjësit e OSHEE-se u angazhuan për riparimin e defektit, ndërsa këshilltarët kanë dalë nga këshilli deri në kthimin e energjisë.

Që në nisje, mbledhja u shoqërua me debate mes së majtës dhe së djathtës për lejimin e mediave e më pas për rendin e ditës e veçanërisht pikën 4, të propozuar nga kryebashkiaku Veliaj. Ai propozoi futjen e një pike të 4-t, atë të penalitetit dhe gjobave për ndotjen, ndërsa mori edhe kundërshtimin e së djathtës. Sipas Veliajt, “gjobat për efekt kontrolli, pasi çdokush që ndot dëmton pronën publike. E kemi parë të arsyeshme që kundravajtësit të mësojnë parimet e qytetarisë. Prandaj kërkojmë të rrisim gjobat brenda kufijve të ligjit”.

Mbledhja vijoi me debate mes anëtarëve të majtë dhe atyre të djathtë. Të djathtët thone se nuk e kanë parë piken 4 te rendit te ditës, pikërisht atë të shtimit të gjobave. “Ju keni nevojë për show, se keni mendjen tek ndotja”, – u shpreh Topollari. Këshilltari Topallari shprehet se edhe e djathta duhet të sjellë mendimet e saj në lidhje me këtë vendim.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb