*Bozdo: Rama vazhdon politikën e bllokimit ndaj Tiranës* TIRANE – Këshilli Bashkiak i Tiranës ka shtyrë votimin për listën e familjeve që përfitojnë banesa sociale. Këshilltarët e majtë kërkuan 10-14 ditë kohë për të parë dosjet e familjeve, duke kërkuar listën e plotë të përfituesve.

Ndërkohë Bashkia e Tiranës ka akuzuar këshilltarët e PS-së dhe LSI-së për bllokimin e banesave sociale, duke lënë pa strehë 177 familjet që plotësojnë kriteret.
Bashkia e Tiranës publikoi pak ditë më parë emrat e 177 familjeve që kanë plotësuar kriteret për të përfituar banesë sociale me qira. Në total për këtë program strehimi kanë aplikuar 1970 familje, por nga shqyrtimi i dosjeve të tyre, vetëm emrat e familjeve që janë në listën e mëposhtme kanë dorëzuar dokumentacion të rregullt dhe emrat e tyre janë dërguar për shqyrtim në këshill bashkiak.
Qytetarët që kanë aplikuar, por nuk e gjejnë emrin në listat e publikuara kanë mangësi në dokumentacion, ndaj ata duhet të interesohen për plotësimin e dokumenteve. Në total në banesat sociale që janë ndërtuar në Shkozë janë 385 apartamente. Ndërkohë që numri i familjeve të regjistruara si të pastreha në kryeqytet është mbi 11 mijë. 

BOZDO: RAMA VAZHDON POLITIKËN E BLLOKIMIT NDAJ TIRANËS

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo theksoi se “177 familje në nevojë të Tiranës prisnin që këshilltarët e zgjedhur prej tyre të votonin në interes të tyre, dhe jo ta trajtonin këtë çështje politikisht për të bllokuar punën e Bashkisë së Tiranës”.
“Mazhoranca socialiste në këshill sapo ka votuar për të bllokuar projektvendimin e Bashkisë së Tiranës për pajisjen me banesa sociale të 177 familjeve në nevojë, të shtresave të familjeve me të ardhura të pakta, familje të cilat prej vitesh kishin aplikuar në Bashkinë e Tiranës për të patur mundësi për të marrë një shërbim të tillë, për të patur një banesë të përshtatshme për fëmijët, për pleqtë, por që nuk kanë mundësi ta kenë ndryshe veçse me ndihmën e këtij mekanizmi shtetëror. Më vjen keq të them që edhe në këtë rast politika ndërhyri duke bllokuar atë vendim për të cilën të gjithë qytetarët duhet të kishin qenë pro, për të ndihmuar 177 familje në nevojë.”- deklaroi Bozdo.
“Gjatë këtyre kohëve jemi mësuar me bllokime. Jemi mësuar sepse të gjitha projektet më të rëndësishme të Bashkisë Tiranë e kanë pësuar bllokimin. Është bllokuar projekti i Bulevardit, është bllokuar projekti i Lumit të Tiranës. Vetëm me këto dy projekte dy mijë familje kanë humbur vendet e punës. Dy mijë punëtorë kanë ikur në shtëpi. Është bllokuar projekti i Terminalit. Është bllokuar projekti i Menaxhimit të Mbetjeve. Së fundmi janë bllokuar nga buxheti edhe shumë projekte të tjera për t’u investuar në qytetin e Tiranës. Vende pune të pamundura për t’u hapur, rrugë të cilat nuk do shtrohen, çerdhe dhe kopshte të cilat nuk do të ndërtohen. Pra politika e bllokimit e ka shoqëruar qeverisjen e zotit Rama gjatë gjithë kohës. Diku në projektet prioritare, diku në projektet e përditshme e Bashkisë Tiranë. Dhe kjo nuk përbën më asnjë të re, as për Bashkinë e Tiranës dhe ndoshta as për qytetarët e Tiranës. Por projekti i sotëm mbarti një vlerë të madhe. Ishte i ndryshëm nga të gjithë projektet e tjera, ishte projekti ku politika duhej të bashkohej. Ishte projekti ku konflikti nuk duhej të ndodhte. Ishte projekti ku ne, të gjithë bashkë, duhej të ndihmonim 177 familje në nevojë. Por edhe përballë nevojës njerëzore, përballë dhimbjes njerëzore, të atyre që kanë më pak se ne, edhe përballë nevojës për t’u solidarizuar në mënyrë njerëzore me këto familje, politika e keqe, politika e konfliktit, politika e “tritolit” në thonjëza, politika e inatit dhe hakmarrjes triumfoi. Triumfoi duke bllokuar një vendim kaq të rëndësishëm për të cilën 177 familje, vërtetë të nevojë, kishin nevojën maksimale që të miratohej nga Këshilli Bashkiak. Më vjen shumë keq, por nuk do të reshtim së denoncuari këtë lloj politike e cila nuk ka lidhje fare me interesat e qytetarëve, por është politikë e një pazari të keq politik”,- deklaroi nënkryetari Bozdo.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb