Nga: Henri ÇILI 

Si një nga themeluesit dhe pronar i Univeristetit Europian të Tiranës kam kënaqësinë të njoftoj se UET është përshtatur plotësisht me standardet që kërkon Ligji i Ri i Arsimit të Lartë dhe Reforma Universitare Rama që, siç e dini në këto vite është diskutuar shumë, është vonuar shumë dhe në një farë mënyre është aplikuar me një vështirësi apo me një kompleksitet sui generis

Do të doja ta përqendroja këtë prezantim  në shtatë hapa, nëpër të cilët kemi kaluar për të mbërritur në këtë fazë të re, që mund ta quajmë ‘UET 10 vjet +, ose Dekada e Dytë’.

ADMINISTRIMI I RI NGA PROFESIONISTËT E KORPORATËS
1-Së, pari UET ka përfunduar procesin e përshtatjes dhe ardhjes në standardin e administrimit dhe organizimit që kërkon Ligji i ri i Arsimit të Lartë me një statut të ri, të miratuar nga Ministria e Arsimit vitin e kaluar, me përmbylljen e vitit financiar dhe auditimit në standardet ndërkombëtare financiare me një prej katër kompanive më të famshme ndërkombëtare, që shoqërohet me emërimin e administratorit të ri, Arbi Agalliu, sipas kritereve të ligjit; jurist dose ekonomist me eksperiencë profesionale mbi 7 vjet. Arbin e kemi pasur edhe koleg si pedagog, Shef i Departamenti të Financës në Fakultetin Ekonomik, Drejtor i Shkollës Doktorale dhe zëvendësrektor. Kemi bashkuar kështu akademikun dhe administruesin dhe njëkohësisht kemi përmbyllur procesin e përzgjedhjes së dekanëve dhe rektorit, për mandatin e ardhshëm.

Por përgatisim dhe bëhemi kështu universiteti i parë që dërgojmë dosjen për dekretimin, rektorit të ri të UET te presidenti Ilir Meta, sipas Ligjit të Ri të Arsimit, duke formësuar edhe këtu një precedent.

UNIVERSITETI I MADH ME SHUMË DEGË STUDIMI
2-Po ashtu, universiteti me ekipin e ri dhe atë të mëparshëm është në një kantier riorganizimi dhe risendërtimi të ofertës sonë akademike, duke ndërruar natyrë, nga një universitet me degë të caktuara, kryesisht në Shkenca Sociale, Ekonomik dhe Juridik, në një universitet me karakter universal, ku synojmë të hapemi edhe drejt fushave të tjera të studimit, siç janë; arkitektura, mjekësia, inxhinieritë, artet dhe elemente të tjera, duke iu afruar një formule të universitetit të madh dhe universal. Këto tre mesazhe mund të na shërbejnë për një refleksion të shkurtër për ato çka janë arritur këto vite.

UNIVERSITETET PRIVATE SI SUKSES I TRANZICIONIT
3-Shoqëria shqiptare ka shumë institucione të reja këta 25 vjet. Duket sikur kanë qenë gjithmonë këtu, por nuk kanë qenë dhe kjo e ka bërë periudhën e tranzicionit nga më të vështirët, por për pasojë edhe nga më të suksesshmit. Vende si Polonia. Çekia dhe Hungaria vërtet kaluan periudha të caktuara, por iu kthyen me shumë natyrshmëri institucioneve të vjetra, sepse kishin senat, universitet prej qindra vitesh. Një nga arritjet kryesore të kësaj faze të shoqërisë shqiptare është fakti se universiteti është diçka e re, i takon gjysmës së dytë të shekullit 20; universiteti i Tiranës është themeluar më 1957-ën dhe universiteti privat është diçka edhe më e re. Në këtë 15-vjetor të krijimit të sektorit privat në Shqipëri, qëkur profesori i nderuar Gramoz Pashko themeloi universitetin e parë privat, Universitetin e New Yorkut në Tiranë, bëhen 15 vjet që është instaluar në shërbim të njerëzve, studentëve, prindërve, korporatave, shtetit, marrëdhënieve ndërkombëtare, universiteti privat dhe kjo është arritje e shoqërisë shqiptare dhe ne shpresojmë që në këta 12 vjet që kemi kontribuar të kemi ndihmuar sado pak.

Kjo praktikë e re, e mbjellë në shoqërinë shqiptare, jo vetëm nuk ka kaluar thjesht, por ka kaluar në një mënyrë gati traumatike dhe mendoj se është arritur shumë. Kush mendon se sektori privat universitar është i vogël, i dobët, është i gabuar; ai është shumë i madh dhe i fuqishëm në raport me faktin se nuk ekzistonte fare. Është një praktikë e re, një mbjellje një kulture perëndimore në shoqërinë shqiptare dhe si e tillë është një arritje.

DREJTIMI I ARKETIPIT TË AKADEMIKUT JO-SHTETËROR
4-Universiteti privat ka një specifikë të madhe sepse -duke iu referuar një simbolike biblike-ishte edhe toka edhe fare, duhet ta krijonte vetveten. Si mund ta krijonte? Përpara kam shumë kolegë, në mendje kam edhe më shumë ish–kolegë , në albumin e UET kam edhe shumë ish-kolegë që kanë kooperuar në një format apo pozicion të caktuar dhe në UET kemi sendërtuar tashmë një korporatë të pedagogut, mësimdhënësit, akademikut të sektorit privat, e cila edhe kjo është diçka krejt e re, e ngjizur nga një shumësi shkollash, individualitetesh, tiparesh, fatkeqësisht me shumë sëmundje dhe vese të korporatës së sektorit shtetëror. Por pak nga pak është filtruar dhe mund të themi se është krijuar një grup, një lloj, një profil, një arketip i mësimdhënësit, akademikut dhe kërkuesit shkencor joshtetëror, kur i kemi shumë të qarta tiparet e shkencëtarit shtetëror apo pedagogut shtetëror apo terma të tjera si artisti shtetëror, sportisti shtetëror etj. etj.

Është shumë e rëndësishme për t’i dhënë dinamizëm jetës intelektuale shqiptare, interesit publik, kërkimit shkencor, debatit dhe medias dhe provat i kemi vazhdimisht në shoqërinë shqiptare përditë, për orë e çdo moment. Nuk ka qenë e lehtë as kjo, sepse kjo traditë nuk ekzistonte, ekzistonte monopoli i titujve dhe gradave, ishte dhe është akoma formalisht, edhe pse substancialisht ka ndryshuar me ligjin e ri dhe, në një farë mënyre, ne që kemi punuar me drejtimin e universitetit, kemi qenë të detyruar të sajohemi, për të ngjizur një brumë të ri të pedagogut të këtij institucioni.

Jemi bërë një portë e hapur katër kanat për Ph.D e ardhura nga jashtë, profesorët konkurrues, për të rinjtë, doktorantët tanë dhe bashkë me Shkollën Doktorale tonën dhe të disa universiteteve të tjera, mund ta konsiderojmë një problem të kapërcyer vetëpërtëritjen e korporatës së akademikëve në sektorin privat.

Një gjë e rëndësishme dhe delikate ka qenë skema e organizimit apo mënyra e raportimit të aspektit ekonomik dhe aspektit akademik të këtyre institucioneve. Edhe kjo ka qenë e vështirë dhe shpresojmë me riorganizimet e fundit me ligjin e ri dhe frymën e Reformës, që i ka pasur parasysh këto sfida, të kemi shënuar një risi; ç’është pronësia në një sektor të edukimit të lartë apo themelimi, administrimi ekonomik i tyre dhe administrimi akademik. Të tria janë shumë të lidhura, bëhet fjalë për mundësimin e aspekteve financiare, por edhe për ruajtjen e etikës akademike dhe për ruajtjen e etikës akademike, por edhe mundësimin financiar, saqë është dashur punë e palodhur inovative për të gjetur një ekuilibër mes të triave; administrimi, akademia dhe pronësia. Edhe kjo i ka sjellë diçka kulturës menaxheriale në Shqipëri dhe jetës publike, interesit publik, duke krijuar disa qendra të organizuara siç janë universitetet private të cilat funksionojnë prej 15, 12 apo 10 vitesh që nuk është pak për ngulitjen e një institucioni, funksionojnë në mënyrë të qëndrueshme me gjithë problemet dhe oscilacionet, funksionojnë në mënyrë premtuese dhe përgatisin plane zhvillimi dhe faza të tjera të rritjes.

Çfarë ka ndodhur në institucionin tonë? Ne në fakt e kemi tentuar diversifikimin e kësaj skeme, ku pronësia është diçka tjetër, menaxhimi diçka tjetër dhe korporata diçka tjetër. Në periudhën 2010-2011 bëmë një provë që nuk na rezultoi me sukses pas një prove të parë ku katër miq u shndërruan në pronarë e më pas menaxherë dhe i dhanë jetë më energjinë dhe reputacionin e tyre këtij institucioni.

Ky moment është i rëndësishëm që ky raport shumë delikat mes pronësisë, menaxhimit dhe akademisë të jetë i shëndoshë i qëndrueshëm dhe të përbëjë një precedent.

PARTNERITETI MES UNIVERSITETEVE PRIVATE
5-Ne jemi të vendosur në një sistem të arsimit të lartë privat, ku veprojnë në mënyrë aktive më shumë se 10-12 institucione e juridikisht afro 20 të tillë, me të cilët kemi organizuar një partneritet shumë të mirë, në kuadrin e shumë organizimeve; studentët kanë organizimin e tyre të Unionit të Studentëve të Pavarur, Forumi i Pavarur i Rektorëve dhe së fundi kemi krijuar edhe një Ligë të Sipërmarrësve të Arsimit. Të tria këto elemente dhe kooperimi i sektorit mes vete është një nga risitë dhe kontributet që jemi përpjekur të japim duke menduar se, ashtu siç thonë hebrenjtë: “Në një rrugë ku shtien florinj, shiten më shumë florinj”. Pra, sa më i fuqishëm të jetë sektori, më i fuqishëm është secili prej nesh në këtë sektor, për shkak të faktit se ka nevojë për një masë kritike që sektori privat apo arsimi i pavarur të ndërtojë një masë kritike për të shkuar përpara, të gjithë së bashku.

RILANÇIMI I REFORMËS NË ARSIMIN E LARTË
6- Së gjashti, imperativi që Reforma e Arsimit të Lartë të rilançohet, thellohet dhe të zbatohet më konkretisht duke guxuar më tutje në një fazë të tretë; për të themeluar realisht tregun e edukimit, pavarësisht nga format e pronësisë apo të themelimit dhe të menaxhimit të institucioneve të arsimit të lartë, sepse vetëm një treg konkurrues edukimi do të sjellë një produkt më të mirë për konsumatorët që, do të thotë për studentët dhe prindërit, por edhe për shoqërinë shqiptare, korporatat, shtetin etj. Por, mbi të gjitha do të jetë diçka që do të potencojë më shumë rolin e mësimdhënësit, pedagogut dhe kërkuesit shkencor në Shqipëri, në krahasim me një traditë të arsimit të lartë shtetëror e cila është në gjykimin tim, përtej ndonjë përpjekjeje individuale, mjaft e atrofizuar, mjaft inerciale dhe mjaft problematike. Dhe në gjykimin tim shumë personal, edhe një lloj gangrene e shoqërisë shqiptare. Shikoni ngjarjet që ndodhin, sidomos në universitetet periferike-sepse në Tiranë hipokrizia është më e madhe-arrestohen radhë të tëra pedagogësh, sekserësh dhe shitësish provimesh dhe kemi një indiferencë intelektuale të shëmtuar ndaj këtij fenomeni, ndërkohë diçka që ndodh në sektorin privat, kam parasysh raste të caktuara në të kaluarën, shndërrohet në një histeri kolektive. Kaq e rëndë dhe shproporcionale është kjo gjendje sa askujt nuk i bën përshtypje që universitete më të vjetra kanë shumë pak akreditim si periudhë nga akredituesit e pavarur anglezë, kanë shumë pak ose fare programe studimi të akredituara, kanë probleme nga më të mëdha, prokuroritë, gjykatat e krimeve të rënda, ish-rektorët janë në procese gjyqësore dhe ka një indiferencë nga shoqëria shqiptare, a thua kemi të bëjmë paralele me një sektor të luftës ndaj drogës apo të trafiqeve të qenieve njerëzore. Por mentalitetet evoluojnë me ngadalësi dhe mentalitete të kësaj natyre edhe më ngadalë.

LUFTA TREGTARE E ARSIMIT TË LARTË 
7- E fundit, ky pozicionim apo qëndrueshmëri në jetën publike dhe ky konsolidim i institucioneve të arsimit të lartë privat bëhet shpesh pjesë e luftës tregtare, elementët të së cilës na lënë relativisht indiferent sepse kështu ka qenë gjithmonë kështu do të jetë më vonë, por tani që jemi pak më të ngeshëm do të jemi pak më kërkues, duke i përndjekur juridikisht këto fushata dhe subjekte shpifëse, të pandershme ose shantazhuese duke bërë që dëmshpërblimin, që do të fitojmë ta dhurojmë për kërkimin shkencor dhe projektet tona për idetë liberale, konkurrueshmërinë dhe meritokracinë, siç është misioni i Institutit Europian Pashko, që kemi themeluar.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: