Kisha e Shën Thanasit në Dhërmi vendos edhe njëherë përballë shtetin shqiptar me atë grek. Pas kërkesës së shtetit shqiptar drejtuar Athinës zyrtare për të mos ndërhyrë në çështjet e brendshme, ka reaguar edhe Ministria e Jashtme greke.

Në deklaratën e lëshuar sot për çështjen e kishës në Dhërmi, ku INUV ndërhyri duke mos lejuar punimet nga ana e komunitetit dhe vetë kishës, Ministria e Jashtme greke kërkon reagimin e Shqipërisë dhe respektimin e angazhimeve për mbrojtjen e pakicave.

“Deklarata e djeshme nga zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme shqiptare në lidhje me angazhimin e Shqipërisë për respektimin dhe mbrojtjen e plotë të të drejtave fetare dhe pronësore të minoriteteve në Shqipëri ishte shumë inkurajuese. Siç ka qenë deri më tani, Greqia do të jetë në krahë të vendit fqinj në rrugën e tij drejt Evropës, me kusht, sigurisht, që Shqipëria të përmbushë plotësisht të gjitha detyrimet e tij të parashikuara nga e drejta ndërkombëtare.

Kjo, për më tepër, është arsyeja që Ministria e Jashtme është në pritje të përgjigjes dhe marrjen e masave të menjëhershme nga qeveria shqiptare në lidhje me atë që ndodhi në Kishën e Shenjtë të Shën Thanasit në Dhërmi, Himarë”, thuhet në deklaratën e MPJ greke.

Përfaqësuesi i Ministrisë së Jashtme greke, Konstandinos Kutras më herët ka kërkuar shpjegime nga qeveria shqiptare lidhur me këtë incident.

Kërkesa e Kutras solli reagimin e Ministrisë së Jashtme shqiptare, e cila e quajti një reagim të nxituar, atë të fqinjëve. “Në vijim të interesimit të medias mbi deklaratën e zëdhënësit të MPJ greke mbi të ashtuquajturin incident të ndodhur në terrenin e kishës së Shën Thanasit në Dhërmi, zëdhënësi i MPJ të Shqipërisë Glevin Dervishi shprehu habinë dhe shqetësimin ndaj këtij reagimi të nxituar”,­ thuhet në deklaratë.

Sipas Dervishit, komunitetet fetare në Shqipëri i gëzohen një dialogu të privilegjuar me pushtetet publike, dhe këtë eksperiencë është e gatshme ta ndajë edhe me Greqinë.

Duke e cilësuar ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë reagimin e Greqisë, Dervishi shton se deklarata e homologut grek ndër të tjera nuk shkon me frymën e bashkëpunimint dhe mirëkuptimit të kërkuar edhe nga BE. “Konstatojmë se qëndrimi i djeshëm i zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme greke, përbën, në këtë kontekst, një ndërhyrje në mbarëvajtjen e rendit të brendshëm civil, administrativ dhe gjyqësor të Republikës së Shqipërisë. Po ashtu, ai paragjykon në mënyrë të njëanshme dhe eksesive angazhimin e kahershëm të Greqisë për të shoqëruar integrimin evropian të Shqipërisë, të mbështetur nga partnerët e tjerë evropianë, gjë e cila bie ndesh edhe me praktikën e konsultimit dhe qasjes së përbashkët të problemeve mes vendeve qe ndajnë të njëjtën aspiratë evropiane. Ky qëndrim, është larg frymës së bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë midis Shqipërisë dhe Greqisë, të cilën kishte për qellim të promovonte takimi i fundit i Ministrave Bushati – Kotzias”, thuhej në deklaratë.

(m.k/BalkanWeb)

 

 

 

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb