SHKODËR- Kishin ardhur në Shqipëri për të parë ndeshjen Shqipëri-Maqedoni, dy kosovarë humbin jetën. Burime policore bëjnë me dije se tifozi i parë humbi jetën pas një infarkti në zemër, ndërsa i dyti në një aksident në Kukës, gjatë një përplasje me motor.

Burime policore bënë me dije se Kadri Shkrela, 65 vjeç, i cili kishte ardhur si tifoz nga Kosova për të ndjekur ndeshjen që u luajt në Shkodër humbi jetën mbrëmjen e djeshme pas një problemi shëndetësor. Sipas policisë, Shkrela ishte larguar pas ndeshjes me familjarët e tij por kishte shfaqur probleme me zemrën gjatë rrugës. Ndonëse atij iu dha ndihma mjekësore, 65-vjeçari ndërroi jetë.

Sakaq, tifozi i dytë që humbi jetën u identifikua Ramiz Isenaj, i cili ishte pjesë e grupimit të tifozëve të quajtur “Plisat”.

NJOFTIMI I “PLISAVE”
Më poshtë është njoftimi i Klubit “Plisat” në Zvicër: “Me pikëllim e thellë të trishtuar ju njoftojmë se mbrëmë në një aksident të rëndë me motor ne afërsi të Kukësit ka ndërruar jetë anëtari, miku, vllau ynë, Ramiz Isenaj! I ndjeri rrugën për Shqipëri e ka marrë për të parë lojën Shqipëri Maqedoni! Ramizi apo baci ynë do të mbahet mend si një humanist i madh që nuk ka hezituar asnjëherë t’ju dalë në ndihmë njerëzve në nevojë. Së fundi ai ka qenë para finalizimit në ndërtimin e një shtëpie për një familje të pastreh. Baci po ashtu e ka përkrah fuqishëm aksionin e Plisave në ndërtimin e shtëpisë për familje e pastrehë nga fsh. Zhegoc qe u finaliziar vitin e kaluar. Ne shokët e tij do të ruajmë kujtimet më të mira për të si një burrë i fjalës nderit e besës. Një burrë human që na ishte shembull si respektohet familja, miqtë e shoqëria! Lusim Zotin që ta bekoj shpirtin e shokut tonë! Lamtumirë mik e qoftë i përjetshëm kujtimi për ty! Po na le me lot në sy, por krenarë që të kishim! Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës, dheu Shqipërisë mëmë”.

DEKLARATA E POLICISE PER VDEKJEN E SHKRELES
Më datë 05.09.2016 rreth orës 23:30, jemi njoftuar se në urgjencën e spitalit rajonal Shkodër, ka shkuar i shoqëruar nga familjarët e tij shtetasi kosovar Kadri Skrela, 55 vjeç, i cili ka ndërruar jetë.

Menjëherë është nisur grupi hetimor për sqarimin e situatës, ku nga deklarimet e familjarëve ka rezultuar se ky shtetas ka qenë në stadium për të parë ndeshjen e futbollit Shqipëri-Maqedoni në Shkodër, dhe pas ndërprerjes së ndeshjes ky shtetas është larguar me familjarët, ku gjatë rrugës ka pasur probleme (patologji) me zemrën.

Pasi është transportuar për në urgjencën e spitalit rajonal Shkodër, aty ka ndërruar jetë.

Nga rezultati paraprak i ekspertizës mjeko-ligjore, në trupin e viktimës nuk janë konstatuar dëmtime të tjera, dhe vdekja dyshohet të jetë shkaktuar si pasojë e një infarkti në zemër pasi ky shtetas para disa kohesh kishte patologji në zemër.

Si më sipër ju sqarojmë se si rezultat i deklarimeve të personave që e shoqëronin dhe këqyrjes së vendit të ngjarjes rezulton se shkaku i vdekjes është për shkak të patologjisë dhe jo nga shkarkesa elektrike, siç është njoftuar në media.

Materialet për këtë ngjarje i përcillen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprime të mëtejshme.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb