VLORE- Policia e Vlorës ka arrestuar në flagrancë një 37-vjeçar dhe sekuestruar sot 20 kallëpe eksploziv të llojit C4 që mendohet se kanë hyrë nga Mali i Zi. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së këtij qarku, bëjnë me dije se në një operacion anti-eksploziv të koduar “Elizeja” është vënë në pranga Kastriot Prenga, i cili posedonte eksplozivin dhe kishte si qëllim shitjen e tij.

Prenga, lindur në Mirditë dhe banues në Durrës është një person me precedentë penal, i dënuar më parë për “Vrasje me dashje”.

37-vjeçari ishte vënë nën hetim prej dy muajsh nga Policia e Vlorës në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë. Gazetari Enrik Mehmeti raporton se lënda plasëse kishte hyrë në Shqipëri nga Mali i Zi. Prenga është arrestuar në afërsi të një shkolle, ndërsa lënda eksplozive ju gjet në një valixhe.

 

materiale

 

Sipas policisë, destinacioni i parë ka qenë qyteti i Durrësit dhe më pas Vlora. Dyshohet se një pjesë e eksplozivit C4, do të shitej në tregun vendas dhe pjesa tjetër kishte si destinacion Italinë. Blutë e Vlorës kanë sekuestruar gjithashtu edhe 2 telefona celularë të 37-vjeçarit Prenga. Ndërkohë vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe implikimin e personave të tjerë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb