*BB: Rritja ekonomike për Shqipërinë duhet mbi 4.5 % që të arrijë standardet e BE
*Rama: Asnjë investitor i huaj nuk ka ikur nga vendi, nuk ka të paprekshëm, secili të paguajë taksat
*Ahmetaj: Lamë pas krizën, fokusi tek përmirësimi i klimës së biznesit

TIRANE- Rritja e ekonomisë në vend dhe përmirësimi i klimës së biznesit kërkon vijimin e reformave. Kreu i Qeverisë, Edi Rama, është shprehur sot në konferencën “Reforma në Ekonomi dhe Klima e Biznesit” se aksioni anti-informalitet ka sjellë progres në ekonomi, duke nxjerrë vendin nga situata ku ndodhej, sipas tij për shkak të borxheve të lënë pas nga qeverisja e shkuar. Ne takim ishin te pranishem perfaqesues nga FMN, BB si dhe biznesmene te huaj qe kane investuar ne Shqiperi.

Duke u ndalur tek investimet e huaja në vendin tonë, kryeministri Rama tha se nuk ka sipërmarrës të huaj që të jenë larguar nga vendi ynë, ndërsa shtoi se asnjërit prej tyre nuk i janë mbyllur dyert nga adminsitrata.

Sa i takon luftës ndaj informalitetit, Rama tha se nuk ka asnjë sipërmarrje të paprekshme në vendin tonë, duke theksuar se të gjithë duhet të shlyejnë detyrimet.

“Nuk ka kompani të paprekshme në vendin tonë. Secili duhet të paguajë taksat dhe detyrimet e veta. Asnjë institucion tatimesh nuk mund të thotë ‘lërë këtë se është kompani e huaj, e mund të ma prishet imazhi’”, tha Rama.

Kryeministri Rama tha se për të rritur nivelin e investimeve, duhet të rriten parametrat e sigurisë për investimeve serioze dhe pa barriera.

“Besoj se të gjitha ato që u thanë këtu bëjnë sens, por nuk duhet të shkëputen nga konteksti. Duhet të jemi optimistë për atë që po ndodh, dhe do të ndodhë më tej. E filluam punën në tetor 2013, dhe dua t’ju kujton se FMN nuk ishte këtu fare, ishte përzënë pa ceremoni. BB kishte ndaluar çdo lloj vazhdimësie të programeve të veta për shkak të një reforme të kërkuar me këmbëngulje si kusht për të vazhduar financimi e programeve që ishte reforma e pensioneve. Ishim në kulmin e një konflikti me kompaninë e shpërndarjes së energjisë si rezultat i një shpronësimi të dhunshëm nga ana e qeverisë së mëparshme. Kishim një bllokim të të gjitha kompanive që kryenin punë publike. Marrëdhëniet me këto kompani të papaguara e impononin këtë gjë. 720 mln dollarë për të zhbllokuar kompanitë dhe për të nisur rritjen nga një situatë e vështirë. Faktikisht unë jam dakord me çfarë u tha këtu, por besoj se midis një situate ku nuk bëhej një rimbursmin i vetëm i TVSH-së për askënd pa paguar 30-50 % atë që bënte rimbursimin, dhe tani kemi një rimbursim automatik të TVSH. Këtë e dinë ata që janë sipërmarrës këtu. Ju kujtoj që ishim në kushtet ku për shkak të konfliktit me CEZ dhe borxhit të akumuluar, 1.1 mld dollarë borxh i akumuluar nga 2007-2013 nga kompania e shpërndarjes së energjisë”, tha Rama.

Rama u ndal tek reformat e bëra nga qeveria që ai drejton, por theksoi se për t’i dhënë qëndrueshmëri të gjitha këtyre ndërhyrjeve, duhet të realizohet reforma në drejtësi.

“Bëmë reformën e pensioneve dhe të ndihmës ekonomike. Këto ishin të rëndësishme për të luftuar korrupsionin sistemik. Me reformën e pronës, morëm përsipër të bëjmë një ligj për t’i dhënë zgjidhje problemit. Nuk është ligji më i mirë në botë, nuk është perfekt, nuk i kënaq të gjithë, por i jep të gjithëve sa mund të japë. Unë e di se është seksi të bësh një debat për skandalet që duan të bëjnë 5 apo 10 për punësimet, me rëndësi është që të krijojmë një brez me persona të kualifikuar në profesionet që kërkon tregu.

Reforma në drejtësi është themelore pë t’i dhënë qëndrueshmëri të gjitha reformave të tjera. Unë kam patur kontakte me disa kompani që kanë hasur në arbitraritete të paimagjinueshme, por besoj se duhet të ndajmë bashkërisht bindjen se Shqipëria nuk mund të bëhet vendi që duam nëse informaliteti nuk luftohet përditë dhe kudo”, tha Rama.

Duke folur për luftën ndaj informalitetit, Rama tha se “disa kryetarë dhe përfaqësues dhomash tregtish kanë qenë kundër luftës ndaj informalitetit, pra kundër formalizimit të ekonomisë”.

Nga ana tjetër Rama tha se: “Ne jemi në mbështetjen tuaja dhe ministria mbron po ashtu të drejtat tuaja. Gjykata janë këto që janë dhe një gjë nuk e kemi shpikur dhe duhet të përmirësojmë situatën në gjykatat ekzistuese përmes reformës në drejtësi”.

BIZNESMENI I HUAJ KRITIKON PAKETEN FISKALE, RAMA: JE BERE SHQIPTAR…
Në takimin me biznesmenët, kryeministri Edi Rama ka hasur në kritika. Patrik, një biznesmen i huaj që merret me hidrokarburet kritikoi Ramën në takimin që po transmetohej direkt nga televizionet. Biznesmeni diskutoi mbi paketën fiskale me nota kritike. Duket se kryeministri nuk e ka mirëpritur këtë diskutim dhe i ka dhënë një përgjigje biznesmenit.

Biznesmeni i huaj: Jam Patriku, menaxheri i përgjithshëm i Selenicë bitumi. Kam 16 vjet që punoj në këtë vend dhe do të doja të flisja për përgjithësinë. Unë besoj se doni të bëni gjëra të mira dhe besoj në qeverinë tuaj. Do flas për një problem dhe ju e dini shumë mirë se për cfarë. Ju keni ndërmarrë reforma të mira, por dua të njihni situatën time

Rama: Patrik para se të flisni për problemin, mos flisni me mua, flisni me të…(drejton nga Ahmetaj)

Biznesmeni: Ok, në dhjetor, kam dërguar një letër tek tre ministra, tek i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, pastaj tek ai i Financave Shkëlqim Cani dhe tek ministri i Energjitikës Damian Gjiknuri, për një problem sepse e di që paska limit të problemit fiskal. Qeveria kishte vendosur që të rriste fitimet mbi prodhimet me 300%. Pra kam dërguar 3 letra zyrtare dhe jozyrtare të gjithë personave që përmenda, u shpjegova se do humbisnin shumë njerëz punën, do mbeteshin persona pa punë. Por së fundmi ligji kalon dhe për shkak të këtij ligji si pasojë 80 persona nga kompania ime janë në shtëpi tani. Kemi humbur, 6 muaj patëm humbe. Kemi humbur më shumë sesa 1 milione euro me taksa. Kam një pyetje…

Rama: Patrik, je bërë shumë shqiptar. Seppse dhe ju e dini se ne e kemi zgjidhur këtë, në korrik me paketën e re do e korrigjojmë këtë problem. Tani duhet patjetër ta bësh fjalimin tënd?

Biznesmeni i huaj: E di si është situata tani, por mendoj se administrata juaj, qeveria juaj duhet të marrë vendime për nëpunësit e shtetit, sepse personi që vendos që të rrisë rentën është jobashkëpunues dhe ju duhet të merrni vendimin kundër personit që vendosi të rriste këtë shumë. Ai person është ende në punë, shteti ka humbur punësi, taksa, qeveria humbi shumë, iu nënshtrua penalitete, por ju nuk keni marrë asnjë masë ndaj tij. Jua kam thënë se kush person, nuk do vazhdoj ta përsëris.

Ahmetaj: Ky është dhe ndryshimi Patrik, se kur bëhet diçka që cënohet biznesi, kjo qeveria e ndryshon atë. Para 4 viteve është ndërmarrë një vendim që do e shkatërronte komplet sektorin e hidrokarbureve, do e shkatërronte komplet këtë sistem, do u vinte gjoba nënkontraktorëve.

REFORMA NË EKONOMI, AHMETAJ: LAMË PAS KRIZËN, FOKUSI TEK PËRMIRËSIMI I KLIMËS SË BIZNESIT
Reforma në ekonomi synon përmirësimin e klimës së biznesit në vend, dhe krijimin e mundësive të përshtatshme për investitorët vendas dhe të huaj. Këtë e ka shprehur ministri i Financave, Arben Ahmetaj, ndërsa theksoi se tashmë vendi e ka lënë pas krizën ekonomike, duke ecur me ritme pozitive rritjeje.

Kreu i Financave është ndalur edhe tek dy tregues kryesore, tek numri i bizneseve të huaja të regjistruara në vendin tonë në 4-mujorin e parë të 2016, si dhe tek rritja ekonomike në 3 tremujorët e fundit.

“Në fokus kemi klimën e biznesit, pasi jemi në fazën e dytë të zhvillimit ekonomik, brenda mandatit të parë të kësaj qeveria. Tani që gjërat janë qetësuar pas gjithë asaj beteje për të frenuar rrënimin ekonomik, pas reformave tejet të domosdoshme, sot mund të themi se kemi lënë pas krizën ekonomike, dhe kemi hyrë në fazën e dytë. Është e domosdoshme të krijojmë një mesazh të balancua për imazhin e vendit. Dy statistika kam dëshirë t’i ndaj me ju. Në 4 mujorin e parë të 2016 janë regjistruar në QKB 500 biznese të reja të huaja, që është një lajm shumë i mirë. Me gjithë vështirësitë e veta, bizneset e huaja e kanë Shqipërinë në qendër të vëmendjes dhe numrat tregojnë se Shqipëria ofron fitimin, oportunitetin, sfidën. Statistika e dyte, është se konsumi rritet në tremujorin e tretë dhe të katërt të 2015, dhe me të gjitha gjasat edhe për 3-mujorin e parë në 2016”, tha ministri Ahmetaj.

EKONOMI: GRUP PUNE PER PERMIRESIMIN E KLIMES SE TE BERIT BIZNES
Ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi, u ndal konkretisht tek klima e biznesit në vend, duke theksuar se ky është një prioritet i qeverisë për të nxitur investimet e huaja në vend.

“Qeveria shqiptare ka në qendër të vëmendjes krijimin e një klime të favorshme për investime në Shqipëri. Bota ka përmirësuar të gjithën strukturën e transportit dhe të lëvizjes së kapitalit, dhe qeveritë përpiqen të thërrasin investitorët për të punuar në vendin e tyre. Këtij qëllimi global nuk ka si t’i shpëtojë Qeveria jonë që kërkon të kapë ritmin me efikasitet. Në këtë periudhë ne kemi hetuar në opinione të ndryshme, kuptojmë që fluksi i investimeve të huaja në vend është rritur konsiderueshëm. Numri i të punësuarve në ndërmarrje është rritur me 33 %. Referuar botimeve ndërkombëtare, Shqipëria tregon se ka pasur progres të konsiderueshëm krahasuar me vendet e rajonit, pasi rritja e saj ekonomike ishte mbi mesataren e rajonit. Tek kjo kanë ndikuar edhe reformat e ndërmarra në sektorë të ndryshëm. Tashmë është ngritur një grup pune që synon përmirësimin e klimës së të bërit biznes. Synohet regjistrimi më i lehtë i një biznesi”, tha ministrja Ekonomi.

BB: RRITJA EKONOMIKE PËR SHQIPËRINË DUHET MBI 4.5 % QË TË ARRIJË STANDARDET E BE
Ndërkohë Tahseen Sayed, përfaqësuese e Bankës Botërore në Shqipëri deklaroi se vendi ynë ka pësuar ndryshime transformuese. E pranishme në këtë takim, Sayed pohoi se sfidë ngelet rritja e vendeve të punës.

“Shqipëria ka pësuar ndryshim transformues që pas viteve të komunizmit. Ndryshimet në vend kanë përmirësuar nivelin e të ardhurave dhe kanë përgjysmuar varfërinë. Megjithatë synohet të përmirësohet niveli i rritjes ekonomike”, tha Sayed.

“Duhet të nxitet zhvillimi i sektorit privat. Kjo është çka i duhet Shqipërisë dhe të bëhet mjedis tërheqës. Progresi i deritanishëm ka qenë inkurajues dhe ka rritje. Bankat janë të mirëkapitalizuara dhe norma e lartë e kredive të këqija dhe është diçka që ne e dimë. Qeveria po përpiqet që të krijojë hapa të plotë për përmirësimin dhe uljen e tyre. Shqipërisë i duhet një normë mesatare rritje mbi 4.5 për qind që të përballoj Bashkimin Europian. Shqipëria ka arritur disa pika të forta. Ju e dini se rritja e eksporteve në Shqipëri është e njëjtë dhe destinacioni ka një shkallë të lartë përmbytje. Qeveria ka bërë shumë për të inkurajuar IHD-t, por duhet të kemi një regjim transparent. Qeveria po përpiqet që të ndërmarrë një hap në rrugën e duhur.”, tha Sayed.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: