DURRES- Të rinjtë e Durrësit dhe zonave përreth kanë tashmë një mundësi konkrete për të marrë një profesion apo zanat që u përgjigjet së pari standardeve të certifikuara europiane por edhe kërkesave të tregut. Kjo pasi Ministria e Mirëqenies Sociale, në bashkëpunim edhe me Rajonin Emilia-Romagna në Itali, kanë vendosur që ta kthejnë shkollën teknologjike profesionale “Hysen Çela” në Durrës, në një institucion model të arsimit profesional në fushën e ekonomisë detare. Për këtë qëllim është nënshkruar sot në Durrës edhe marrëveshja e binjakëzimit të kësaj shkolle me Shkollën Profesionale të Bashkuar të Peshkimit “Remo Brindizi”. Marrëveshja e binjakëzimit është firmosur nga dy drejtorët e shkollave përkatëse dhe në ceremoninë e organizuar me këtë rast kanë marrë pjesë edhe ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, ambasadori italian në vendin tonë, Massimo Gaiani, dhe kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.

Në fjalën e tij përshëndetëse, ministri Klosi pasi falënderoi palën italiane për ndihmën që i jep qeverisë shqiptare në fushën e arsimit profesional, ka theksuar se me marrëveshjen e sotme, nxënësve të shkollës “Hysen Çela” iu jepet mundësia që të formohen sipas standardeve europiane. “Nëpërmjet aktivitetit të sotëm, ne hedhim hapin e parë drejt binjakëzimit të kësaj shkolle italiane të ekselencës dhe me emër në Europë, me shkollën tonë “Hysen Çela”, duke synuar kthimin e saj në një shkolle profesionale model që lidhet si me traditën, ashtu edhe inovacionin e modernen. Prania e z. ambasador dhe e të ftuarve nga Rajoni i Emilia Romanjas në këtë event tregon për mbështetjen që qeveria italiane i ka dhënë dhe i jep qeverisë sonë në shumë fusha, përfshirë edhe AFP”, – tha ministri Blendi Klosi në fjalën e tij.

Më tej ai theksoi se shkolla “Hysen Çela”, falë këtij binjakëzimi do mund të kthehet në një nga pionieret e shkollave të ekselencës politeknike që qeveria kërkon të krijojë në disa nga qarqet e vendit. “Shkolla e mesme profesionale ‘Hysen Çela’ në Durrës ka një histori, ka një përvojë, por përmes reformës së arsimit e formimit profesional, ne synojmë që këtë infrastrukturë të përshtatshme ta kthejmë në një kampus të mësimit e formimit të specialistëve të nivelit të Italisë, pra të Europës, në përputhje me kërkesat e tregut të punës, të bizneseve në Durrës, italiane apo shqiptare, pse jo edhe të tregut europian të punës”, – tha Klosi.

Ai vuri theksin edhe te rëndësia që qeveria shqiptare i ka dhënë arsimit profesional, për ta shndërruar atë në një alternativë serioze për të gjithë ata të rinj që kërkojnë një profesion dhe një punë të denjë. Ndaj, për të arritur këtë gjë, ministri u shpreh se qeveria, krahas investimeve dhe marrëveshjeve të bashkëpunimit me vende të ndryshme, do të ndërmarrë dhe një reformë ligjore, e cila konsiston në tri drejtime: institucional, operacional dhe menaxhues. “Reforma që ne po ndërmarrim në zbatim të Strategjisë së sistemit të AFP -së është shumëplanëshe. Ajo do të bazohet në një ligj të ri të AFP-së, ku do të jenë të përcaktuara qartë funksionet dhe përgjegjësitë në të gjitha nivelet. Një ligj tjetër po aq i rëndësishëm në fushën e profesionit do të jetë ‘Ligji i Zejeve’. Projektligji, i cili së shpejti do të miratohet nga qeveria, është bërë në konsulencë me ekspertët më të mirë europianë”, – tha ministri.

Gjithashtu, ministri Klosi vuri në dukje se reforma do synojë optimizimin dhe shpërndarjen e shkollave dhe qendrave, duke siguruar profilizimin e tyre, si dhe për t’i shndërruar ato në institucione shumëfunksionale të AFP-së. “Kjo do të thotë që, veç funksionit klasik si shkollë, ato të funksionojnë edhe si qendra komunitare të formimit dhe specializimit profesional, përfshirë këtu edhe konceptin e mësimit gjatë gjithë jetës, në përshtatje me ndryshimin e teknologjive”, – shtoi ministri Klosi ndërsa theksoi se ligji i ri parashikon edhe vetëqeverisjen dhe vetëfinancimin e shkollave.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: