TIRANE- Deputetja socialiste Vasilika Hysi ka shprehur qëndrimin e saj lidhur me situatën politike në vend, dhe ecurinë e koalicionit PS-LSI. E ftuar në studion e “News24”, në rubrikën “Opinion”, deputetja Hysi tha se deri më tani ecuria e koalicionit ka qenë pozitive. E pyetur nëse së fundmi ka patur problematika brenda koalicionit nisur edhe nga deklaratat e ditëve të fundit, ajo tha se edhe brenda një familje, anëtarët e saj nuk mendojnë njësoj.

Vasilika Hysi tha se koalicioni është i vlefshëm deri më 18 prill, datë kur bëhet edhe regjistrimi i koalicioneve të reja për zgjedhjet e 18 qershorit.

“Edhe në çdo familje ka diskutime, anëtarët kanë mendime të ndryshme për çështje të caktuara. Ky koalicion ka një marrëveshje 4-vjeçare, është deri më 18 prill, atëherë kur do të bëhet regjistrimi i koalicioneve për zgjedhjet e 18 qershorit. Ju mund të keni dëgjuar debate e diskutime, këto janë dëshira edhe të njerëzve jashtë koalicionit. Për mendimin tim, koalicioni ka funksionuar mirë. Nuk është e lehtë të bëhen reforma kaq të rëndësishme. Edhe pritshmëria e qytetarëve ka qenë e lartë. Ndaj është i nevojshëm edhe një mandat i dytë, që të vijohet me këto reforma, dhe të ndihen plotësisht rezultatet e tyre”, tha Hysi.

Deputetja socialiste ka komentuar edhe qëndrimin e shprehur nga presidenti Bujar Nishani një ditë më parë, sa i takon dekretimit të kandidaturës së Fatmir Xhafajt në postin e ministrit të Brendshëm.

“Fjala e Presidentit nuk ishte ajo që unë prisja, pasi në opinionin tim jo vetëm si politikane por edhe si juriste, ai duhet të ishte mbi palët. Ky është funksioni i Presidentit. Nuk mund të mbajë Presidenti qëndrime që dalin jashtë Kushtetutës. Lidhur me orientimet që i dha Parlamentit për votimet ose jo të dekretit të z.Xhafaj, i kapërcen kufijtë e qëndrimit që duhet të mbajë Presidenti.

Në ditët e sotme kushdo mund të bëhet “pis” nga debatet, sidomos kur je figurë publike. Parlamenti në këto vite ka ofruar modelin më të shëmtuar të të bërit politikë ku të gjithë shajnë, dhe njerëzit e kanë të vështirë të kuptojnë se kush është e vërteta”, u shpreh ajo.

Sakaq, deputetja socialiste është ndalur edhe tek protesta e opozitës dhe kërkesa e saj për zgjedhje të lira e të ndershme.

“Kryeministri Rama në komunikimin javor e komunikoi qëndrimin për zgjedhjet. Këto nuk i vendosin partitë, por e parashikon Kushtetuta. Opozita do të hyjë në zgjedhje. Në radhë të parë është vetëvrasje për çdo parti politike, e aq më shumë për opozitën, të mos hyjë në zgjedhje. Basha po përpiqet që përmes diskutimeve në çadër të fitojë pikë, por nga ana tjetër ka prishur imazhin e Shqipërisë.

Qëndrimet e kolegëve të opozitës brenda dhe jashtë Parlamentit nuk kanë qenë konsistente. Në Parlament është ngritur Komisioni i Reformës Zgjedhore, nëse opozita kërkon atë që thotë në çadër për zgjedhje të lira e të ndershme atëherë lë të diskutojë këtë në Parlament. Zgjedhjet e lira nuk bëhen duke i kërkuar në çadër. Duhet që të diskutohen ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Lidhur me vettingun mund të them se ka patur një spostim në afate, pasi opozita e çoi ligjin për vlerësimin e gjykatësve e prokurorëve në Kushtetuese. Sot që ne flasim opozita duhet të ishte në Parlament. Kanë filluar të zbatohen edhe disa ligje të tjera, siç janë ngritja e institucioneve të menaxhimit të institucioneve të qeverisjes së drejtësisë. Dhe ndaj opozita duhet të kthehet në Kuvend. Në Komisionin e Ligjeve është diskutuar edhe mënyra e funksionimit të komisionit ad hoc, dhe të vlerësimit”, u shpreh deputetja socialiste.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: