Nga: TEDI BLUSHI*
TIRANE – Qeveria premton të rishikojë vendimin për dekorimin me “Medaljen e Mirënjohjes” të funksionarëve të lartë të Partisë së Punës, Sigurimit të Shtetit, prokurorëve e gjykatësve të diktaturës. Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, pohoi dje se vendimi i një viti më parë për nderimin e 1000 veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare do të kalojë në “sitën” e një komisioni të ri që pritet t’iu heqë dekoratat xhelatëve të komunizmit.

Në një intervistë për emisionin “Tonight” të gazetares Ilva Tare, Kodheli deklaroi se nuk ishte në dijeni të 1 mijë emrave të dekoruar por saktësoi se nderimi i tyre u bë mbi kriterin e të qenit veteran i kategorisë A. Kodheli tha se është kundër nderimit të xhelatëve të komunizmit dhe u angazhua se do ta pastrojë listën e veteranëve të dekoruar nga emrat e tyre.

Ky premtim bëhet publik 10 ditë pasi “Gazeta Shqiptare” zbuloi skandalin. “Qeveria ka marrë një vendim që të dekorojë veteranët e një kategorie të caktuar, veteranët e kategorisë A. Vetaranët e kategorisë së parë janë dekoruar. Nuk e di fare kush janë 1 mijë emrat. Në emër dhe në respekt të moralit ju pohoj se do rishikohen jo vetëm këto por edhe shumë gjëra të tjera. Unë jam për t’u rishikuar dhe nëse rezultojnë në gjykimin e një komisioni të ri, patjetër t’iu hiqen medaljet dhe përfitimet, sepse në fund të fundit morali është kryesor.

Statusin e veteranit ata e kanë përfituar në vitet ’95-’96. Ata kanë marrë pension personal. Absolutisht që do të merren të gjitha masat se dhe ligjin për hapjen e dosjeve ne e bëmë. Jam totalisht dëshirëplotë dhe vullnetmirë për të pastruar çdo listë nga e keqja sepse jam kundër dhunës, kundër xhelatëve. Shpresojmë që në të ardhmen shumë të afërt të pastrojmë të gjitha listat nga xhelatët”, – pohoi Kodheli.
INVESTIGIMI I “GSH”

“Gazeta Shqiptare” zbuloi ekskluzivisht vendimin e qeverisë për të dekoruar me “Medaljen e Mirënjohjes” funksionarë të lartë të Partisë së Punës, drejtues madhorë, oficerë e agjentë të Sigurimit të Shtetit, kryetarë të Degëve të Punëve të Brendshme, prokurorë që kanë kërkuar dënime me vdekje, gjykatës që kanë dhënë vendime për varje e pushkatim si dhe dëshmitarë në gjyqet e montuara të diktaturës.

Motivacioni për nderimin shtetëror të tyre, 25-vite pas rënies së komunizmit, është: “Për kontributin në luftën për Çlirimin e atdheut nga pushtuesit nazi-fashistë”. Një vit më parë me urdhërin e Ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli u krijua një komision i posaçëm, misioni i të cilit ishte evidentimi i 1000 veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, të cilëve do t’ju jepej “Medalja e Mirënjohjes” me rastin e 70-vjetorit të Çlirimit të Atdheut.

Një vit më pas “Gazeta Shqiptare” siguroi ekskluzivisht listën e plotë, e cila u mbajt sekret dhe nuk ishte bërë publike. Nga një verifikim i hollësishëm, emër për emër, rezultoi që ndër 1 mijë të dekoruarit kishte edhe nga ata që ish-të përndjekurit politikë i cilësojnë si “xhelatë të komunizimit”, të cilët nuk e patën kurrë “Nurembergun” e tyre por që pas vitit 1944, shteti shqiptar, si në diktaturë e demokraci, iu ka varur në gjoks vetëm dekorata.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: