GJERMANI-Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, gjatë punimeve të Konferencës së Sigurisë në Mynih të Gjermanisë ku po merr pjesë, ka zhvilluar disa takime dypalëshe me homologë dhe personalitete të njohur. Kështu, ajo zhvilloi një takim me Sekretarin Britanik të Mbrojtjes, Michhael Fallon. Gjatë këtij takimi dy homologet diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe dhe projektet e përbashkëta në fushën e mbrojtjes.

Ministrja Kodheli vlerësoi maksimalisht mbështetjen që Britania e Madhe jep në edukimin dhe trajnimin e ushtarakëve shqiptarë. Sekretari Britanik i Mbrojtjes Fallon i konfirmoi ministres Kodheli qe Forcat e Armatosura Britanike do të vijojnë me stërvitje të përbashkëta në territorin shqiptar. Stërvitja “Albanian Lion” do të zhvillohet në vjeshtën e këtij viti dhe do t’i shërbejë rritjes së ndërveprueshmërisë mes dy forcave tona të armatosura.

Ministrja Kodheli gjithashtu zhvilloi një takim me asistentsekretaren e Mbrojtjes të SHBA-ve për Çështjet e Sigurisë Ndërkombëtare, Elissa Slotkin. Ministrja Kodheli e falënderoi asistentsekretaren për mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Forcave të Aarmatosura Shqiptare.

Asistentsekretarja e Mbrojtjes amerikane, Elissa Slotkin, ritheksoi rëndësinë që qeveria amerikane i ka dhënë dhurimit të paisjeve ushtarake që Shqiperia ka bërë për peshmergat në luftën kundër të ashtuquajturit shtet islamik.

Gjatë punimeve të Konferencës se 52-të të Sigurisë në Mynih, Kodheli zhvilloi një takim të veçantë pune edhe me ministren e Mbrojtjes të Italisë, Roberta Pinotti. Te dy autoritetet theksuan rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit mes forcave të armatosura.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: