* “Edhe 1000 muxhahedinë të vijnë nuk cenojnë sigurinë”
* “I premtuam Kerryt se deri në fund të marsit reforma në drejtësi do të ishte një gjë e kryer”

TIRANË- Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, pjesë e delegacionit shqiptar gjatë takimit me sekretarin amerikan të shtetit, John Kerry ka komentuar nga studio e News24 këtë vizitë historike dhe çështjet kryesore që u prekën gjatë takimit të sotëm. Kodheli ka folur edhe për një çështje të përfolur shumë gjatë këtyre ditëve se mund të diskutohej gjatë vizitës së Kerryt. Bëhet fjalë për ardhjen e muxhahedinëve në Shqipëri. Ministrja Kodheli ka deklaruar dhe siguruar se gjatë takimeve të sotme kjo çështje nuk është cekur fare.

Përsa i përket takimi në kryeministri, Kodheli tha se ishte më shumë se sa miqësor. “Kryeministri Rama është personi i duhur për të shkrirë akujt mes përfaqësuesve të shtetit tonë dhe përfaqësuesve të lartë të SHBA-ve. Mesazhi dashamirës. Ishte shumë e thjeshtë për ne për të krijuar një ambient të duhur miqësor dhe profesionist për problemet me të cilat përballet Shqipëria dhe gjithë bota. Takimi ishte më shumë se sa miqësor. Pikat e diskutimit realisht të rëndësishme për momentet që po kalon Shqipëria. Duke filluar me mbështetjen e pafund për reformën në drejtësi e duke përfunduar me falënderimet për çfarë ka dhënë Shqipëria në luftën kundër terrorizimit, me suportin në NATO. Me gjithë mbështetjen që Shqipëria do të japë lidhur me emigracionin, refugjatët dhe luftën kundër terrorizmit. Një mesazh i rëndësishëm edhe për luftën kundër terrorizmit”, tha Kodheli.

Shqipëria dhe misionet në NATO
“Unë vij nga një javë intensive aktivitetesh dhe mbledhjesh të rëndësishme. Ishin 2 ditë intensive të ministerialit të ministrave të mbrojtjes së NATO-s ku u morën vendime të rëndësishme. Në konferencë morën pjesë shumë personalitete që diskutuan atë që është targetin botëror. Situatë komplekse, ku Shqipëria është në frontin e parë të bërjes së gjërave. Ka marrë pafundësisht falënderime qoftë nga Stoltenberg dhe nga të gjitha strukturat mbrojtëse të vendeve të NATO-s, sepse jemi në Afganistan dhe do të shtojmë misionet tona”, tha Ministrja e Mbrojtjes në rubrikën “Opinion” në News24.

Dekriminalizmi
Përsa i përket dekriminalizimit dhe ‘porositë’ e sekretarit Kerry, Kodheli tha se “gjithsekush duhet të bëjë detyrat e veta të shtëpisë”. “E rëndësishme që impenjimi të jetë serioz të mos ndikohet nga politika banale e ditës. Gjithsekush duhet të bëjë pjesën e vet. Duhet të vlerësoj të gjithë ata që janë serioz në këtë çështje. Atë çka ndamë me sekretarin Kerry, ishte se i kemi bërë mirë detyrat e shtëpisë. Ky është një proces që duhet të vazhdojë”, tha ajo.

ISIS apo DAESH
Ministrja ka shpjeguar edhe terminologjinë e përdorur për terrorizmin. ISIS apo DAESH? Kodheli tha se janë e njëjta gjë. “ISIS dhe DAESH janë e njëjta gjë, për të njëjtin shtet pseudoislamist. Fillimisht është quajtur ISIS, më pas ISIL tani DAESH. Shqipëria u falënderua për të qenin pjesë aktive e kësaj luftë. Të dimë të kuptojmë, çka realisht një fe na mëson. Çdo fe mëson gjithçka, përveç të qenit terrorist dhe marrjes së jetës së tjetrit”, theksoi ministrja.

Muxhahedinët
Ministrja e Mbrojtjes tha se gjatë takimeve të sotme të sekretarit amerikan të shtetit pati shumë tema të rëndësishme për t’u diskutuar, ndërsa ka siguruar se nuk është prekur ajo e ardhjes së muxhahedinëve në Shqipëri.

“Ju siguroj se në takimin e sotëm nuk është prekur fare kjo temë. Kishte tema shumë më të rëndësishme për t’u cekur dhe kështu ndodhi”, tha ajo.

Sipas Kodhelit, Shqipëria për shkak të impenjimeve të saj mund të presë njerëz në nevojë dhe ardhja e muxhahedinëve nuk cenon sigurinë dhe as marrëdhëniet me Iranin, qofshin këta edh 1000.

“Nuk besoj se është në interesin e publikut të dijë se 10 apo 15 njerëz të një përkatësie tjetër të vijnë në Shqipëri. Shqipëria për shkak të impenjimeve të saj mund të presë njerëz në nevojë. Evropa pret miliona, pse Shqipëria nuk mund të presë?! Nuk cenohet siguria për 50 njerëz paqësorë që largohen nga vendi i tyre pasi nuk mund të jetojnë. Nuk cenohen marrëdhëniet me Iranin. Nuk është në ato nivele që mund të cenojë. Marrëdhëniet nuk cenohen. Edhe sikur të ishin 1000 nuk cenohet asgjë”, theksoi Kodheli.

Reforma në drejtësi
Ministja Kodheli deklaroi se mesazhet e sekretarit Kerry për reformën në drejtësi ishin “të pastra, të qarta, të drejtpërdrejta dhe dashamirëse”. “Sistemi i drejtësisë ka pasur nevojë prej vitesh të reformohej. Kjo nuk është bërë dhe gjërat kanë ardhur në përkeqësim. Ne realisht kemi nevojë për një reformë të thellë, shumë dimensionale të një sistemi të korruptuar thellë. Mesazhi i sekretarit Kerry ishte mbështetës dhe inkurajues. Premtuam se deri në fund të marsit kjo do të ishte një gjë e kryer”, nënvizoi Kodheli.

Ministrja vlerësoi edhe njëherë vizitën e sekretarit amerikan në këtë moment në Shqipëri.
“Është i bukur momenti. Sepse janë celebruar plot 25 vjet të rivendosjes së marrëdhënieve Shqipëri-SHBA. Ju vetë i keni sjellë momentet kyçe sot. Është nder i madh që na bëhet në të gjitha herët. Shqipëria vend i vogël por shumë i rëndësishëm”, tha ajo.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: