TIRANE- Kreu i partisë “Zgjidhja”, Koço Kokëdhima ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Rama dhe ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Në emisionin “Kjo javë” me Nisida Tufën në “News24”, ai tha se vendi ynë ndodhet në një situatë të vështirë, pasi “Ministria e Brendshme u bë praktikisht karteli i marijuanës në Shqipëri”. Për këtë, ai bën përgjegjës kryeministrin Rama dhe Saimir Tahirin.

“Ky nuk ishte kriminalizimi rastësor, as si rezultat i ndërhyrjes se mafiozëve të drogës me para apo mënyra të tjera të korruptimit të policisë, por ky ishte një plan i qartë i implementuar nga koka e shtetit dhe e qeverisë. Kjo polici me ministër Fatmir Xhafën nuk është më kartel i drogës por është Polici e Shtetit. Na pëlqen apo s’na pëlqen ne, Fatmir Xhafaj e ka vënë këtë polici në shërbim të rendit dhe të sigurisë, dhe sigurisht që ky është një zhvillim i padëshiruar për partitë e vjetra të cilat punojnë në bashkëpunim krejtësisht të ngushtë me njëra-tjetrën. Rama dhe PD janë një, kush nuk e kupton është thjesht një qorr, ose një i paguar, ose një njeri i leshtë. Ata punojnë bashkë, kanë kapur bashkë shtetin, i japin siguri të plotë njëri-tjetrit, mbrojnë njëri-tjetrin, garantojnë ekzistencën e njëri-tjetrit, dhe alternimin e ndërsjellë në pushtet”, u shpreh Koço Kokëdhima.

Ai tha se “E dinë të gjithë që Saimir Tahiri ishte një punonjës i tij (Ramës) në drejtimin e kartelit të marijuanës në Shqipëri. E dinë të gjithë drejtorët e policisë, dhe të gjithë shefat e policisë, pasi ishin të urdhëruar të merreshin me këtë”.

Më tej, Kokëdhima tha se nuk mund të krahasohen rastet “Tahiri” dhe “Xhafaj”, pasi sipas tij janë të ndryshme, dhe nuk kanë lidhje.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb