Nga: FATMIRA NIKOLLI* TIRANE-Rreth tri orë ka zgjatur dje në Ministrinë e Kulturës një takim mes specialistëve të kësaj të fundit dhe atyre të Operatorit të Sistemit të Transmetimit sa i takon çështjes “Komani”. Kalimi i një linje të tensionit të lartë në zonën arkeologjike B të Komanit është kthyer në temë debati e shkresash prej muajsh, dhe ende është në pikëpyetje nëse ka marrë një zgjidhje. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë, morën pjesë ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, zëvendësministri Zef Çuni, drejtoresha e Trashëgimisë në MK, Xhuli Harasani si edhe anëtarët e këtij Këshilli, mes të cilëve Lorenc Bejko, Iris Pojani, Luan Përzhita (drejtor i Institutit të Arkeologjisë), bashkëdrejtueset e Misionit Arkeologjik Francez, Etleva Nallbani dhe Elvana Metalla, por edhe Administratori i OST-së, Engjëll Zeqo me specialistët e tij. MBLEDHJA E nisur në orën 16:30, ajo ka zgjatur deri në orën 19:30. Sigurisht, nuk kanë munguar debatet mes palëve.

Burime të “Gazeta Shqiptare” bënë me dije se Operatori i Sistemit të Transmetimit ka këmbëngulur deri në fund, që shtyllat e linjës së tensionit të lartë të kalonin mespërmes zonës arkeologjike B të Komanit mesjetar, sipas propozimit të tyre të parë, i cili për fat të keq qe miratuar nga Ministria e Kulturës në dhjetor (konform ligjit të trashëgimisë, por sërish në dëm të sitit). Por mbas debatesh që i kaluan tre muajt, kundërshtive të gjithë specialistëve (të trashëgimisë dhe energjetikës) dhe protestës së shoqërisë civile, Ministria e Kulturës më në fund u bind se duhej të tërhiqej dhe duhej t’i kërkonte të tërhiqej edhe vetë OST-së. Në një takim të muajit shkurt në Koman, palët ranë dakord me harta në duar për një variant të dytë. Megjithatë, në muajt shkurt dhe mars, ky variant i dytë u gjykua si i pazbatueshëm në terren dhe me një kosto të madhe (një tjetër shkak ishin afatet kohore të projektit për linjën 400 KW), nga OST, e cila vijoi të këmbëngulte për variantin e parë, përmes disa shkresave që “Gazeta Shqiptare” i ka botuar përgjatë marsit.

Dje, kërkesat e OST-së janë hedhur poshtë nga KKA dhe nga oponenca e bërë nga arkeologët e misionit arkeologjik francez që prej vitesh punojnë në Koman. Atëherë OST-ja ka propozuar një variant të tretë, sipas të cilit, shtyllat e linjës së tensionit të lartë kalojnë sërish në zonën arkeologjike B të Komanit mesjetar, por në skajin e tij, duke e dëmtuar më pak atë, por duke dëmtuar sër-ish aspektin vizual të sitit, sidomos nëse pretendohet e flitet nëpër tryeza të rrumbullakëta për turizëm kulturor!!! E, dje Ministria ka këmbëngulur për ta mbrojtur këtë sit (për aq sa mund të mbrohet), për fat të mirë ka këmbëngulur (siç duhej të kishte bërë prej dhjetorit kur iu propozua së pari, që sot të mos përmendë OST-ja afate kohore).

Tashmë, jemi në pikën ku projekti do ribëhet dhe do kalojë sërish në Këshillin Kombëtar të Arkeologjisë me variantin e tretë. SHPËTOI?! A mund të thuhet se Komani shpëtoi? E vështirë! Mund të thuhet se ky variant i tretë është më i miri i mundshëm për situatën, ose ‘e keqja më e vogël’, por prapë nuk mundtë thuhet se shpëtoi, pa kaluar projekti i ri në KKA, pa filluar e mbaruar puna në terren, pa e parë atë linjë të përfunduar. Vështirë të thuash ‘shpëtoi’, sepse e njëjta gjë u tha në shkurt, dhe në muajt në vijim, letrat mes palëve dukeshin aq të trishta, aq mundëse, aq të pashpresa, aq heshtëse, aq dorëzuese, aq armike, sa të kalonin nëpër mend më pesimistet ide për këtë vend ku shpesh kumbon Migjeni e thotë “Në vendin tonë/ kudo valojnë, flamujt e një melankolie/ të trishtueshme…/ …dhe askush s’mund të thotë/ se këtu rron/ një popull që ndërton/ diçka të re”. Vështirë të thuhet ‘shpëtoi’, se shumëçka që është shpëtuar nga luftërat po shkatërrohet nga shkresat e nga lejet. Po mbase, siç tha një tjetër burim i “GSH”, “pati një frymë pozitive dhe besojmë që u gjet një zgjidhje përfundimtare”! E kush mundet, kujt i ka mbetur më fuqi, le të besojë!

(a.n/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: