* VIDEO:Autobuzi me ekipin serb drejt Elbasan Arena
* UEFA: Tifozët jo simbole etnike, shpalosen 2 flamuj gjigand
* Ja formacioni i De Biasit

TIRANË- Serbia ka arritur të mposhtë Shqipërinë në fushën e saj. Në minutën e 90, lojtarët serbë kanë shënuar golin e parë dhe vetëm pak sekonda më pas edhe golin e dytë, duke ndëshkuar kështu Kombëtaren shqiptare. Ishte Kolarov ai që solli golin e parë për serbët dhe pas tij Ljajic.

Kuqezinjtë e nisën mjaft mirë lojën, por duket se mallkimi i humbjes në minutat e fundit, nuk i ndahet Shqipërisë, duke pësuar dy gola. Një goditje e dhimbshme për Kombëtaren Kuqezi, ndërkohë që Portugalia bëri detyrën, duke mposhtur Danimarkën 1-­0.

Me një atmosfere elektrizuese në “Elbasan Arena” kuqezinjtë e De Biazit e nisin mjaft mirë sfidën duke ushtruar menjëherë presion. Ndërkohë që edhe serbët kanë ushtruar presion në zonën e kuqezinjve. Në minutën e 37-të, serbët shënojnë por gjyqtari Ricoli anuloi golin dhe dha faull. Kjo gjë ka shkaktuar tension mes futbollistëve, por pjesa e parë e ndeshjes është mbyllur 0-0. Pas dëmtimit të Lilës, në fushë ka hyrë Ergys Kaçe për ta zëvendësuar. Edhe në pjesën e dytë, nuk kanë munguar rastet për Shqipërinë. Ndërkohë Serbia ka futur në lojë futbollistin me origjinë shqiptare Miralem Sulejmani, i cili ka marrë fërshëllimat e tifozëve gjatë hyrjes në fushën e blertë. Në minutën e 76-të, Sokol Cikalleshi ka pasur një rast të mirë, por nuk ka mundur të shënojë dhe ka goditur shtyllë sërish, pavarësisht se dy ditë para ndeshjes deklaroi se do të bënte gol. Në minutat e fundit, kuqezonjtë intesifikojnë sulmet, mirëpo Serbia godet me kundërsulme të shpejta. I pari është Kolarov që merr një super top në krahun e majtë dhe mposht Berishën. Një minutë më pas është Ljajiç që gjen hapësirë në qendër dhe i vetëm mposht portierin kuqezi.

SHANSET E SHQIPËRISË
Pas humbjes së sotme ndaj Serbisë, Shqipëria është 1 pikë larg Danimarkës në vend të 2-të. Nëse fiton në Armeni, Kombëtarja shqiptare kualifikohet direkt. Ndeshja me Armeninë luhet të dielën më 11 tetor në orën 18:00.  E nëse gjërat nuk shkojnë siç duhet dhe Shqipëria nuk fitojnë në Armeni, atëherë djemtë e De Biasit do luajnë në Play-Off.
Në anën tjetër ndeshja Portugali-Danimarkë ka përfunduar me rezultatin 1-0, çka ishte një shans më shumë për përfaqësuesen shqiptare.

NDESHJA MINUTË PAS MINUTE

Minuta 91’: Kundërsulm nga e majta dhe Kolarov shënon, 1-0 për serbët

Minuta 79’: Faull. Kolarov gjuan, jashtë.

Minuta 76’: Cikalleshi gjuan, por Stojkoviç shpëton portën e tij.

Minuta 75′- Kuqezinjtë marrin zemër, fillojnë të krijojnë aksione të njëpasnjëshme duke ushtruar presion.

Minuta 73′- Zbritje e shpejtë e serbëve me Lajiç që shmang bukur një mbrojtës dhe godet me të djathtën, por bllokon Lorik Cana.

Minuta 72′- Dëmtohet edhe Nemanja Matiç, largohet nga loja për Feisën. 68′ Cikalleshi në fushë, largohet Bekim Balaj.

Minuta 67′- Entuziazëm në “Elbasan Arena” tifozët marrin lajmin se Portugalia ka kaluar në avantazh.

Minuta 65′- Dëmtohet kapiteni serb, Ivanoviç. Ai del nga loja dhe në vend të tij hyn numri tre Dushka Tosiç.

Minuta 60′- Pranë golit Shqipëria, Agolli kroson bukur nga e majta drejt zonës dhe topi shkon në këmbët e Taullant Xhakës, mesfushori pasi e kontrollon, gjuan drejt portës, por debijojnë serbët duke e nxjerë jashtë.

Minuta 55′- Serbia kryen zëvendësimin e parë. Del nga loja Dushan Tadiç dhe në vend të tij hyn “shqiptari” Sulejmani, që vërshëllehet nga tifozët kuqezi.

Minuta 53′- Goditje dënimi për kuqezinjtë në krahun e djathtë, Kaçe kroson drejt zonës, topi shkon te Cana që gjuan menjëherë me të djathtën, por topi kalon shumë larg shtyllës pingule.

Minuta 51′- Lenjani niset me shpejtësi, gjen hapësirën për të goditur dhe atë bën, por pret portieri Stojkoviç.

Minuta 48′- Aksion i shpejtë i serbëve në krahun e majtë, krosim drejt zonës, por largojnë mbrojtësit, topi shkon te Milivojeviç i cili gjuan nga jashtë zone, por topi kalon mbi traun e portë.

Minuta 46′- Nis pjesa e dytë e ndeshjes Shqipëri­-Serbi. Kuqezinjtë luajnë topin. Ndërkohë, Andi Lila ka dalë nga loja i dëmtuar dhe është Ergys Kaçe që e zëvendëson.

Minuta 45+2-­ Përfundon pjesa e parë në “Elbasan Arena” në barazim pa gola mes Shqipërisë dhe Serbisë. Kuqezinjtë patën një sërë rastesh por nuk arritën të gjenin golin. Ndërsa Serbisë iu anulua një gol i parregullt i Ljajiç. Për këtë pati edhe tension në fushë mes futbollistëve serbë dhe atyre shqiptarë. Tosiç shkaktoi faull ndaj Berishës dhe gjyqtari anuloi golin.

Minuta 45′- Lenjani provon goditjen nga distanca me këmbën e majtë, por pret në dy kohë portieri serb.

Minuta 43′- Ka lëvizje në stolin e Shqipërisë, Roshi dhe Kace ngrihen në nxehmje. Lila dëmtohet dhe lë lojën.

Minuta 40′- Nisen me shpejtësi shqiptarët, Memushaj pason për Lenjanin në krahun e majtë duke e nxjerë krejtësisht të lirë, por topi është shumë i fortë.

Minuta 37′- ­Shënon Serbia, por goli anulohet, pasi, Tosiç përplaset me Berishën duke e lënë të dëmtuar. Gjyqtari anulon golin dhe sinjalizon faull. Por kjo nuk është pritur mirë nga Ljajiç, i cili goditi topin për në rrjetë. Ka tensione mes lojtarëve

Minuta 34′- Aksion i shpejtë i Shqipërisë. Memushaj përpiqet nga kufijtë e zonës, por bllokohet, e merr topin Andi Lila që godet me të majtën nga jashtë zone, por topi kalon mbi traun e portës.

Minuta 31′- Minuta të qeta, topi luhet kryesisht në mesfushë, lojë e rregullt dhe Fair-Play.

Minuta 28′- Rrezikojnë serbët me Mitroviç, por largon topin Cana, kundërsulmojnë kuqezinjtë. Lenjani përpiqet në krahun e majtë, por devijohet topi në goditje kendi.

Minuta 26′- Memushaj shërben bukur për Agollin në krahun e majtë, mbrojtësi kroson drejt zonë, por largojnë topin mbrojtësit serbë.

Minuta 22′- Goditje kendi për Serbinë, pasim i shkurtër në zonë dhe Ivanoviç gjuan fuqishëm me të djathtën, por topi për fat të mirë kalon mbi traun e portës.

Minuta 19′ – Zbritje e shpejtë e kuqezinjve me Memushajn që provon të gjejë të lirë Lilën në të djathtë, por kuptojnë gjithçka serbët.

Minuta 17′- Xhaka provon nga distanca, por gjuajtja e tij është e lehtë dhe kontrollon Stojkoviç.

Minuta 12′- Balaj dhe Andi Lila insistojnë në krahun e djathtë, por shkaktojnë faull ndaj mbrojtësit Serb.

Minuta 09′- Goditje kendi për Shqipërinë, kroson drejt zonës Lenjani, aty përpiqet Cana, por largojnë mbrojtësit serbë. E rrimer Lenjani në krahun e majtë që kroson drejt zonës, Lila godet me kokë, por pret në pozicion portieri Stojkoviç.

Minuta 07′- Goditje dënimi nga një pozicion i favorshëm për Serbinë, gjuan Ljajiç, por topi përplaset në mur.

Minuta 06′- Presion i serbëve në zonën e Etrit Berishës, Hysaj largon topin dhe i jep qetësi ekipit.

Minuta 04′- Ndërhyrje e ashpër e Mitroviç ndaj Lenjanit në mesfushë, arbitri e ndëshkon me karton të verdhë.

Minuta 02′- Hysaj niset me shpejtësi nga krahu i djathtë, Hysaj kroson drejt zonës rrezikshëm, por nuk ndodhet askush për ta shfrytëzuar.

Ora 20:45-­ Ka nisur ndeshja përcaktuese mes Shqipërisë dhe Serbisë, e vlefshme për kualifikueset e Euro 2016. Topin e parë e luajnë serbët, ndërkohë që Shqipëria hidhet menjëherë në sulm.

Ora 20:43-­ Luhet himni shqiptar, i gjithë stadiumi është në këmbë duke kënduar. Atmosfera është mëse emocionuese. Lojtarët e Kombëtares Shqiptare janë të gjithë duke kënduar, së bashku me kryeministrin Rama.

Ora 20:40- Skuadrat kanë dalë në fushë, ndërsa fillon ekzekutimi i himnit serb. Tifozët kuqezi po vërshëllejnë. Ndërkohë, kryeministri Rama është ngritur në këmbë në shenjë respekti, së bashku me kryeparlamentarin Meta.

Ora 20:37-­ Atmosferë fantastike në “Elbasan Arena”, tifozët shqiptarë nuk pushojnë së kënduari deri sa skuadra Kombëtare të dalë në fushë

KUQEZINJTË DALIN NË FUSHË
Ora 20:22-­ Kuqezinjtë dalin në fushën e “Elbasan Arena” duke bërë “nxehjen” përpara ndeshjes me Serbinë, e cila nis në orën 20:45.

FORMACIONET ZYRTARE SHQIPËRI – SERBI
Shqipëria dhe Serbia kanë publikuar formacionet zyrtare

Shqipëri: Berisha, Lila, Hysaj, Xhimshiti, Agolli, Lenjani, Cana, Basha, Mamushaj, Xhaka, Balaj

Rezervistët: Shehi, Hoxha, Ajeti, Rrahmani, Kukeli, Meha, Kaçe, Roshi, Abrashi, Sadiku, Gashi, Çikalleshi.

Serbia: Stojković, Tomović, Ivanović, Kolarov, S Mitrović, Tošić, Milivojević, Matić, A Mitrović, Tadić, Ljajić

Rezervistët: Rajković, Dmitrović, Obradović, Tošić, Spajić, Gudelj, Sulejmani, Brašanac, Milinković-Savić, Katai, Fejsa, Škuletić.

Shqipëria sonte takohet me Serbinë në kuadër të xhiros së parafundit të Grupit I kualifikues për Euro 2016.

formacionet ok

POLICIA: JA RRUGËT QË BLLOKOHEN NË TIRANË
Policia e Tiranës njofton se sheshi Skënderbej, bulevardi Dëshmorët e Kombit dhe sheshi “Nene Tereza” do të jenë të bllokuara për mjetet që nga ky moment deri në fund të aktiviteteve dhe festimeve që shoqërojnë ndeshjen e Kombëtares.

TIFOZËT KUQEZINJ, THËRRASIN UÇK KUR SERBËT HYJNË NË FUSHË
Ora- 19:35- Futbollistët serbë janë pritur me vërshëllima në “Elbasan Arena”. Në momentin kur ekipi mik ka hyrë në fushë për të parë se si është terreni mijëra të pranishëm kanë nisur të thërrasin “UÇK, UÇK”

KOMBETARJA SERBE MBERRIN NE STADIUM
ORA 19:00-
Skuadra e Kombëtares së Serbisë ka arritur në qytetin e Elbasanit 60 minuta pasi është nisur nga Tirana. Futbollistët serbë kanë mbërritur në “Elbasan Arena” nën masa të rrepta sigurie.

Lojtarët e Kombëtares serbe të futbollit prekën fushën e stadiumit “Elbasan Arena” rreth orës 19:15 minuta. Gjatë momentit kur lojtarët po njiheshin me fushën, ata u pritën me vërshëllima nga tifozët kuqezinj.

Disa minuta më parë, arbitri i ndeshjes, Nikola Ricoli futet në fushë për të inspektuar kushtet e stadiumit, ndërkohë merr ovacionet e publikut të cilët e presin me duartrokitje. Nga ana tjetër tifozët dëgjohet teksa brohorasin në çdo moment: “Ballist Morina”.

KOMBËTARJA E SERBE E FUTBOLLIT NISET DREJT ELBASANIT
ORA 18:00-
Kombëtarja serbe e futbollit është nisur drejt qytetit të Elbasanit nën masa të rrepta sigurie.

Ndërkaq, në Elbasan ka filluar futja e tifozëve në ‘Elbasan Arena’.

TIFOZËT HYJNË NË STADIUM
Ora 17:50- Tifozët kuqezinj pritën gjatë për të nisur hyrja. Dhe pritjes i vjen fundi. Dyert e stadiumit “Elbasan Arena” u hapën në orën 17:00. Deri në momentin e hyrjes, tifozët kuqezinj të ardhur ngado, kënduan këngë patriotike dhe brohoritën me thirrjet e tyre tradicionale, shkruan sport.al. Kontrollet për të hyrë në mjediset e “Elbasan Arenës” ishin tepër të rrepta për këdo.

tifozet hyjne

DE BIAZI, EMRA “TË RINJ” NDAJ SERBISË
Trajneri De Biazi e ka përcaktuar përfundimisht Kombëtaren kuqezi, e cila do të zbresë sot në “Elbasan Arena” për ndeshjen ndaj Serbisë. Në seancën e fundit stërvitore, ai ka punuar shumë taktikisht me grupin e futbollistëve që do të luajnë që nga minuta e parë, duke mos i mbajtur më sekret të besuarit e tij.

Nëse De Biazi vazhdon t’i mbesë besnik skemës 4-3-3, skuadra do të ketë ndryshime emrash, krahasuar me ndeshjet ndaj Danimarkës dhe Portugalisë.

Në portë, do të jetë i padiskutueshmi Etrit Berisha, para të cilit do të rreshtohet katërshja e mbrojtjes me Elseid Hysajn në të djathtë të rikthyer nga dëmtimi dhe Ansi Agollin, si përherë në të majtë, shkruan sport.al. Në qendër të tyre do të jetë kapiteni Lorik Cana, i cili kësaj here do të ketë përkrah Berat Gjimshitin, që ka ulur në stol Arlind Ajetin.

Edhe reparti i mesfushës do të ketë ndryshime. Në qendër do të rikthehet Migjen Basha, që zëvendëson Burim Kukelin, duke patur në krahë Andi Lilën e rikthyer në të djathtë dhe Taulant Xhakën në të majtë.
Në majë të sulmit do të luajë Bekim Balaj në vend të Sokol Cikalleshit, i cili do të mbështetet nga mesfushorët sulmues, Ledian Memushaj nga e djathta dhe Ermir Lenjani nga e majta.

Ky besohet të jetë formacioni i Kombëtares sonë kuqezi për ndeshjen e së enjtes ndaj Serbisë, të cilin trajneri Xhani De Biazi pritet vetëm ta zyrtarizojë në fushën e “Elbasan Arenës”.

DY FLAMUJ GJIGANDË KUQEZI DO TË SHPALOSEN SOT NË STADIUM
UEFA ka pranuar sot kërkesën e tifozëve ‘Kuq e Zi” për të mbajtur në stadium gjatë ndeshjes Shqipëri-Serbi dy flamuj të mëdhenj. Pritet që flamujt, dhuratë e tifozëve “Kuq e Zi”, të shpalosen në tribunat C1, C2, C3.

Ndërkohë që, përveç tifozëve të kombëtares shqiptarë nga e gjithë Shqipëria, shumë tifozë shqiptarë nga Kosova, Danimarka, Zvicra etj, do të jenë sot në stadium për të parë ndeshjen Shqipëri- Serbi, e cila është vendimtare në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Euro 2016. Qindra tifozë nga Kosova, Presheva dhe Shkupi kanë mbërritur prej mbrëmjes se djeshme në Elbasan dhe të tjerë pritet të mbërrijnë gjate dites.

Trajneri i kombëtares, Xhani De Biasi theksoi se e rëndësishme është arritja e objektivit “Francë 2016”, ndërsa nga ana tjetër u bën thirrje tifozëve ti mbështesin dhe të mos krijojnë incidente. Edhe trajneri serb, Radovan Curcic deklaroi se serbët do lujnë për fitore, edhe pse vlerësoi kombëtaren shqiptare dhe përgatitjen e tyre.

Gjatë mbrëmjes së djeshme teksa udhëtonte nga Rinasi drejt hotelit në Tiranë autobusi që transportonte kombëtaren serbe u godit me gurë. Mediat serbe nuk nguruan ta cilësonin këtë si incident, madje cituatuan burime të federatës që thoshin se po të kishte tqë tilla skena nuk do hynin në fushën e lojës. Shresojmë që situata të tilla të mos përsëriten që të kemi mundësi të shohim futboll.

Ndërkaq sot mësohet se janë takuar përfaqësues të UEFA, FSHF-së dhe policisë në lidhje me simbolet që do lejohen në stadium. Bëhet me dije se do të jenë vetëm simbolet kombëtare ato që iu lejohen tifozëve, si banderola, shale dhe flamuj kuq e zi. Po ashtu do të lejohen edhe shalle me simbolet e grupimit të “Plisave”. Raportohet se në stadium nuk do lejohet asnjë simbol me flamurin “Autochthonous” apo simbole dhe figura të shtetit të Kosovës. Po ashtu nuk do të lejohet harta e Shqipërisë etnike.

MASAT, TUNELI I ELBASANIT I BLLOKUAR DERI NË PËRFUNDIM TË NDESHJES
Në vazhdim të masave të marra nga Policia e Tiranes , për sigurimin e rendit dhe të qetësisë si dhe garantimin e sigurisë në zhvillimin e aktivitetit sportiv SHQIPERI – SERBI, sot më datë 08.10.2015,, ka ju rikujtojmë segmentet rrugore të cilat do të jenë bllokuar ditën e sotme:
Sa sipër, do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore: Sot më datë 08.Tetor 2015, do të vazhdojë të mos lejohet parkimi i automjeteve dhe nuk do te lejohet kalimi i kembesoreve pranë Hotel “Sheraton’’ dhe Univeristetit të Arteve si dhe nuk do te lejohet parkimi i automjeteve në sheshin “Italia”. Bllokimi do të vazhdojë në të gjitha segmentet të cilat lidhen me Hotel “Sheratonin”.

Nga ora 12:00-19:00, do të bllokohet segmenti rrugor nga rruga “Dervish Hima”, rruga e “Elbasanit”, tuneli i Elbasanit ku nuk do të lejohen kalimi mjeteve deri në përfundim të aktivitetit sportiv në qytetin e Elbasanit.

Drejtoria e Tiranës, kërkon mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve dhe gjithë përdoruesve të rrugës të shmangin kalimin në segmentet e përcaktuara si edhe të përdorin aksin rrugor nga autostrada për të mbërritur ne qytetin e Elbasanit.

ATMOSFERË FESTIVE NË ELBASAN PËR NDESHJEN SHQIPËRI-SERBI
Qyteti i Elbasanit është kthyer ditën e sotme në kryefjalën e emocionit, festës dhe shpresës për fitore, për të gjithë tifozët e kombetares shqiptare që do të ndjekin ndeshjen në Shqipëri-Serbi në stadiumin “Elbasan Arena”.Flamuj kuq e zi, kapele, bluza e shalle me simbolet e Shqipërisë shihen ngado në rruget e sheshet e qytetit te Elbasanit.

Ndërkohë që, përveç tifozëve të kombëtares shqiptarë nga e gjithë Shqipëria, shumë tifozë shqiptarë nga Kosova, Danimarka, Zvicra etj, do të jenë sot në stadium për të parë ndeshjen Shqipëri- Serbi, e cila është vendimtare në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Euro 2016. Qindra tifozë nga Kosova, Presheva dhe Shkupi kanë mbërritur prej mbrëmjes se djeshme në Elbasan dhe të tjerë pritet të mbërrijnë gjate dites.

POLICIA: JA RRUGËT QË DO BLLOKOHEN PËR NDESHJEN
Në zbatim të Planit të Masave të Drejtorisë së Policisë së Shtetit: “Për sigurimin e rendit dhe qetësisë dhe zhvillimin normal të ndeshjes ndërkombëtare të futbollit, midis ekipeve përfaqësuese të Shqipërisë dhe Serbisë që zhvillohet me datën 08.10.2015 në ora 20.45 në Stadiumin “Elbasan Arena” të qytetit të Elbasanit, do të ketë kufizime dhe devijime të drejtimit të trafikut të mjeteve rrugore, si më poshtë:
1.Me datën 08.10.2015, pas orës 12:00, nuk do të ketë lëvizje automjetesh në aksin rrugor Tiranë – Tuneli i Krrabës – Elbasan. Drejtimi i lëvizjes së mjeteve pas kësaj ore do të jetë në aksin rrugor Tiranë – Durrës – Rrogozhinë – Peqin – Elbasan. Personat e interesuar për të ndjekur ndeshjen në stadiumin “Elbasan Arena” duhet të lëvizin në drejtim të Elbasanit, (nëpermjet Tunelit të Krrabës) para orës 12:00, përndryshe do të detyrohen të qarkullojnë në aksin e përmendur më lart me kalim nga Durrësi.
2.Me datën 08.10.2015, pas orës 22:00, drejtimi i lëvizjes së mjeteve në drejtim të Tiranës, (pas përfundimit të ndeshjes), do të jetë vetëm në aksin rrugor Elbasan – Rrethrrotullimi i Bradasheshit – Peqin – Rrogozhinë – Durrës – Tiranë.
(Tuneli i Krrabës dhe rruga e vjetër Elbasan – Tiranë do të jenë të bllokuara).
3.Gjithashtu njoftojmë se në këtë datë do të ketë kufizime lëvizjesh dhe ndalim parkimesh në disa rrugë të brendëshme të qytetit të Elbasanit si me poshte:
Rruga e Zaranikës, Rruga nga “Rrethrrotullimi Luleve” deri tek hyrja në stadium, do të jenë të bllokuar për qarkullimin normal të mjeteve;
Rruga “Kozma Naska” në krah të majtë të stadiumit deri tek kryqezimi me Rrugen “Mahmud Bicaku” do të jetë në dispozicion të aktivitetit dhe nuk do të ketë parkime mjetesh;
Rruga lidhese para stadiumit deri në unazën jugore të qytetit do të jetë destinacion mjetet vip dhe parkimet e policisë. Për këtë arsye porosisim drejtuesit e mjeteve, (të interesuar për ndeshjen e futbollit), që të hyjnë në qytetin e Elbasanit para orës 18:00 me qëllim që të gjejnë mundësinë e parkimit të mjeteve të tyre, për të shmangur vonesat dhe bllokimet e panevojshme të trafikut.

MASAT E POLICISË SË ELBASANIT: TIFOZËT MUND TË FUTEN NË STADIUM NGA ORA 16:30
Policia e Elbasanit ka ndërmarrë një sërë masash për të garantuar zhvillimin normal të ndeshjes Shqipëri –Serbi, që do të luhet sot më datë 08.10.2015, në orën 20:45, në Stadiumin “Elbasan Arena”.

Policia e Elbasanit bën të ditur se sot në orën 08:00 do të bllokohen disa segmente rrugore si dhe do të ndalohet qarkullimi i mjeteve në këto akse rrugore, konkretisht:- Bulevardi “Qemal Stafa” që fillon nga Posta deri në dalje të unazës për në Librazhd
-Bulevardi “Aqif Pasha”, që fillon nga 1 Maji deri tek ish-konservimi i vjetër
-Nga ish-konservimi i vjetër deri tek Harullajt
– Nuk do të lejohet parkimi i mjeteve nga rrethrrotullimi i luleve deri tek rrethrrotullimi i Zaranikës.
-Nuk do të lejohet parkimi i automjeteve përreth dhe përballë stadiumit.
– Nuk do të lejohet lëvizja dhe parkimi i mjeteve në dy Bulevardet kryesorë

Bëjmë me dije se hyrja e sportdashësve do të fillojë në orën 16:30 dhe do të mbarojë në orën 20:15, me qëllim shmangien e radhëve të gjata në hyrje për në Stadium.
Lidhur me ndeshjen do të angazhohen 2300 punonjës policie, nga këto 365 punonjës policie do të jenë nga Drejtoria e Policisë Qarkut Elbasan.
Nuk do te lejohet marrja e fëmijëve të mitur pa u pajisur me biletë

Të gjithë sportdashesit që do të marrin pjesë në këtë aktivitet, të jenë të pajisur me kartë identiteti dhe të mos kenë me vete:
a) sende të forta,
b) shishe (të çfarëdolloji)
c) fishekzjarre
d) monedha apo metale (të çfarëdolloji)
e) çelësa të ndryshëm
Në të kundërt nuk do të lejohen të futen në stadium.
Për të gjithë tifozët që kanë prerë biletat për të parë ndeshjen që, ju bëjmë me dije se në Stadium do të lejohen vetëm këto veshje:
Shalli me flamurin Kuq e Zi
Bluza, ose shalle të stampuara vetëm me flamurin dhe simbolet “Kuq e Zi”
Flamuri Kombëtar dhe asnjë banderolë tjetër.
Shalli me mbishkrimin “Plisat”
Nuk do të lejohen:
Banderola me mbishkrimin “Shqipëria Etnike”
Asnjë bluzë ose shall me simbolet e Kosovës.
Asnjë bluzë ose Shall me mbishkrimin “Harta Etnike”
Asnjë bluzë ose Shall me mbishkrimin “Shqipëria Autoktone”
Asnjë bluzë ose Shall me mbishkrimin e ndonjë heroi të Kosovës.

Në hyrje të stadiumit do të kontrollohen të gjithë sportdashësit.
Të gjitha lokalet që ndodhen, përreth Stadiumit, në Bulevardin “Aqif Pasha”, nga Stadiumi deri tek Shatërvani, nga ora 12:00 dhe deri në përfundim të ndeshjes do të jenë të mbyllura.

Në të gjitha ambientet dhe pallatet përreth Stadiumit, nuk do të lejohen persona që nuk janë banorë të këtyre të këtyre ambienteve dhe nuk do të lejohen persona të huaj të futen në to.

Drejtoria Policisë Elbasan u kërkon qytetarëve që sot të minimizojnë lëvizjen e tyre me automjet brenda qytetit të Elbasanit, ç’ka do të sillte një ndihmesë të madhe në zhvillimin sa më normal të këtij aktiviteti.

FORMACIONI I MUNDSHEM i SHQIPERISE
Berisha, Hysaj, Cana, Gjimshiti, Agolli, Lila, Xhaka, Basha, Memushaj, Lenjani, Balaj.

FORMACIONI I MUNDSHËM I SERBISË
Me rikuperimin e Nemanja Maticit dhe Aleksandar Kolarovit, trajneri i ekipit te Serbise, Radovan Curcic, pritet qe te aplikoje ne ndeshjen e te enjtes ne mbremje ndaj Shqiperise skemen 4-2-3-1 në ‘Elbasan Arena”. Sipas mediave te ndryshme, formacioni i mundshem i ekipit serb pritet te jete:
Stojkovic – Kolarov, Ivanovic, Spajic, Tomovic – Matic, Brasanac – Tadic, Tosic, Ljajic – Mitrovic.

(ma.ar/er.nu/m.k/el.sp/BalkanWeb)

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: