NGA ORNELA MANJANI
Përmbyllja e procesit të kompensimit të pronarëve do të futet në një fazë të re vitin e ardhshëm. Qeveria shqiptare ka miratuar dje, vendimin për ngritjen e komisionit ndërinstitucional për bashkërendimin e punës për identifikimin e pronës shtetërore që mund të kalojë dhe të bëhet pjesë e fondit për kompensimin e pronave.

Referuar vendimit të miratuar nga Këshilli i Ministrave, komisioni i kryesuar nga zëvendëskryeministri do të identifikojë pronat që mund të kalojnë në fondin e tokës. Ky organizëm do t’i raportojë çdo muaj kryeministrit, ndërsa të gjitha institucionet e përfshira në këtë proces detyrohen të përgjigjen brenda afateve të kërkuara nga komisioni. Në rast mosbashkëpunimi brenda afateve të përcaktuara, atëherë komisioni i raporton me shkrim kabinetit të kryeministrit për marrjen e masave përkatëse.

Vendimi
Qeveria vendosi dje ngritjen e komisionit ndërinstitucional për bashkërendimin e punës për identifikimin e pronës shtetërore që mund të kalojë dhe të bëhet pjesë e fondit për kompensimin e pronave. Komisioni ndërinstitucional kryesohet nga zëvendëskryeministri, me përfaqësim nga Ministria e Drejtësisë, Ministria e Zhvillimit Urban, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Mjedisit.

Niveli i përfaqësimit në komision është të paktën në nivel zëvendësministri. Sipas vendimit, komisioni ndërinstitucional ka këto përgjegjësi dhe detyra:
a) U kërkon institucioneve shtetërore vënien në dispozicion të të gjitha informacioneve për pronat, pjesë e listës së inventarit të tyre, si dhe për pronat që janë nxjerrë jashtë funksionit;
b) Identifikon pronat që mund të kalojnë në fondin e tokës;
c) Kërkon nga institucionet shtetërore përkatëse verifikimin e pronave shtetërore që mund të kalojnë në fondin e tokës për kompensim fizik;
ç) I propozon Këshillit të Ministrave kalimin e pronës shtetërore të identifikuar dhe të verifikuar në fondin e tokës. Komisioni ndërinstitucional për identifikimin e pronës shtetërore mblidhet një herë në muaj, ose në çdo kohë, me kërkesë të kryetarit.

Sipas vendimit, në mbledhjet e komisionit ndërinstitucional për identifikimin e pronës shtetërore, mund të ftohen të marrin pjesë përfaqësues të organeve të qeverisjes vendore dhe institucioneve të tjera të interesuara, kur çmohet se pjesëmarrja e tyre është e vlefshme për përmbushjen e detyrimeve të komisionit.

Kompensimi financiar dhe ai fizik
Sipas ligjit në fuqi, pronarët duket të plotësojnë formularët-tip, ku mësohet se kërkuesi, duket të cilësojë faktin se kërkon kompensim financiar. Për plotësimin e dosjes duhet të paraqitet: Kërkesa për kompensim financiar/fizik; konfirmim nga ZVRPP-ja për gjendjen juridike të pronës; vërtetim nga gjykata nëse vendimi përfundimtar i vlerësimit të tij është ankimuar apo jo në rrugë gjyqësore; dëshmi trashëgimie nëse ka ndryshuar rrethi i trashëgimtarëve, prokurë e nënshkruar nga të gjithë trashëgimtarët; vërtetim numër llogarie; vërtetim nëse subjekti ka përfituar ose jo tokë bujqësore; dokument identifikimi dhe mandat pagese. Të njëjtat dokumente duhet të paraqiten edhe në rastin kur pronari kërkon kompensim fizik.

Vlera e pronës
Vlera e pronës që kompensohet nxirret bazuar në çmimin e tregut, llojin e pasurisë dhe qëllimin e përdorimit të saj, sipas standardeve ndërkombëtare të vlerësimit të pasurisë së paluajtshme. Procesit të vlerësimit të pronës, sipas përcaktimit të pikës 1 të këtij neni, i nënshtrohen në toka edhe objektet ndërtimore.

Në kategorinë e tokës përfshihen toka bujqësore, toka pyjore, pyjet, livadhet dhe kullotat, tokat e pafrytshme, si dhe trualli, pavarësisht masës dhe qëllimit publik apo privat të përdorimit të tij. Në kategorinë e objekteve ndërtimore përfshihen ndërtesat dhe strukturat inxhinierike, që e gëzojnë këtë cilësi sipas legjislacionit në fuqi. Treguesit bazë të vlerës së pronës caktohen të veçanta për tokën dhe objektet ndërtimore.

(GazetaShqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: